TIRANË- Shqipëria do të bëhet vendi më i ri në rrjetin ndërkombëtar të lëvizjes hebraike Chabad-Lubavitch. Gjatë Konferencës Ndërkombëtare të Emisarëve të Chabad-it është njoftuar se rabini Yossi Fridman dhe bashkëshortja e tij, Etka Fridman, së bashku me djalin e tyre, Meir, do të vendosen në Shqipëri për të ngritur shtëpinë e parë të përhershme të organizatës në vend. Familja Fridman do të angazhohet për t’i shërbyer komunitetit hebre vendas, si dhe numrit në rritje të turistëve dhe vizitorëve hebrenj që mbërrijnë në Shqipëri.
Shqipëria zë një vend të veçantë në historinë hebraike edhe për shkak të qëndrimit të shqiptarëve gjatë Holokaustit. Tradita e besës, një nga shtyllat e kulturës shqiptare, u bë pjesë e historisë së shpëtimit të hebrenjve, pasi familje të shumta shqiptare i strehuan dhe i fshehën ata në shtëpitë e tyre, duke i mbrojtur nga përndjekja naziste. Në deklaratën e tij, rabini Yossi Fridman e lidh vendosjen në Shqipëri me traditën e besës dhe mikpritjen shqiptare ndaj hebrenjve.
“Koncepti shqiptar i besës do të thotë që ti e mban premtimin ndaj mysafirit tënd pavarësisht kostos. Gjatë Holokaustit, ata e mbajtën atë premtim ndaj popullit hebre. Ne kemi ardhur për të ndërtuar një shtëpi ku çdo hebre që hyn në derë trajtohet si familje, ashtu siç e trajtoi Shqipëria popullin tonë kur kishte më shumë rëndësi”, është shprehur ai.
Një nga arsyet që ka nxitur këtë nismë është edhe rritja e turizmit në Shqipëri, përfshirë numrin e vizitorëve izraelitë. Sipas organizatorëve, kjo ka shtuar nevojën për shërbime fetare dhe komunitare, si ushqim kosher, një sinagogë dhe ambiente ku udhëtarët hebrenj mund të qëndrojnë dhe të festojnë Shabatin. Familja Fridman synon të bashkëpunojë me komunitetin ekzistues hebre për të zhvilluar më tej jetën fetare në vend, duke ofruar njëkohësisht shërbime për vizitorët që kërkojnë një hapësirë për lutje, një vakt Shabati apo kontakt me komunitetin hebre gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri./Dosja.al