ALBERT HITOALIAJ
Një dëshmi arkivore britanike e 1913-s mbi qëndrimin e Foreign Office-it dhe mbi marrëveshjen e Fuqive të Mëdha për përkatësinë kombëtare shqiptare dhe territoriale të Korçës
Përcaktimi i kufijve të shtetit shqiptar në vitin 1913 ishte një ndër çështjet më të ndërlikuara të diplomacisë europiane pas Luftërave Ballkanike. Krahas interesave strategjikë të Fuqive të Mëdha dhe pretendimeve territoriale të shteteve fqinje, një vend të rëndësishëm në diskutimet diplomatike zinin përbërja etnike e popullsisë dhe përkatësia historike e territoreve të diskutueshme. Në këtë kontekst, çështja e Korçës, ashtu si e shumë viseve të tjera shqiptare, përbënte një pikë të rëndësishme të mosmarrëveshjeve shqiptaro-greke. Greqia nuk tërhiqej nga synimet e saj përvetësuese të territoreve shqiptare (me gjithë popullsinë shqiptare brenda tyre); njëlloj si sllavët për synimet në veri. Një grup prej katër dokumentesh të shkurtra, të Ministrisë së Jashtme britanike (Foreign Office), të hartuara ndërmjet 23 dhe 27 tetorit 1913 dhe të ruajtura në Arkivin Kombëtar Britanik (The National Archives), ofron dëshmi të drejtpërdrejta mbi qëndrimin e diplomacisë britanike ndaj përkatësisë etnike dhe territoriale të Korçës. Dokumentet përfshijnë korrespondencën ndërmjet sekretarit privat të mbretit britanik George V, Sir Lord Stamfordham-it; sekretarit privat të ministrit të Jashtëm Edëard Grey, Sir Ëilliam Tyrrell-it, dhe diplomatit Charles Hubert Montgomery, i cili përcillte qëndrimin e ministrit të Jashtëm britanik, Sir Edward Grey.
Rëndësia e veçantë e këtyre dokumenteve qëndron në faktin se ato nuk kufizohen në një deklarim të përgjithshëm diplomatik, por përmbajnë një vlerësim të shprehur qartë mbi karakterin etnik të Korçës. Në përgjigjen zyrtare të 27 tetorit 1913, të përgatitur në emër të Sir Edëard Grey-t, thuhet se Korça është me popullsi shqiptare dhe jo greke. Ky pohim paraqitet si përfundim i mbështetur në informacionet që Foreign Office kishte marrë nga persona me përvojë të gjatë dhe njohuri të thella etnologjike për vendin. Në të njëjtën letër theksohet se Austro-Hungaria dhe Italia kundërshtonin kalimin e Korçës te Greqia dhe se përfshirja e saj në Shqipëri ishte pjesë e marrëveshjes ndërmjet Fuqive të Mëdha.
Dokumentet përbëjnë kështu një dëshmi të rëndësishme për rindërtimin e qëndrimit britanik në procesin e përcaktimit të kufirit juglindor të Shqipërisë. Ato tregojnë se, në tetor 1913, diplomacia britanike e trajtonte përkatësinë shqiptare të Korçës si një përfundim të mbështetur në informacionet etnografike që dispononte, ndërsa përfshirjen e qytetit në shtetin shqiptar si pjesë të zgjidhjes diplomatike të arritur ndërmjet Fuqive.
PËRMBAJTJA E DOKUMENTEVE: NJË LETËR QË KËRKONTE PËRGJIGJE…
Korrespondenca fillon me letrën e 23 tetorit 1913, nëpërmjet së cilës Lord Stamfordham, sekretari privat i mbretit George V, i përcillte Sir William Tyrrell-it një letër të kolonelit A. M. Murray, ish-oficer i Artilerisë Mbretërore Britanike dhe vëlla i Sir George Murray-t. Nga dokumenti i mëpasshëm rezulton se koloneli Murray kërkonte që Korça t’i jepej Greqisë dhe jo Shqipërisë. Për këtë qëllim, ai kishte përdorur kanale të nivelit të lartë institucional, duke iu drejtuar Oborrit Mbretëror. Megjithatë, në letrën përcjellëse, Lord Stamfordham sqaronte se mbreti nuk mendonte se çështja ishte e tillë që të mundësonte ndërhyrjen e tij.
