Më 19 mars 1947 gazeta “Bashkimi” jepte një lajm të pazakonshëm që bënte fjalë për një vrasje të trefishtë që kishte ndodhur një ditë më parë në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane me qendër në Tiranë. Lajmi përmblidhej në pak rreshta:
“Dje pas dreke n’ora 3 në kryegjyshatë u krye një krim i poshtër e i shëmtuar. Patrioti Baba Faja dhe Baba Fejzua u vranë nga Dede Baba Abazi, i cili pas krimit të poshtër vrau edhe veten…..”
Në komentet e mëpastajme thuhet se Dedei vrau Baba Fajën tek shkallët e kryegjyshatës me një plumb pistolete dhe kur doli Baba Fejzua po me një plumb vrau edhe këtë të fundit, pastaj, gjithnjë me një plumb vrau dhe veten!!
Mirëpo në materialin që po botojmë, sillen fakte dhe dëshmi se nuk ka ndodhur ashtu…
Ndër tre viktimat e tragjedisë së asaj dite, padyshim që më i njohuri dhe më popullori ishte Baba Faja.
Historia e klerikut të shquar bektashian, Baba Faja Martaneshit (Mustafa Xhani) është padyshim një nga historitë më interesante dhe njëherësh më prekëse për shumë arsye. E para është historia e një kleriku të devotshëm që rrezatonte paqe, mirësi dhe dashuri midis besimtarëve; e dyta është historia e rrallë e një kleriku që, kur atdheu ndodhej i pushtuar nga fashistët, iu bashkua dhe përkushtua maksimalisht luftës antifashiste për çlirimin e atdheut; e treta fundi tragjik i Baba Fajës e mbështjellë edhe sot e kësaj dite me mister dhe enigma të shumta.
Kur u vra, Baba Faja ishte 37 vjeç.
Në këtë material me autor Zenel Gjonin, një mësues i shquar dhe një historian i pasionuar martaneshas, që po botojmë në vijim po sjellim për lexuesit e DITA-s pikërisht një sërë faktesh të reja për historinë e panjohur të Baba Faja Martaneshit. / Përgatiti për botim Xhevdet Shehu
*****
Nga Zenel Gjoni
Para se të shtjelloj figurën e Baba Fajës dhe historinë e jetës së tij deri në vrasjen makabre në mars të 1947-s, po jap dy referenca bektashiane dhe një referencë historike për familjen Xhani.
E para:
Në librin “Fillimet e bektashizmit në Shqipëri dhe në Elbasan” shkruar nga gjysh Qazim Dedeja, viti 1997, midis të tjerave lexojmë: “Mbas vdekjes së Baba Xhaferrit, myhibanët e Martaneshit i kanë pas drejtuar Baba Mustafa Hakiut të Elbasanit, tue i kërkue një njeri për administrimin e Teqesë dhe ai ka pas dërgu dervishin e vet, Fajë Xhanin si kujdestar i cili ka pas qëndrue në këtë detyre dy vjet. Në vitin 1934, ka qenë gradue Baba, tue u dekretue prej Kryegjyshit Botëror baba Sali Nijazi Dede. Baba Faja ka lindur në katundin Luzi i Madh i Kavajës. Asht biri i Dalip Xhanit.
Baba Faja si u gradue Baba i Teqesë Bektashiane Martanesh, ka pas shtue pasurinë e Teqesë, tue i blemun një çiflig afër Tiranës (në Zgafnarë), ka pas ndreq në Teqenë e re një godinë me dy kate e me gjashtë dhoma. Ka pas shtue edhe radhët e myhibanëve.
Baba Faja qysh në vitin 1941 ka pas marrë pjesë aktive në luftën antifashiste nac.çl. e për këtë arsye Teqeja në vitin 1943 ka pas qenë djegur prej ushtrisë italiane.
E dyta:
Në librin “Bektashinjtë e Shqipërisë” shkruar prej Varfë Ali Prishtës, Korçë në vitin 1921. Midis të tjerash shkruhet: “Në këtë tragjedi të luajtur prej gjakpirësve sundimtarë turq, Bektashizmi ra nga përparimi i parë. Thuhet se shumë nga bektashinjtë e Stambollit u përhapën në Evropë dhe u përzjenë me Frank-Masonët, të tjerë ndërruan format dhe të tjerë hynë në mbrojtje jashtë shtetit turk si Shememija e Krujës, që u bë udhërrëfyes i Ali Pashë Tepelenës dhe më vonë u bë dëshmor, si dhe Xhefaija i Elbasanit që ndejti shumë vjet i mbyllur (i fshehur) në një shtëpi fisnike afër Kavajës, në katundin e quajtur Luz, nga e cila shtëpi dhe farë e quajtur Xhanëllarë (fisi Xhani) dolën ata më të fortët, trima patriotë, që rrëfejnë gjallërinë e kombit sot në qarkun e Kavajës”.
