Në Kosovë, aderimet partiake po ngjajnë gjithnjë e më shumë me transferimet e futbollistëve nga njëra skuadër tek tjetra: pa “dashuri ndaj stemës”, pa besnikëri konstante dhe shpesh me arsyetime që qytetari nuk i kupton kurrë.
Nuk është kalimi problem por është arsyeja pse ndodh kalimi. Në demokracitë e konsoliduara, lëvizjet politike ndodhin për shkak të dallimeve ideologjike ose programeve të papajtueshme.
Në Kosovë, në shumicën e rasteve, ato ndodhin për shkak të rehatisë personale, akomodimit në pushtet apo zhvendosjes drejt “kampit fitues”.
Shembujt janë të shumtë dhe të njohur për publikun: Kalimi i Edita Tahiri nga LDK në struktura qeverisëse të PDK-së u përjetua si goditje për elektoratin tradicional të LDK-së. Militantët, që dikur e shihnin si figurë simbolike të partisë, u ndjenë të tradhtuar kur e panë në një qeveri që deri dje e kritikonin zëshëm.
Ngjashëm veproi edhe Gjergj Dedaj, i cili nga pozicionet e pavarura politike u rreshtua në kampe të tjera pa shpjegime bindëse për publikun.
Milihate Tërmkolli kaloi nga LDK, në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, duke lënë pas një elektorat që e kishte mbështetur për vite si figurë identitare të LDK-së.
Nuredin Ibishi ndërroi fanellën politike nga PDK në LDK, duke e shtuar edhe më shumë konfuzionin tek zgjedhësit.
Hysen Berisha është rast tipik i shëtitjes politike: AKR, LDK, PDK – një itinerar që vështirë të shpjegohet me ndryshim bindjesh.
Largimi i Fatmir Limaj nga PDK dhe krijimi i Nismës bashkë me Jakup Krasniqi dhe Bilall Sherifin ishte si largimi i një boshti të tërë të një skuadre që pretendon titullin e më të mirit.
Sabri Kiçmari – një fanatik i PDK-së, i cili më pas kaloi në Vetëvendosje dhe u emërua Ambasador në Japoni; është rast klasik i manovrës politike për avantazh personal.
Kjo katërshe ishte shtyllë e PDK-së, vite me radhë, prandaj krijimi i një subjekti të ri nuk u përjetua si protestë ideologjike, por si ndarje për pushtet dhe dominim.
As Lëvizja Vetëvendosje nuk mbeti jashtë këtij fenomeni. Nga radhët e saj u larguan figura si:
Shpend Ahmeti
Dardan Molliqaj
Visar Ymeri
Dardan Sejdiu
Salih Salihu
Shqipe Pantina
Aida Dërguti
Fatmir Humolli
Ilir Deda etj.
Këto nuk ishin vetëm largime individësh, por çarje strukturore brenda një subjekti që pretendonte identitet ideologjik të fortë.
Rasti Deda, kur mendja racionale nuk përshtatet me militantizmin. Ilir Deda përfaqëson një kontrast të fortë me të tjerët. Ai nuk iku për pushtet. Ai nuk ndërroi parti për karrige.
Ai u largua sepse nuk mund të funksiononte në një ambient që shpërblen besnikërinë e verbër më shumë se mendimin kritik.
Ai ishte “mesfushori organizator” në një skuadër që kërkonte sulm të verbër dhe përplasje, jo qetësi dhe strategji.
Mimoza Kusari-Lila nisi karrierën politike në AAK, krijoi Alternativën dhe më pas u rreshtua me Vetëvendosjen, ndërrim partie që tregon jo evoluim ideologjik, por rikalkulim pushteti.
Donika Kada-Bujupi dhe Xhafer Gashi u shfaqën në AAK e LDK, sipas valëve politike të momentit.
Në Kosovë po ndodh ajo që është më e rrezikshme për një demokraci:politika po zbrazet nga idetë dhe po mbushet me manovra.
Në këtë “kampionat”: fitojnë ata që ndërrojnë fanellë, humbin ata që kërkojnë konsistencë, përçmohen ata që kërkojnë parim, mbijetojnë ata që përshtaten.
Kur politika shndërrohet në treg, qytetari mbetet gjithmonë blerës i mashtruar.
ARIF EJUPI