Greva zgjati 8 orë dhe shkaktoi vonesa dhe anulim të katër fluturimeve – sot priten 52 mijë pasagjerë
VOAL- Greva e nisur sot nga një pjesë e stafit të Dnata në aeroportin e Gjenevës ka përfunduar. Është gjetur një marrëveshje mes palëve.
Protesta, e cila zgjati rreth tetë orë në total, shkaktoi disa vonesa dhe anulimin e katër fluturimeve. Disa pasagjerë më pas u larguan pa bagazhe. Punonjësit e Dnata-s, të cilët kryejnë detyra në terren, është dashur të japin asistencë për gjithsej 85 fluturime sot.
Greva goditi një periudhë intensive për aeroportin, atë të festave të Krishtlindjeve. Për sot aeroporti pret gjithsej 52,000 pasagjerë.
Të enjten, Dnata propozoi një rritje 1.7% të pagave për stafin, e cila më pas u rrit në 3% të premten. Sipas një sondazhi anonim, 93.8% e punonjësve refuzuan propozimin e menaxhmentit dhe 87.2% thanë se ishin gati për grevë. Sindikata kërkoi rritje 5% dhe shpërndarjen e bonuseve.
Dje ishte shpallur për herë të parë njoftimi për grevë, por ishte shtyrë. Ndër të tjera, punonjësit protestuan edhe për ndryshimin e masës së pensioneve profesionale, që sipas tyre do të kishte sjellë humbje të konsiderueshme.
Dnata punëson rreth 600 njerëz në Gjenevë. Stafi kujdeset për detyra të ndryshme, si lëshimi i biletave, shoqërimi i pasagjerëve, bartja e bagazheve etj. Kompania operon për kompani të tilla si Emirates, Ethiopian Airlines, Air France, KLM, British Airways, Iberia, Air Lingus dhe pjesërisht Easyjet.rsi-eb