E treta, një referencë historike:
Në vitin 1983, nga pallati i kulturës “Aleksandër Moisiu” Durrës në bashkëpunim me muzeun arkeologjik të Durrësit dhe muzeun historik të zonës së Shijakut është botuar “Almanaku 1”, ku në disa kumtesa të historianëve të zonës është hedhur dritë midis të tjerash edhe për kontributin e lartë të atdhetarit Bajram Xhani si dhe patriotëve të tjerë të shquar në luftën për liri, pavarësi dhe përparim shoqëror:
“Bajram Xhani gjithmonë pranë,
Asnjë herë s’e kanë larguar,
Shok s’i gjëndet në këto anë,
Shpinë e pashës ka qëlluar…..”
***
Historia e çdo vendi që lirinë e ka të shenjtë, me shumë të drejtë do të krenohej me figurën e Baba Faja Martaneshit.
Ky klerik i madh i lirisë së Shqipërisë me moton rilindëse: “Pa Atdhe nuk ka Fe”, tërë jetën e tij, tërë pasurinë e tij shpirtërore dhe materiale e vuri në dispozicion të luftës kundër fashizmit, duke krijuar një simbiozë të plotë të qëllimeve të drejta të mbretërisë së qiellit dhe të tokës. Ai u priu besimtarëve të vet me besimin e madh tek Zoti dhe tek Atdheu. Martaneshin ai e shndërroi në një kështjellë të bektashizmit dhe të lirisë, të luftës kundër fashizmit.
Atë që bëri Baba Abazi me dervishët e tij në Rabie, Tepelenë, ai e bëri në përmasa më të mëdha, në një hapësirë kohore disavjeçare, duke mbjellë farën e lirisë në zemrën dhe në shpirtin e çdo besimtari.
Promotor i disa ngjarjeve të mëdha si Konferenca e Pezës, anëtar i Këshillit të përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar, ai u mbështet për këtë në traditat më të mira të familjes së tij të madhe patriotike. Ai u mbështet për këtë tek përvoja e madhe e Lidhjes së Prizrenit, ku nëpër teqetë Abdyl bej Frashëri organizoi besëlidhjet e lirisë dhe nënshkroi kartën e përfaqësimit.
Si formim, si bindje dhe si busull në veprimtarinë konkrete Baba Faja Martaneshi kishte idenë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ai e pa të vërtetën në sy si forcë çliruese. Lirinë ai e shikonte jo vetëm në çlirimin kombëtar, por edhe në çlirimin shoqëror. Lirinë e së vërtetës që në ditët e para të pasluftës nisi furishëm ta kthejë në bukë dhe dritë, në besim e mirëqenie për popullin. Si të gjithë rilindësit ai për mëmëdheun vuri në dispozicion pushkë dhe penë. Ai ishte nishanlli i lirisë, por edhe nishanlli i diturisë. Ai dëshiroi shpirtërisht, që në Martanesh dhe kudo të hapte shkolla, të jepte dritë dhe përparim gjithë shoqëror. Këtë ndihmesë më së miri ai dëshironte ndër të tjerat ta bënte edhe Teqeja e Martaneshit e shndërruar me kohë në një menaxhere të përkryer të diturisë, të fjalës dhe të shkollës shqipe, e cila u hap për të parën herë në vitin 1908.
***
Por dora e pabesisë e goditi pas shpine, e vrau tamam në kohën kur filloi të jepte maksimumin e aftësive të gjithanshme të tij. Ajo dorë e zezë nuk e la të vazhdojë jetën, të realizojë premtimet e dhëna gjatë luftës heroike çlirimtare, dëshirat, idealin për të cilin luftoi dhe ngriti në këmbë në mënyrën më masive masa të gjëra popullore.
