Endri, djali i madh i Aleksandër Meksit
DITA i ka kërkuar dje një prononcim zotit Aleksandër Meksi, i cili u përgjigj shkurt mbi këtë incident. Ndërkaq, i pyetur nga DITA, djali i madh i ish-kryeministrit, Endri Meksi, ka sjellë një reagim më të plotë lidhur me këtë episod. Reagimin e bën edhe më interesant fakti që Endri ka qenë i pranishëm në atë ngjarje, nga një këndvështrim tjetër: Ai ishte duke pritur të atin në Rinas. Endri Meksi saktëson se udhëtimi i kthimit po bëhej nga Brukseli, pas një takimi me Komisionin Europian, ndërsa në Romë delegacioni ynë ishte tranzit.
Më poshtë, sqarimi i Endri Meksit:
Në avion ishin Genc Ruli, Gjergj Kondo dhe Fidel Ylli, përveçse Aleksandër Meksit. Nga Roma u nisën për arsyen e thjeshtë që nuk kishin asgjë për të bërë më aty, mbaruan vizitën dhe nuk ishin mësuar të qëndronin për vizita qejfi; në Shqipëri kishin në çdo rast situatë emergjence. Takimi ishte me Komisionin Europian në Bruksel, i pari me KE-në, dhe kaluan në Romë tranzit.
Unë ndodhesha në Rinas atë pasdite. Ishim në hapësirën e shërbimeve qeveritare bashkë me rojet dhe shoferët e makinave. Nuk arrij të kujtohem kush ishin të tjerët, por kishte dhe njerëz të tjerë.
Na njoftuan papritmas që duhet të dilnim në pistë sepse nuk kishte drita dhe duhet të ndriçonim pistën me dritat e makinave. Motivi i mungesës së dritave, na u tha që ishte dëmtimi i llambave në tokë prej deleve dhe lopëve që kalonin lirshëm në aeroport. Nga ky detaj më vjen të mendoj që nuk ishte diçka e parashikuar, sepse do të ishim pozicionuar kohë më parë. Në fakt u pozicionuam gabim, pavarësisht se nuk u fol më për këtë ngjarje. Them gabim sepse kur avioni po ulej, une vura re që ne po ndriçonim kundrejt avionit, dmth ishim përballë me të. Ishim pak makina, besoj jo më shumë se 10 copë. Pozicionimi i keq, besoj se ishte arsyeja përse avioni/piloti takoi tokën me rrotën e parë, e cila u thye në momentin e impaktit. Kuptohet, përvecse faktit që nuk kishte drita aspak. Avioni vazhdoi deri nga fundi i pistës me zvarritje e përplasje. Pati shumë shkëndija, por jo zjarr. Ne nxituam me makina të ndiqnim avionin. Pasagjerët nuk pësuan asnjë dëmtim. U fol më vonë që avioni kishte serbatorët në krah dhe prandaj dhe nuk shpërtheu. Nuk di sa ka qenë e vërtetë, sepse në realitet nuk u mor askush më me atë histori.
Në lidhje me çfare thotë Izeti, në fakt nuk kam asnjë info sepse nuk është folur më për këtë histori. Por një detaj që e kujtuam pas këtij shkrimi ishte që Bashkim Kopliku erdhi për vizitë menjëherë në shtëpinë tonë. Nuk mund të them se kishim marrëdhënie të afërta duke qenë se marrëdhëniet në qeveri midis atij dhe Leka Meksit ishin konfliktuale, por as nuk jam në gjendje të jap një opinion sot mbi çfarë u tha nga Izeti.
Por as nuk habitem! Ka detaje të 1996-1997 që tregojnë akoma më shumë… Ndoshta për një herë tjetër.
Komentet