Lotët janë pjesë e ushqimit tim shpirtëror. Liqeni i tyre brenda meje, nuk ka digë përmbyllëse. Ata rrjedhin natyrshëm, me vrull si rrëkezë e gurtë, pikë – pikë si burim i shteruar. Gjithmonë në përputhje me gjendjen time ndjenjësore. Janë lotë normalë të një njeriu që përjeton çdo “prekje” në kordat e zemrës. Nuk bëj pjesë në grupin e “burrave të fortë” që s’tunden nga asnjë tërmet shpirtëror. Zemra ime është sizmiograf që regjistron edhe lëkundjet më të vogla njerzore. Është si tel violine që dridhet e lëshon tinguj gëzimi e trishtimi. Është një istrument i lirë, të bëjë atë që ndjen, të thotë atë që dëshiron. Kështu jam unë. Qaj e qesh si fëmijë. Nuk kam “turp” nga lotët kur janë të mitë. Ata të tjerët, të aktrimit artificial, më bëjnë të ndihem keq, më tmerrojnë, ma shpifin, më deformojnë të marrë pamje jo – njerzore. Nuk e kam luajtur e nuk e luaj dot atë rol, as në skenë.
Nëna më thosh, se kur linda, qava shumë. Më shumë se çdo fëmijë i sapolindur që “klith” për të rregulluar frymëmarrjen, për t’i hapur shteg udhës normale të rritjes. Edhe pse nuk e kam besuar asnjëherë, nëna ngulte këmbë se kisha qarë “me lotë”, ndryshe nga të tjerët që u skuqeshin sytë nga zori, por pa u njomur e ngrohur me lotë shpirti. Ajo që unë besoj e vërtetoj, është se jeta ime, ka qënë dhe është një udhëtim i gjatë e i vështirë mes lotësh. Mes lotësh gëzimi dhe trishtimi, malli dhe dhimbje, turpi dhe frike, faji dhe pafaji… Kam qarë nga gëzimi kur kam fituar një garë, kam qarë nga frika kur më ka qëlluar mësuesi, kam qarë nga malli kur ndahesha nga nëna, kam qarë nga turpi kur kam gabuar rëndë, kam qarë nga inati kur më kanë bërë me faj, kam qarë nga halli kur jam gjendur në udhëkryq… Lotët e mi kanë qënë e janë të kthjellët, njerzorë, nuk kanë asgjë të përbashkët me ato të “qaramanit” hileqar. Punët e mia, në të gjitha etapat e jetës, i kam kryer vetë, pa u qarë si njeri I shtirur, pa u ankuar si dembel i pandreqshëm.
Ky jam unë!…Kështu kam qënë fëmijë, kështu isha burr, kështu jam i moshuar. Këtë e vërtetojnë disa ngjarje kulmore që kanë lënë shënjë në jetën time. Babai më la kur isha pesë vjeç, por jetim u ndjeva kur ndërroi jetë nëna ime. Edhe pse burr dyzetë e gjashtë vjeçarë, lotët i kisha njësoj si fëmijë jetim, i pambrojtur, i pafajshëm. Kur nisa djemtë për të kërkuar fatin e tyre në një vend tjetër, qava nga meraku i madh për të papriturat gjatë udhëtimit në një terren të panjohur. Kur u bashkova me ta pas pesë vjetësh, qava përsëri me lotë gëzimi, që i gjeta shëndoshë e mirë. Qava I mbushur me gëzim kur im bir fitoi konkursin e parë muzikor. Qava nga gëzimi kur djali tjetër u zgjodh si nxenësi më i mirë i shkollës për t’a përfaqësuar në konkursin nacional të Italisë. Kam qarë nga gëzimi sa herë kanë ardhur në jetë nipër dhe mbesa. Pra kam qarë në vdekje, kam qarë dhe në lindje. Lotët kanë qënë njësoj, ndërsa përjetimi diametralisht i kundërt. Unë qaj, por nuk lebetitem. Nuk e humb toruan për të mos e gjetur më fillin e arsyes. Kur qesh, po, shkoj deri në delir. Qesh me lotë dhe me buzët që më shkojnë deri te veshët!…
Pistoia, më 30|06|2015
Komentet