VOAL – BRUKSEL –Telekomi, energjia, liria e lëvizjes dhe asociacioni i komunave me shumicë serbe janë temat kryesore të bisedimeve të sotme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.
Në Bruksel filloi raundi i ri i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Në raundin e sotëm do të trajtohen çështje që kanë të bëjnë me energjinë, telekomunikimet, lëvizjen e lirë në veriun e Kosovës dhe krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Prishtina pohon se Kosova do ta marrë kodin e saj telefonik 383 drejtpërdrejt nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve dhe se kërkesa në emër të Kosovës do të bëhet nga ana e Austrisë. Por Beogradi mohon të ketë një marrëveshje të tillë.
Qëndrime të kundërta kanë përshkuar edhe debatet rreth energjisë për shkak të refuzimit të Serbisë që të lërë nën kontrollin e qeverisë së Kosovës të liqenit të Gazivodës që shtrihet përgjatë kufirit verior të Kosovës dhe Serbisë në rajonin e Zubin Potokut, një nga komunat me shumicë serbe ne veri të Kosovës. Ky liqen vlerësohet me rëndësi thelbësore për prodhimin e energjisë elektrike, pos tjerash për faktin se Termocentralet e Kosovës varen nga furnizimi me ujë prej tij. Beogradi ka pohuar se ka ofruar ndarjen e pronësisë 50 me 50 për qind, por Prishtina këtë nuk e ka pranuar.
Qëndrimet janë kundërthënëse edhe për lëvizjen e lirë në veri, përkatësisht largimin e pengesave nga ura kryesore mbi lumin Ibër që shënon edhe vijën ndarëse të Mitrovicës në veriun me shumicë serbe dhe jugun me shumicë shqiptare.
Pjesë e vështirë e bisedimeve pritet të jetë edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Prishtina ngulë këmbë se ky asociacion nuk do të ketë pushtet ligjvënës e as ekzekutiv, ndërsa Beogradi kërkon më shumë autonomi të asaj që ai e quan Bashkësia e komunave serbe.
Gjatë ditës pritet të diskutohet edhe shkalla e zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri tash. Nga ky zbatim varet edhe ritmi i hapjes së kapitujve të negociatave për anëtarësim të Serbisë në Bashkimin Evropian. Beogradi parasheh takim të vështirë edhe për shkak të pohimeve të diplomatëve evropian se bisedimet 23 qershorit mund të kenë “ndikim vendimtar” për hapjen e këtyre kapitujve. Në fillim të korrikut ne Beograd pritet të qëndrojë edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila ngulë këmbë në qëndrimin se hapja e kapitujve të negociatave për anëtarësim duhet të pasojë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe detyruese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Serbia përfitoi hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian pas marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën me gjithë kundërshtimin e saj ndaj pavarësisë së Kosovës të shpallur në shkurt të vitit 2008. za
Komentet