E krijuar si qënie për të krijuar forma të reja mbijetese në kurriz të tjerëve u mundova shpesh të dilja nga rrjedha ime, por askush nuk më kuptoi. Si një idiote e rëndomtë unë kisha nevojë për miratimin e llojit tim të doja tokën mëmë dhe nuk më mjaftonte njohja e saj për mua, një banore e prodhuar vetëm për të shkatërruar. Isha dhe vazhdoj të jem e aftë të krijoj, por deri më sot asnjëra prej tyre nuk del nga egoizimi për të patur një arritje. Jam thjesht një njeri. U përpoqa shpesh të dëgjoj zhurmën e punës së milingonave, ulëritjen e zemërimin e një vullkani, por nuk munda. Unë zgjodha të mbrohem, jo të dua.Unë nuk dua askënd që më nxjerr jashtë natyrës time provinciale dhe dëshirës për emancipim. Nuk jam në gjëndje shpesh të bëj dallimin. E megjithatë kam qarë shpesh mbi pemët e prera, kam ndjerë në shpirt vdekjen e miliona gjallesave dhe kam pyetur gjithmonë veten “pse nga çdo gjë që mbart ky dhe unë duhet të jem njeri”? Nuk mund të më kthejë askush përgjigje, përveç natyrës. Ne jemi qënie absurde, presim për të ndërtuar diçka dhe justifikohemi me tipiken “mbijetesa”. Po kjo toka çfarë duhet të bëjë për të mbijetuar prej nesh? Nuk e di, jam tepër humane për të menduar përtej egos time të zhvillimit.
Jam shtrirë në bar dhe kam lexuar shumë shpesh. Gjatë rrotullimit kam ndjerë një ujë të nevojshëm për lëkurën time, insekte përfshirëse dhe të nevojshme për t’u ndjerë nga unë. A më pranon kjo botë me gjithë qënien time të gabuar? Me siguri që po. Ndryshe pse nuk më përjashton me mbetjet e mia kaq të panevojshme. Ne nuk mund të bëhemi as humus për tokën. Si mund të mbijetoj pa atë? Tokë, më fal. E nëse nuk do ta bësh më thuaj që tani. Më përzej një herë e mirë nga kufijtë e tua të parajsës. Ti nuk mbart asnjë ferr, ferri është qënia e llojit tim dhe unë pa dyshim si pjesë e tyre.
Në e shëndërrofsh qënien time në ndonjë gjë vërtetë siç thonë këto besimit e llojit tim të rracës më bëj ç’të duash, thjesht jo më njeri. Nuk do të kishte mallkim më të madh. Thjesht më bëj diçka të dobishme.
A e dëgjon lotin tim tokë ?
Komentet