Më 11 nëntor 1990, u nda nga jeta poeti i madh grek, Janis Ricos (Giannis Ritsos).
I
Këto pemë nuk rehatohen me më pak qiell,
këta gurë nuk rehatohen të qëndrojnë
nën hapa të huaj,
këto fytyra nuk rehatohen veçse
nën diell,
këto zemra nuk rehatohen veçse me drejtësinë.
Ky peizazh është i ashpër si heshtja,
shtrëngon në gjoks gurët e tij të përvëluar,
shtrëngon në dritë ullinjtë e tij jetimë
dhe vreshtat e tij,
shtrëngon dhëmbët.
Nuk ka ujë.
Vetëm dritë.
Rruga humbet në dritë dhe hija
e murit është prej hekuri.
U ngurtësuan pemët, lumenjtë
dhe zërat brenda gëlqeres së diellit.
Rrënja pengohet te mermeri.
Shkurret e pluhurosura.
Mushka dhe shkëmbi gulçojnë.
Nuk ka ujë.
Të gjithë kanë etje.
Prej vitesh.
Të gjithë përtypin një kafshatë qielli
mbi hidhërimin e tyre.
Sytë u janë skuqur nga pagjumësia,
një brazdë e thellë, e ngulitur
mes vetullave të tyre,
si një selvi mes dy maleve
në perëndim të diellit.
Dora e tyre është ngjitur pas pushkës,
pushka është vazhdim i dorës së tyre,
dora e tyre është vazhdim i shpirtit të tyre –
në buzë mbajnë zemërimin
dhe dhimbjen e kanë thellë në sy,
si një yll në një gropë kripe.
Kur shtrëngojnë duart, dielli është i sigurt
për botën.
Kur buzëqeshin, një dallëndyshe e vogël fluturon
nga mjekrat e tyre të egra.
Kur flenë, dymbëdhjetë yje bien
nga xhepat e tyre të zbrazët.
Kur vriten, jeta vazhdon
të ngjitet përpjetë,
me flamuj dhe me daulle.
Prej kaq vitesh të gjithë janë të uritur, të gjithë kanë etje,
të gjithë vriten,
të rrethuar nga toka dhe nga deti.
Përvëlimi ua dogji arat dhe kripa ua lagu shtëpitë,
era ua rrëzoi dyert dhe të paktat jargavane të sheshit.
Nëpër vrimat e palltove të tyre hyn e del vdekja.
Gjuha u është e athët
si kokrra e selvive.
Qentë e tyre ngordhën, të mbështjellë në hijen e tyre.
Shiu u bie mbi kocka.
Mbi karakollet e vrojtimit, të ngurosur, tymosin
bajgën dhe natën,
duke vëzhguar detin e tërbuar,
ku u fundos
direku i thyer i hënës.