Një histori që ndërthur tradhtinë bashkëshortore, spiunazhin ndërkombëtar dhe sekretet e industrisë së teknologjisë ka vënë në qendër të vëmendjes Jensen Huang, drejtuesin e Nvidia-s, gjigantit amerikan të inteligjencës artificiale. Dyshimet lidhen me Alice Huang, një ish-ekzekutive e kompanisë Megaspeed, e cila dyshohet se mund të ketë pasur lidhje me shërbimet kineze të inteligjencës. Sipas raportimeve në mediat amerikane, marrëdhënia e saj me drejtuesin e Nvidia-s ka ngritur shqetësime për një të mundshme përpjekje për të siguruar informacione të ndjeshme përmes joshjes.
Bëhet fjalë për një metodë të njohur në botën e spiunazhit si “honeypot”, ku persona të përdorur nga shërbimet sekrete krijojnë marrëdhënie personale ose intime me individë me ndikim, me synimin për të siguruar informacione konfidenciale.
Sipas raportimeve, Alice Huang ka punuar më parë në median shtetërore kineze dhe në vitin 2023 iu bashkua kompanisë Megaspeed, me seli në Singapor. Ajo u regjistrua si drejtoreshë e kësaj kompanie për një periudhë disa mujore.
Njohja me Jensen Huang dyshohet se ka nisur në mars të vitit 2024, gjatë një aktiviteti të Nvidia-s në Kaliforni. Më pas, të dy janë takuar edhe në Taipei, ndërsa fotografi të publikuara nga mediat kanë nxitur interes për marrëdhënien e tyre.
Sipas Wall Street Journal, autoritetet në Singapor dhe Tajvan kanë shqyrtuar lidhjet e Alice Huang dhe aktivitetin e kompanisë Megaspeed, ndërsa disa zyrtarë kanë ngritur dyshime për kontakte të mundshme me inteligjencën kineze. Megjithatë, Ministria e Punëve të Brendshme e Singaporit ka mohuar se autoritetet e vendit e kanë hetuar atë për lidhje të dyshuara me Kinën.
Vetë Jensen Huang ka pranuar se ka qenë i pabesë ndaj bashkëshortes, duke shprehur keqardhje për pasojat që veprimet e tij kanë pasur mbi familjen. Megjithatë, nuk ka prova publike që vërtetojnë se ai ka bashkëpunuar me ndonjë shërbim të huaj apo se ka përcjellë sekrete teknologjike. Ndërkohë, bordi drejtues i Nvidia-s ka njoftuar nisjen e një hetimi të pavarur për raportimet se drejtuesi i kompanisë mund të ketë qenë objektiv i një operacioni të inteligjencës së huaj.
Çështja merr një rëndësi të veçantë për shkak të pozicionit strategjik të Nvidia-s në garën globale për inteligjencën artificiale. Kompania prodhon procesorë që konsiderohen thelbësorë për zhvillimin e kësaj teknologjie, ndërsa konkurrenca mes SHBA-së dhe Kinës për dominimin e sektorit është gjithnjë e më e fortë.
Për momentin, mbetet e paqartë nëse marrëdhënia personale e Huang ishte pjesë e një operacioni të mirëfilltë spiunazhi apo nëse dyshimet do të mbështeten nga prova konkrete. Por rasti ka mjaftuar për të ngritur pikëpyetje mbi sigurinë dhe ekspozimin ndaj ndikimit të huaj të një prej kompanive më të rëndësishme të teknologjisë në botë. bw