Paniku që përfshiu tregjet financiare të premten, pas votës shokuese të Britanisë për t’u larguar nga Bashkimi Europian, është thuajse i paprecedentë dhe mund të krahasohet për nga përmasat vetëm më dallgën financiare që ngriti falimentimi i Lehman Brothers.
Vetëm 24 orë pas shpalljes së rezultatit, makthi i tërmetit politik në Britani ka fshirë 2.08 trilionë dollarë pasuri nga tregjet financiare të botës. Kjo është sa 2.7 për qind e Prodhimit të Përgjithshëm Botëror.
Momenti më kulmor i panikut të së premtes ishte zhvlerësimi i paprecedentë i stërlinës. Menjëherë pasi votuan për të braktisur Bashkimin Europian, britanikët panë krenarinë e tyre kombëtare të zhvlerësohej me 8 për qind në pak orë, çka përbën edhe rënien më të madhe të paundit që nga krijimi i saj.
Por këto janë vetëm pasojat e parë të atij që në potencial mund të jetë një cunami i ri financiar me intensitet dramatik. Ekspertët janë duke vlerësuar se cilat do të jenë impaktet e plota të kësaj krize të re dhe tabloja e parashikimeve nuk është shumë e këndshme.
Unicredit, gjiganti italian i financave, e uli parashikimin për rritjen ekonomike të Britanisë për 2017-ën nga 2.1 për qind në 0, pra duke parashikuar stanjacion. Por kjo nuk është thjesht një krizë kombëtare. Impakti i Brexit do të përhapet gjithandej nëpër botë dhe më e prekura do të jetë Eurozona.
Sipas Unicredit, vitin e ardhshëm rritja ekonomike në Eurozonë nuk do të jetë më 1.6 për qind sa parashikohej, por do të luhatet nga 0.5 deri në 1 për qind. Ngadalësimi potencial i Eurozonës do të përhapej edhe më tej në periferi duke prekur edhe ekonomitë e brishta të Ballkanit Perëndimor.
Me gjasa shumë shpejt edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar do të rishikojë me ulje rritjen ekonomike në Eurozonë edhe më gjerë për të reflektuar situatën e re të krijuar nga kriza e referendumit britanik.
Bota ka hyrë në një situatë të re me shumë pasiguri përpara. Eurozona është në një moment delikat dhe kriza britanike ishte gjëja e fundit që i duhej. Intensiteti I krizës do të varet nga ecuria e bisedimeve mes BE-së dhe Britanisë në rikonfigurimin e marrëdhënies së re mes tyre.
Ndërkohë duket se ka filluar sakaq edhe lufta tregtare teksa, vetë BE është duke kërcënuar bankat angleze se do u heqë statusin e privilegjuar tregtar që ato kanë në tregun e përbashkët europian.
Në potencial Brexit mund të shndërrohet në një cunami që mund ta rikthejë të gjithë Eurozonës sërish në recesion. Franca është sakaq aty, teksa vlerësimet e fundit tregojnë se në tremujorin e dytë ekonomia franceze mund të jetë kontraktuar e dëmtuar edhe nga grevat.
Kjo është një krizë e re besimi, që mund të sjellë dhimbje të reja për të gjithë. Përfshirë vendet e varfra të Ballkanit Perëndimor.
Komentet