Kërkesa iu përcoll prej tij, Foreign Office-it, ku u shqyrtua në kuadër të qëndrimit të diplomacisë britanike ndaj kufijve shqiptarë. Dokumenti i tretë, një shënim i brendshëm i datës 23 tetor 1913, përmban udhëzimet për hartimin e përgjigjes. Në të përcaktohet se koloneli Murray duhej konsideruar i keqinformuar, pasi informacionet e mbledhura nga burime me përvojë dhe njohuri etnologjike e paraqisnin Korçën si shqiptare. Në këtë shënim përmendet edhe diplomati, baroni Robert Vansittart, të cilit i ishte paraqitur çështja dhe që kishte sugjeruar formulimin e përgjigjes. Prania e emrit të tij tregon se qëndrimi nuk ishte thjesht një përgjigje rutinë administrative, por ishte shqyrtuar edhe nga një funksionar tjetër i Foreign Office-it.
Në dokumentin e shkruar me dorë shfaqen gjithashtu inicialet «H. M.», të shoqëruara me datën 24 tetor 1913. Identifikimi i tyre me (Charles) Hubert Montgomery-n është i besueshëm në kontekstin e korrespondencës, dhe sipas referencës së dosjes arkivore që ia atribuon atij letrën. Por, për të qenë i sakë, ky mbetet një interpretim paleografik që kërkon krahasim me dokumente të tjera të shkruara prej tij. Korrespondenca përmbyllet me letrën e 27 tetorit 1913, të dërguar nga Charles Hubert Montgomery drejtuar Lord Stamfordham-it. Në këtë dokument përcillet qëndrimi i Sir Edward Grey-t, i cili falënderonte për dërgimin e letrës së kolonelit Murray dhe sqaronte se një kërkesë e ngjashme ishte marrë më parë nëpërmjet Sir George Murrayt. Pra, siç shihet, përgjigjja përmban dy elemente themelore: pohimin e përkatësisë shqiptare të Korçës dhe konfirmimin se, sipas marrëveshjes ndërmjet Fuqive, ajo duhej t’i kalonte Shqipërisë, ndërsa Janina Greqisë.
VLERA HISTORIKE DHE DIPLOMATIKE E KËSAJ KORRESPODENCE
Vlera kryesore e këtij grupi dokumentesh qëndron në dallimin ndërmjet pretendimit territorial dhe vlerësimit etnografik. Koloneli Murray kërkonte përfshirjen e Korçës në Greqi. Foreign Office, përkundrazi, e kundërshtonte këtë pretendim duke iu referuar informacioneve të mbledhura nga persona që njihnin vendin dhe përbërjen e tij etnike. Formulimi Korça është shqiptare është veçanërisht domethënës, sepse përbën një pohim të drejtpërdrejtë të përkatësisë shqiptare të qytetit, të shprehur në një dokument zyrtar të diplomacisë elitare britanike. Ai nuk paraqitet si opinion personal i Montgomery-t, por si qëndrim që përcillet në emër të ministrit të Jashtëm, Sir Edward Grey, bazuar te informacione ekspertësh.
