Sot, ndërsa Kosova proteston dhe kërkon drejtësi për një grua të vrarë, duhet të pyesim veten jo vetëm kush është fajtor, por edhe çfarë shoqërie kemi ndërtuar për gratë tona. Dhuna nuk fillon gjithmonë me goditjen e parë; ajo ushqehet edhe nga heshtja, paragjykimet dhe bindja se gruaja duhet të durojë për të ruajtur familjen.
——
Pikërisht sot dua të ndaj këtë shkrim, si një kujtesë se asnjë grua nuk duhet të mbetet pa mbështetje, pa dinjitet dhe pa një derë të hapur.
Baba, dashuria e parë e vajzës
Kur një baba i jep vajzës së tij çelësin e shtëpisë
Sot më doli në Facebook një video nga një ceremoni martesore.
Një çast i bukur, por mbi të gjitha një çast që të dridhte shpirtin.
Babai iu drejtua dhëndrit me këto fjalë:
“Mos harro, Brajan: unë e kam dashur para teje. Ndaj ajo do të jetë gjithmonë e mirëpritur, nëse një ditë do të dojë të kthehet.”
Një fjali rrënqethëse.
E fortë sa shkëmbi dhe e lartë sa qielli.
Një betim i vjetër sa vetë dashuria.
Kjo është një nga ato dashuri dinjitoze që vetëm një baba di t’ia shprehë vajzës së tij:
pa zhurmë, pa dramë, por me një madhështi që i jep gruas siguri për gjithë jetën.
Një burrë një ditë mund të ndalojë së dashuruari.
Jeta mund të ndryshojë.
Rrethanat mund të thyhen.
Por të dish se gjithmonë ekziston një derë ku mund të trokasësh, një adresë ku nuk je e huaj, një strehë ku nuk të gjykojnë është një nga bekimet më të mëdha që mund të marrë një vajzë nga prindërit e saj.
Ah…
Sa shumë vajza ecin sot kokë ulur në jetë, me një frikë të padukshme në kraharor, me një heshtje që u thotë:
“Duro… sepse nuk ke ku të shkosh.”
Mungesa e kësaj fjale nuk është vetëm mungesë dashurie.
Është liri e prangosur mbi kokën e saj.
Një vajzë që nuk ka një derë ku të kthehet, mëson të jetojë me frikën si normë, të durojë e të heshtë edhe atëherë kur duhet të bërtasë.
Dhe kështu, pa e kuptuar, ajo nuk humb vetëm sigurinë humb vetveten.
Nuk është vetëm dhuna që e mban një grua peng.
Është mungesa e një vendi ku ajo ndihet e pranuar pa kushte.
Sa shumë vajza kanë nevojë ta dëgjojnë këtë fjali.
Sepse ajo nuk ishte thjesht një fjali.
Ishte shpirti i një babai që po i thoshte dhëndrit:
kjo është dora që nuk lëshohet kurrë, dhe asnjë derë e mbyllur në botë nuk do të jetë fundi i saj.
Ky është çelësi i një lirie të dhënë që në fillim të jetës.
Sa shumë siguri i jep shpirtit një ndjenjë e tillë.
Sa e bukur duket një vajzë kur ecën në rrugën e jetës me guxim, me vetëdije dhe me dinjitet.
Ndonjëherë edhe një fjali e vetme bën më shumë se një jetë e tërë këshillash.
Ajo thyen prangat në shpirtin e një vajze.
Rrëzon mitet që mbahen me shekuj e paragjykime.
Ndalon grushtet e dhunës para se të bëhen plagë.
I jep të drejtën të largohet, të mos nënshtrohet, të mos trembet, të zgjedhë veten para së gjithash.
Të shpëtohet.
Nga një baba që i thotë vajzës së vet, pa frikë nga bota:
“Ti gjithmonë ke një vend ku të kthehesh.”
Dhe dashuria e vërtetë nuk të mban peng.
Ajo të jep rrugë.
Dhe gjithmonë… një kthim.
Një vajzë nuk ka nevojë për shumë gjëra për të qenë e lumtur.
I mjafton ta dijë se nuk është kurrë vetëm.
Se diku në këtë botë ekziston një shtëpi që e pret gjithmonë derë hapur.
Faleminderit, Baba im.
Çelësin nuk ma dhe vetëm për të hapur një derë.
Ma dhe që të mos humbja kurrë rrugën për në shtëpi.
—-
Nga libri: Aty ku rri Shqipja