Ndaj është e kuptueshme se Baba Faja Martaneshin, për shkak të vrasjes nga dora kriminale fill pas çlirimit kombëtar, nuk e lidhi asgjë me vazhdimësinë e jetës shoqërore të pasluftës, me rendin e shoqërinë e re socialiste që u vendos pas çlirimit nga pushtuesit nazi-fashistë. Ajo dorë që me apo pa qëllim vazhdon të jetë në një mjegullnajë e pa zbuluar edhe në ditët e sotme, e ndau nga jeta pa dhënë e pa mundur me dhënë ndihmesën e tij në premtimet madhore plot shpresë e besim të bëra gjatë lufte.
Si një rilindës i vërtetë Baba Faja Martaneshi luftoi dhe veproi me fjalën dhe veprimtarinë e tij për forcimin e unitetit kombëtar shqiptar. Ai pati miq në veri edhe në jug, në Kosovë dhe në Çamëri e kudo miqësinë e vuri në shërbim të bashkimit dhe të forcimit të unitetit kombëtar shqiptar. Baba Faja ishte një reformator i jetës civile dhe i jetës fetare. Si të gjithë rilindësit e vërtetë ai i shikonte në një qëllim të përbashkët këto reforma shpirtërore, materiale, kulturore dhe arsimore të popullit shqiptar. Si të gjithë rilindësit e vërtetë ai ishte një hap para në hartimin dhe zbatimin e këtyre reformave radikale në shërbim të popullit dhe të kombit.
Po të lexosh me kujdes revistën e drejtuar prej tij “Djersa” në shkrimet e tij ai është solidar me shkrimet e Naim Frashërit tek “Fletorja e bektashinjve”.
Naimi, babai i ndritur shpirtëror i bektashizmit shqiptar, autori i “Fletoreve” dhe i “Qerbelasë”, ishte jo vetëm për shkëputje nga mentaliteti turk osman, por edhe “…për atë dritë të bekuar që lind andej nga perëndon…” e si rrjedhojë ai kërkon atë emancipim të përgjithshëm social të shoqërisë shqiptare.
Ato risi të larta që solli Noli si klerik në ortodoksinë patriote shqiptare, ato risi solli Baba Faja në bektashizmin atdhetar shqiptar. E të gjitha këto të përfshira në marrëdhëniet jetësore, në marrëdhëniet midis brezave dhe shtresave e deri në marrëdhëniet familjare, në emancipimin e gruas dhe të familjes. Naimi i martuar me një vajzë të adaptuar është babai më i madh i bektashizmit shqiptar. Ai është modeli teorik dhe praktik i të varfërve shqiptarë. Baba Faja Martaneshi kishte si apostull modelin naimian. Modeli rilindës naimian ishte modeli vital i bektashizmit shqiptar për Baba Faja Martaneshin.
***
“Bota shkon me opinione” thonë me të drejtë enciklopedistët francezë. Modeli i Naimit dhe modeli i Baba Fajës rrjedh e derivon, ndaj si ky të jenë edhe modelet e vërteta të klerikut bektashian shqiptar të çdo kohe.
Thënia e njohur “Më jep një hero, të jap një tragjedi”, sikur është prerë enkas për Baba Faja Martaneshin. Baba Faja është një hero tragjik. Duke qenë disa hapa para mentaliteteve dhe interesave materiale dhe tribale të kohës, modeli i tij naimjan nuk u kuptua ose qëllimisht nuk u kuptua. Edhe sot interesa të vogla fitimprurëse meskine të veshura me veladonin e ndonjë kleriku të vogël, kërkojnë ta lënë mënjanë Baba Fajën, kërkojnë të zhbëjnë atë që u bë Histori. Rendja pas fitimeve materiale të disave që duan të na e paraqesin kolaboracionizmin si një mësim i hapur kombëtar, interesat komerciale si interesa principiale, duke na i paraqitur disa ish bashkëpunëtorë të fashizmit si modele të bektashizmit.
Një radhë ushtruesish fetarë që shkëputen nga komuniteti, nga hallet dhe dertet e popullit dhe që i ka sytë vetëm nga pushteti i radhës, kanë filluar ta shikojnë bektashizmin si katalizator interesash pronash dhe privilegjesh. Figura e madhe naimjane e Baba Fajës nxjerr dobësitë e tyre, mungesën e integritetit ideal, rendjen e tyre pas interesit personal. Baba Faja Martaneshi eci në gjurmët e Abdyl dhe Naim Frashërit, në gjurmët e rilindësve dhe u shndërrua edhe vetë në një rilindës të madh të historisë së popullit shqiptar.
***
“Pa male nuk ka maja” është thënia shumë e njohur e popullit.
