Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës ia ka dërguar Kuvendit të Komunës së Prizrenit propozimin që historiani e publicisti i njohur Noel Malcolm të shpallet Qytetar Nderi i Prizrenit.
Ky propozim pritet që të shqyrtohet gjatë kësaj jave në seancën plenare të KK të Prizrenit. Propozimi për këtë është adresuar nga kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Enver Hoxhaj, më 28 prill të këtij viti.
“Kam kënaqësinë që në emër të Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës t’ju propozoj që shkencëtarit, profesorit, historianit dhe publicistit të njohur ndërkombëtar, Sir Noel Malcolm, t’i ndahet mirënjohja ‘Qytetar Nderi i qytetit të Prizrenit’”, thuhet në shkresën e dërguar nga Hoxhaj. Në arsyetimin e këtij propozimi pohohet se kjo mirënjohje duhet t’i ndahet për kontributin e çmuar të tij në hulumtimet shkencore të historisë së shqiptarëve dhe çështjes së Kosovës, që tani është një aktivist i shquar i pavarësisë së Kosovës.
Shqyrtimi i propozim-vendimit për shpalljen Qytetar Nderi të Noel Malcolmit figuron në propozimin për rendin e ditës të seancës së radhës të KK-së, që do të mbahet këtë të enjte.
Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi, ka konfirmuar për “Kohën Ditore” ndërmarrjen e veprimeve për ndarjen e kësaj mirënjohjeje për historianin Malcolm. Sipas tij, bëhet fjalë për iniciativën e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës që i është drejtuar kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja, i cili më pas propozimin e ka proceduar në Kuvendin e Komunës.
“Konsiderojmë se është nder për qytetin e Prizrenit që një personaliteti të tillë t’ia ndajmë këtë çmim, duke e ditur kontributin e tij në hulumtimet shkencore të historisë së shqiptarëve dhe çështjes së Kosovës, sidomos me librin ‘Kosova: Një histori e shkurtër’, sikurse edhe lobimin që ka bërë dhe e bën për pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Gashi. Sipas tij, Malcolm është edhe autor i shumë artikujve në revista e gazeta prestigjioze, në të cilat Kosova paraqitet në mënyrë objektive para opinionit ndërkombëtar.
Noel Malcolm, i lindur më 26 dhjetor 1956, është politikan, gazetar, historian dhe akademik anglez. Ka doktoruar për histori në Trinity College, Cambridge. Ka ligjëruar në Cambridge para se të niste punën si gazetar për çështje politike dhe punë të jashtme në “The Spectator” dhe “The Daily Telegraph”. Në vitin 1995 është larguar nga gazetaria për të nisur punën si shkrimtar dhe akademik. Në vitin 2014 i është ndarë titulli Sir për shërbimin në edukim, gazetari dhe në historinë evropiane. Është edhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, si dhe anëtar nderi në Peterhouse (nga viti 2010) dhe Trinity College (nga viti 2011), Cambridge. Malcolm është autor i disa librave, në mesin e të cilëve bën pjesë edhe “Kosova: Një histori e shkurtër” e botuar në shqip në vitin 2008 nga Botimet KOHA. Ky libër ka ngjallur debat të madh në mesin e historianëve.
Malcolm është kryesues i Institutit Boshnjak në Londër dhe kryetar i Shoqatës Anglo-Shqiptare.
Komentet