Rëndësia e kësaj dëshmie shtohet nga fakti se Britania e Madhe ishte një nga gjashtë Fuqitë e Mëdha pjesëmarrëse në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, konferencë e cila, jo vetëm që nuk u tregua e drejtë me shqiptarët, por pranoi se po sakrifikohej Shqipëria për hir të paqes e të interesave të Fuqive të Mëdha. Qëndrimi i shprehur në dokument pasqyron, për rrjedhojë, pikëpamjen e një diplomacie që merrte pjesë drejtpërdrejt në vendimmarrjen ndërkombëtare për kufijtë e Shqipërisë. Një element tjetër me rëndësi është pohimi se Austria dhe Italia nuk do të pranonin kalimin e Korçës te Greqia. Kjo dëshmon se çështja e përkatësisë territoriale të qytetit nuk ishte vetëm objekt i diskutimeve etnografike, por edhe i marrëdhënieve dhe ekuilibrave ndërmjet Fuqive të Mëdha. Përfshirja e Korçës në Shqipëri paraqitet shprehimisht edhe si pjesë e marrëveshjes ndërmjet tyre. Kjo është një dëshmi e rëndësishme e gjendjes së negociatave diplomatike në fund të tetorit 1913, megjithëse nuk duhet ngatërruar me vendosjen e menjëhershme të administrimit shqiptar në territor.
CILËT ISHIN PERSONAT E PËRFSHIRË NË KORRESPONDENCË
Le të bëjmë (për ata lexues që mund të mos i njohin) një paraqitje të emrave të cilët ishin pjesë e korrespodencës, pasi ata janë emra nga më të njohurit e diplomacisë britanike dhe asaj europiane.
Sir Edward Grey (1862–1933) ishte ministër i Jashtëm i Britanisë së Madhe gjatë viteve 1905–1916 dhe një nga figurat kryesore të diplomacisë europiane në periudhën përpara Luftës së Parë Botërore. Ai drejtoi Konferencën e Ambasadorëve në Londër, ku u trajtua edhe Çështja Shqiptare. Në dokumentet e tetorit 1913, qëndrimi mbi përkatësinë shqiptare të Korçës përcillet shprehimisht në emër të tij. Kjo i jep deklaratës peshë të veçantë institucionale.
Lord Stamfordham (Arthur John Bigge, 1849–1931) ishte sekretari privat i mbretit George V. Ai shërbente si ndërmjetës ndërmjet monarkut dhe institucioneve qeveritare. Në korrespondencën e shqyrtuar, Stamfordham-i përcolli kërkesën e kolonelit Murray, duke sqaruar se mbreti nuk parashikonte mundësinë e ndërhyrjes së tij. Roli i Stamfordham-it dëshmon qartë se pretendimi për Korçën kishte arritur deri në Oborrin Mbretëror Britanik.
Sir William Tyrrell (1866–1947) ishte diplomat britanik dhe sekretar privat i Sir Edëard Grey-t. Pozicioni i tij e vendoste në qendër të komunikimeve ndërmjet ministrit të Jashtëm dhe funksionarëve të tjerë diplomatikë. Ai ishte marrësi i letrës së Stamfordham-it dhe një nga hallkat kryesore të shqyrtimit të kërkesës së Murray-t.
Charles Hubert Montgomery (1876–1942) ishte diplomat dhe funksionar i Foreign Office-it, i lidhur me veprimtarinë e sekretariatit privat të ministrit të Jashtëm. Ai ishte autori i përgjigjes së 27 tetorit 1913 drejtuar Lord Stamfordham-it. Në këtë letër, Montgomery nuk shprehte një qëndrim të pavarur personal, por përcillte vlerësimin e Sir Edward Grey-t. Identifikimi i tij në përshkrimin arkivor si «(Charles) Hubert Montgomery» ndihmon edhe për interpretimin e mundshëm të inicialeve «H. M.» në dokumentet përgatitore.
Robert Vansittart (1881–1957) ishte diplomat britanik, i cili më vonë do të bëhej një nga funksionarët më të rëndësishëm të Foreign Office-it. Përmendja e tij në shënimin e brendshëm të 23 tetorit 1913 tregon se përgjigjja ishte konsultuar me të. Megjithatë, dokumenti dëshmon vetëm se Vansittart sugjeroi përgjigjen e propozuar; nuk provon se ai ishte autori i vlerësimit etnografik mbi Korçën.