Baba Faja ishte në majë në vargmalet e familjes së njohur Xhani. Por jo vetëm ai. Figura e Bajram Xhanit i dha atij simbolin e luftës për liri dhe progres shoqëror. Familja Xhani nëpër breza ka spikatur dhe vazhdon të spikasë për këto veti të larta. Luzi i Madh i Kavajës mund të mburret me të drejtë që i ka dhënë kombit një derë të madhe fisnike, një derë atdhetare, lirie dhe diturie.
Njëkohësisht edhe Martaneshi mburret, që pati në gjirin e tij në një periudhë tepër të vështirë kohore një nga pinjollët e kësaj dere patriote dhe atdhetare, Baba Fajën, me të cilin formoi një amalgamë solide e të pazhbëshme. Martaneshi lartësoi gjithnjë e më shumë figurën madhore të Baba Fajës, të këtij luftëtari hero. Njëkohësisht Baba Faja ngriti akoma më lart, ngriti në majë të piedestalit të nderit dhe të lavdisë atdhetare e patriotike Martaneshin dhe martaneshasit, të njohur në mot e jetë për gjenin patriotik dhe atdhetarë të mbartur përjetësisht në trashëgiminë e breznive kohore.
Dervish Faja në drejtim të Teqesë Bektashiane Martanesh
Në vitin 1932 Teqeja Bektashiane e Martaneshit kishte mbetur pa drejtim, si shkak i ndërrimit jetë të Baba Reshitit.
Krahina e Martaneshit administrativisht aso kohe ishte me Elbasanin. Edhe lidhjet ekonomike shoqërore, kulturore, fetare, përveç Tiranës, bazë kryesore kishte qytetin Elbasan. Këto dy qytete ekonomikisht më të zhvilluara për kohën, Martaneshi i kishte në distancë të barabartë në largësi. Ndaj lidhjet tregtare ishin pothuaj të njëllojta mes tyre.
Në Teqen e Elbasanit, kryesisht në atë ku drejtonte Baba Mustafa Hakiu i Elbasanit, ishte rast i rrallë që ndonjë natë të mos kishte martaneshas, kryesisht dorësa, myhybër bektashi. Burrave të shquar martaneshas të kohës u kishte rërë në sy për mirë një dervish i ri në moshë, aktiv, besnik, shumë i ndërgjegjshëm në punë dhe në jetën e përditshme, njohës dhe zbatues i shkëlqyer i normës dhe dokës në Tarikatin Bektashian, tepër popullor, i respektuar nga të gjithë njohësit, në veçanti nga vetë drejtuesi i Teqesë Baba Mustafa Hakiu si dhe nga personaliteti shumë i njohur i kohës, mjeshtri i këngës popullore të Shqipërisë së mesme Isuf Myzyri dhe të tjerë figura bektashiane, politike, atdhetare të lidhura ngushtë me Teqenë e Elbasanit.
Ky dervish me një të ardhme të ndritur ishte Dervish Faja (Mustafa Xhani).
Paria e krahinës dhe Këshilli i Teqesë Martanesh, një numër i konsideruar burrash të shquar si patriotë, luftëtarë trima të provuar në sa e sa beteja dhe përpjekje me pushtues të huaj, besimtarë të devotshëm të Bektashizmit si sekt apo tarikat i myslimanizmit e kishin njohur nga afër Dërvish Fajen, bile ishin miqësuar shumë.
Në bisedat e ndërsjellta ngjasonin shumë mes tyre në mendime, në gjykime për realitetin e kohës, ndaj pas konsultimeve serioze të shumta e të gjata me popullin e krahinës, Këshillit të Teqesë Martanesh si dhe me njëri tjetrin, vendosën, që t’i kërkojnë Baba Mustafa Hakiut të besojë drejtimin e Teqesë Martanesh Dervish Fajës.
Kjo dëshirë, pra, ishte jo vetëm e këtyre burrave të shquar e shumë të njohur si Dikë, Myslim e Abdulla Grrica, Sul Gjoni e Sul Cuka, Rrem Rrushi e Rrem Gjyla, Ali Lila, Beqir Dervishi një person me influencë për kohën, Sali Feza e Murat Koçi, Sul e Nezir Hazballa etj etj., të cilët në grupe të herë pas hershme shkuan dhe bënë kërkesën në fjalë, duke shprehur kështu jo vetëm dëshirën e tyre si përfaqësues të popullit, por edhe kërkesën solide të bërë enkas për Dervish Fajen nga të gjithë banorët e krahinës.
Komentet