Një aksident i rëndë ka ndodhur dje në autostradën “Ibrahim Rugova”, në drejtimin Prizren-Suharekë, ku për pasojë humbi nënkryetarja e Dhomës së Biznesit të Diasporës dhe konsulentja e saj, pas përplasjes me një kamion që transportonte mallra.
Viktimat janë Elizabeta Katija, 43 vjeçe, drejtuesja e mjetit, si dhe Eorda Sinollari, konsulente biznesi pranë Dhomës, 32 vjeçe. Të dyja humbën jetën në vendngjarje, ndërsa autoritetet dyshojnë se moti i keq dhe mjegulla e dendur mund të kenë ndikuar në përplasjen fatale.
Elizabeta Katija ishte një emër i njohur për aktivitetet e saj brenda dhe jashtë vendit. Nga përplasja mbeti i plagosur rëndë edhe shoferi i kamionit, Munish Grajçefci, i cili po merr trajtim mjekësor në spital dhe, sipas mjekëve, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia e Kosovës ka konfirmuar ngjarjen, duke bërë me dije se aksidenti ka ndodhur rreth orës 07:40 në kilometrin e 26-të të autostradës. Hetimet po vijojnë për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e sakta të tragjedisë që ka tronditur komunitetin.
Ndërkohë, lajmi për ndarjen nga jeta të Elizabeta Katijas ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale dhe në komunitetin e biznesit, ku ajo vlerësohej për kontributin dhe profesionalizmin e saj. Mjetet e përfshira në aksident janë “Mercedes GLE”, me targa shqiptare, e drejtuar nga Elizabet Katija (viktimë), dhe një kamion “Mercedes Atego”, i drejtuar nga Munish Grajçefci (i lënduar).
“Sot, rreth orës 07:40, në autostradën “Ibrahim Rugova” në kilometrin e 26-të ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira një mjet i rëndë transportues-kamion, me targa vendore dhe një veturë me targa të huaja. Si pasojë e aksidentit drejtuesja e veturës ka humbur jetën, ndërsa drejtuesi i kamionit ka pësuar lëndime”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani. bw