Koloneli A. M. Murray ishte ish-oficer i Artilerisë Mbretërore Britanike dhe autori i kërkesës që Korça t’i kalonte Greqisë. Dokumentet e këtushme nuk japin hollësi të mjaftueshme për të përcaktuar motivet e tij, burimet e informacionit apo lidhjet që mund të kishte me qarqe politike greke.
Megjithatë ai është një emër i njohur për luftën që bënte në mbrojtje të idesë se epirotët janë grekë dhe përpjekjeve për të ashtuquajturin “Epiri i Veriut”. Murray, qëndroi muaj të tërë në jug të Shqipërisë. Botoi artikuj, dha edhe leksione duke mbrojtur tezat greke për shkëputjen e viseve shqiptare të jugut. Një rrëfim i gjatë i qëndrimit të tij filogrek e në mbështetje të aspiratave gllabëruese greke, përfshihet në këtë libër:
Murray, A. M. 1919. “Northern Epirus in 1913.” Ligjëratë e mbajtur në Morley Hall, më 7 janar 1913. Shtojcë në The Question of Northern Epirus at the Peace Conference, nga Nicholas J. Cassavetes dhe Carroll Neidé Broën. Neë York: Oxford University Press, American Branch, për Pan-Epirotic Union of America, Boston.
Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri (rrëfen në ligjëratë), si dëshmitar okular ai tregonte se myslimanë e të krishterë donin me doemos të ishin nën qeverisjen greke sepse ndiheshin mirë dhe ishin grekë të vërtetë. Vrasjet, burgosjet apo keqtrajtimet e popullsisë shqiptare të Jugut, nga ushtria greke, sipas tij ishin sajesa fantastike (Murray 1919, f. 136). Ai dëshmon se situata në Shqipëri ishte shumë e mirë: “Gjatë udhëtimit tim, u përpoqa të pyesja popullsinë myslimane të Epirit nëse kishin ndonjë ankesë ndaj autoriteteve greke, por dëgjova vetëm një. Një fshatar nga fshati Koshovicë tregoi se i kishte humbur një qen, për të cilin ishte i sigurt se ia kishte vjedhur një ushtar grek, por nuk kishte asnjë provë për të mbështetur akuzën e tij” (Murray, po aty). Kolonel A. M. Murrey, ashtu si të gjithë politikanët grekë të atyre viteve, mbështeste idenë se epirotët, pavarësisht se kishin gjuhë amtare shqipen, flisnin greqisht dhe kësisoj ndiheshin grekë: “Dhe, duke qenë se të gjithë e dinë se çfarë gjuhe flasin epirotët, – një dialekt shqiptar në shtëpi dhe gjuhën greke jashtë saj, – pyetjet e Komisionerëve [të ndarjes së kufijve] ishin të kota dhe nuk patën asnjë ndikim vendimtar, në njërin apo tjetrin drejtim, lidhur me kombësinë e njerëzve” (Murray 1919, f. 138). Mjaftojnë këto dy “argumentime” për të parë qartësisht se sa objektiv ishte ky kolonel britanik, i cili deklaronte se Gjirokastra, Saranda, Këlcyra, Përmeti, Leskoviku, Kolonja etj., e të gjitha fshatrat përreth tyre “kishin një dëshirë të fortë të bashkoheshin me Greqinë” (Murray 1919, f. 143).
Sir George Murray, vëllai i kolonelit A. M. Murray, dhe një tjetër person që përmendet në këtë korrespodencë, kishte përcjellë më parë një kërkesë të ngjashme te Sir Edëard Grey. Përfshirja e tij tregon se pretendimi i kolonelit Murray ishte paraqitur në Foreign Office nëpërmjet më shumë se një kanali komunikimi, gjë që tregon një përpjekje të tyre në favor të interesave greke.
Vijo…
/Gazeta Panorama