Anija e njohur amerikane SS United States, e cila dikur mbante rekordin si anija më e shpejtë në botë dhe ishte më e gjatë se Titaniku, ka përfunduar në fund të detit pas një operacioni të planifikuar në brigjet e Floridës. Ajo do të shndërrohet në shkëmbin artificial më të madh në botë, duke shërbyer si strehë për jetën detare dhe si një destinacion i ri për turistët që praktikojnë zhytjen.
Pas afro tri dekadash e ankoruar në Philadelphia, anija u largua nga porti dhe nisi rrugëtimin drejt Floridës, duke kaluar fillimisht në Alabama, ku iu nënshtrua pastrimit dhe përgatitjeve të nevojshme për fundosjen. Operacioni u krye në mënyrë të kontrolluar, pa përdorimin e eksplozivëve, pranë brigjeve të Destinit.
Pavarësisht përpjekjeve të shumta për ta ruajtur si monument historik, projekti për ta kthyer në muze apo hotel lundrues nuk arriti të realizohej. Pas disa vitesh pasigurie dhe mosmarrëveshjesh mbi pronësinë, autoritetet lokale të Floridës vendosën ta blinin anijen dhe ta përdornin për krijimin e një shkëmbi artificial.
SS United States nisi udhëtimet transatlantike në vitin 1952 dhe qëndroi në shërbim deri në vitin 1969. Gjatë kësaj periudhe, ajo transportoi disa prej personaliteteve më të njohura të politikës, artit dhe kulturës ndërkombëtare.
Në mesin e pasagjerëve të saj ishin ish-presidentët amerikanë Harry Truman, Duight Eisenhouer dhe John F. Kennedy, si dhe Bill Clinton, i cili udhëtoi me të përpara se të merrte postin e presidentit. Në bord kanë qenë gjithashtu aktori Marlon Brando, stilistja Coco Chanel, muzikanti Duke Ellington, artisti Salvador Dalí, Ualt Disney, Judy Garland dhe Cary Grant.
Për vite me radhë, organizata SS United States Conservancy luftoi për shpëtimin e anijes dhe ruajtjen e saj si pjesë të trashëgimisë historike amerikane. Megjithatë, përpjekjet për ta mbajtur mbi ujë nuk dhanë rezultat.
Presidentja e organizatës, Susan Gibbs, gjyshi i së cilës kishte marrë pjesë në projektimin e anijes, u shpreh se është e kënaqur që historia e saj do të vazhdojë të përcillet edhe në të ardhmen. Ajo e përshkroi SS United States si një simbol amerikan që ka bashkuar njerëz të shumtë ndër breza.
Përveç krijimit të shkëmbit artificial nënujor, autoritetet kanë parashikuar edhe ngritjen e një muzeu në tokë, ku vizitorët do të kenë mundësi të njihen me historinë, udhëtimet dhe rëndësinë e kësaj anijeje ikonike. bw