Në Mars-2016 qeveria shqiptare mori një vendim për të ndalur gjuetinë deri në vitin 2021. Vendimi shtynte me 5 vite të tjera moratoriumin e vendosur në vitin 2014.
Në moratorium përcaktoheshin zonat dhe luginat ku ishte rreptësisht e ndaluar të shkelnin gjuetarët.
Vendimi është firmosur nga ministri i Mjedisit Lefter Koka, por ‘çuditërisht’ nisma për shtyrjen e moratoriumit është nxitur fillimisht nga disa shoqata mjedisore dhe është lobuar fort nga ministri Tahiri.
Policia ndërmori dhe disa aksione të forta për respektimin e moratoriumit për të dhënë mesazhin se e kishte seriozisht.
Deviza ishte: Të ruajmë botanikën, faunën dhe specie e rralla që po rrezikoheshin nga gjuetia.
Dukej si një nismë me qëllime të mira.
Ndonëse ishte pakëz e çuditshme, që në shtetin ku pasuri të çmuara që vlejnë miliona jepen me koncension si pa të keq, në shtetin ku interesi publik dhe të mirat materiale(kujtoni pak masakrimin që i bëhet pyjeve çdo ditë) shpërdorohen në mënyrë spektakolare, dikush po tregohej tepër i vëmendshëm dhe tepër i shqetësuar për mbrojtjen e faunës.
Por duket se gjahtarët, disa muaj më pas, i kanë rënë hilesë së këtij vendimi të qeverisë.
Prej disa kohësh, mes anëtarëve të shoqatës së gjahtarëve në Shqipëri qarkullon ideja se moratorium që i pengon ata të shkelin zonat e mbrojtura deri në vitin 2021, mund të jetë i lidhur me parcelat e mbjella me kanabis në shtigjet dhe luginat e thella të vendit.
Janë shtigje dhe lugina ku nuk shkel këmba e policit por vetëm këmba e gjahtarit dhe në çdo rast, prezenca e gjahtarëve mund të sillte dhe problem, pasi mund të vinin sinjalizime dhe denoncime ‘të pakëndshme’.
Për më tepër që pjesa dërrmuese e zonave të mbrojtura nga moratoriumi, janë njëkohësisht dhe zona ku aktualisht janë mbjellë sasi të konsiderueshme kanabisi.
/ HashtagAL /
Komentet