Esmeralda Hasani është emri i propozuar nga Kryeministri dhe i dekretuar nga Presidenti Bajram Begaj në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), duke zëvendësuar Vlora Hysenin, e cila u largua nga detyra pas zhvillimeve në kuadër të hetimeve të SPAK-ut.
Por kush është drejtuesja e re e institucionit më të rëndësishëm të inteligjencës në vend?
Hasani ka një profil profesional të lidhur kryesisht me drejtësinë, akademinë, administratën publike dhe menaxhimin e projekteve europiane.
Ajo ka studiuar të drejtën ndërkombëtare në Universitetin e Milanos dhe ka ndjekur studime pasuniversitare në fushën e planifikimit dhe menaxhimit të projekteve europiane në Bruksel. Profili i saj akademik përfshin gjithashtu studime doktorale, ndërsa është angazhuar si pedagoge e së drejtës europiane.
Në aspektin profesional, Hasani ka mbajtur disa pozicione në institucione dhe organizata të ndryshme. Gjatë periudhës 2015-2019 ka drejtuar Institutin për Kërkim dhe Zhvillim Barleti, ndërsa në vitet 2017-2018 ka ushtruar detyrën e këshilltares dhe shefes së kabinetit pranë Ministrit të Shtetit për Diasporën.
Në vitin 2018 është përfshirë gjithashtu në strukturat drejtuese të Agjencisë Kombëtare të Diasporës, si përfaqësuese e ministrit.
Ajo është prezantuar edhe si konsulente e lartë pranë Kryeministrisë, me angazhime në planifikimin e projekteve dhe sigurimin e financimeve.
Hasani rezulton bashkautore e një studimi të publikuar në vitin 2023, që trajton kuadrin ligjor dhe institucional të Shqipërisë kundër ekstremizmit të dhunshëm në hapësirën kibernetike.
Ndërkohë më parë në SHISH, ku ka mbajtur pozicionin e shefes së Departamentit Mbështetës gjatë drejtimit të institucionit nga Vlora Hyseni. Panorama