Xhevdet Shehu: Me historianen e njohur angleze, Miranda Vickers, si dhe me Profesorin e Universitetit të Oksfordit, James Pettifer, unë kam një letërkëmbim të rregullt prej shumë vitesh, natyrisht për çështje historike, kryesisht ballkanike dhe shqiptare. Muajt e fundit ky këmbim mendimesh dhe idesh ka qenë i fokusuar thuajse tërësisht me referendumin që pritej të zhvillohej në Mbretërinë e Bashkuar për daljen nga BE. Bindja e tyre ishte thuajse e palëkundur se britanikët do të votonin pro daljes. Tashmë që referendumi u krye dhe dihet botërisht vota në shumicë e britanikëve, qëndrimi i miqve të mi anglezë është më i qartë dhe më i argumentuar për arsyet e këtij votim.
Në vijim, po jap thuajse të plotë letrën që më dërgonte Miranda dje nga Londra:
“Unë personalisht jam e kënaqur me rezultatin, por natyrisht që shumë njerëz nuk janë. Kjo do të ketë pasoja shumë të rënda si për Mbretërinë e Bashkuar dhe për Europën. Sepse kjo mund të thotë shpërbërje e Mbretërisë së Bashkuar, për shkak se Skocia do të ketë një referendum për të shpallur pavarësinë e saj nga Britania, ndërsa ne të gjithë e dimë që përfundimisht skocezët do të votonin për ta lënë Mbretërinë e Bashkuar, sapo të marrin dritën jeshile se mund të rinegociojnë anëtarësinë e Skocisë në BE jashtë Britanisë së Madhe, dhe të sigurohen se çmimet e naftës do përmirësohen për ta.
Gjithashtu, dalja e Britanisë mund të nënkuptojë eventualisht edhe fundin e Bashkimit Evropian, nëse vendet e tjera si Holanda dhe Suedia bëjnë gjithashtu referendume për të lënë BE-në. Ka gjithashtu një pakënaqësi të madhe midis shumë vendeve të BE-së, duke përfshirë këtu Italinë dhe Francën, që lidhet me qëllimin e BE-së për zgjerim më të madh për të përfshirë Shqipërinë, Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi.
Por, mbi të gjitha, ne jemi të gjithë shumë kundër idesë së Turqisë për t’u bashkuar me BE-në, e cila do të ishte një katastrofë.
BE-ja është një institucion shumë jodemokratik, që qeveriset nga zyrtarët e pazgjedhur që bëjnë ligjet në emrin tonë, të cilat janë kryesisht në interes të BE-së dhe jo të vendeve të veçanta. Në Angli ne kemi tani më shumë se 2 milionë emigrantë të Europës Lindore dhe ata janë të gatshëm të punojnë për rroga shumë të ulëta, duke dëmtuar punëtorët britanikë; dhe ata janë kryesisht të rinj që kanë fëmijë dhe ata kanë mbushur shkollat tona duke e bërë gjendjen e tyre kritike. Mikesha ime më e mirë është një mësuese e shkollës fillore dhe dhjetë vjet më parë ajo kishte një klasë me 24 nxënës, ndërsa tani ajo ka 36, shumica e të cilëve nuk e flasin gjuhën angleze si gjuhë të parë. Këta emigrantë kanë rritur trysninë e tyre në shërbimet tona të strehimit, spitalet, dentistët dhe shërbime të tjera sociale. Kjo është arsyeja pse kemi dashur dhe t’i jepet fund lëvizjes së lirë të njerëzve brenda BE-së, por, kur David Cameron shkoi në Bruksel për të kërkuar ndalimin e lëvizjes së lirë, ata refuzuan.
Këto janë disa nga arsyet pse populli britanik votoi të largohet nga BE-ja.
Unë e di se Shqipëria dëshiron shumë të bashkohet me BE dhe nëse BE-ja i mbijeton daljes së Britanisë dhe ndoshta të vendeve të tjera, atëherë mund të ketë një të ardhme për Shqipërinë në BE . Megjithatë do të duhet të shohim se si gjërat të zhvillohet në muajt e ardhshëm.”
Komentet