-Mbesë, mos fishkëlle. Mos fishkëlle se nuk të rritet gjoksi.
-Noke nënoke, po ç’e dua unë gjoksin e madh?
-Eh, se do ti, por e duan …
-Kush e do, o noke nënoke?
-E duan çunat.
-Po unë çunat i kam më të vegjël se
vetja. Ndonjë sa vetja. Ata më kanë mua si motër.
-Motër për lodër edhe ca, o mbesë. Shpejt ata rriten çdo mëngjes.
-Ooo, noke nënoke. Sa të fshehta paska?
-Si përhera, mbesa ime, si përhera. Sa
zgjon sytë në mëngjes ti je tjetër.
-Tjetër ?
-Po, ti je tjetër nga shtati.
-Nga shtati ?
-Shtati a nuk të duket ty ndonjëherë tjetër. A e ndjen?
-Ua, moj noke? Më bëre të skuqem. E ndjej, e ndjej.
U bëra pesëmbëdhjetë vjeçe.
-Mbesë, pesëmbëdhjetë sa je ti janë
lastar ende për një vogëlushe.
-Po ti, nënoke Nurie sa ishe kur…
-Tek të tetëmbëdhjetat, mbesa ime. U bëra nuse në vogëli.
-Nokja ime, unë jam e vogëlth, ende e vogëlth.
-Ti je si zogu terzi akoma.
-Zogu i zi ? Ç’është ky zog?
-Zogu terzi, jo i zi.
-Edhe zog edhe … Unë di se zogjtë janë të bardhë, të verdhë, të…por asnjëherë të zinj.
-Ti qëndis bukur, mbesa ime. Si zogu terzi.
-Ç’është ky zog? S’e kam dëgjuar ndonjëherë, o nana.
-Zogu terzi nuk jeton këtu. Jeton shumë e shumë larg. E njeh bota.
-Po ne pse nuk e njohim? Pse nuk e sjellim këtu këtë zog nga larg?
-Secili zog jeton në vendin e vet. Dikush do diell. Dikush cicëron edhe në borë.
-Edhe në borë këndojnë zogjtë?
-Po, ka zogj që këndojnë edhe në borë, në shpella, edhe në…Ç’të të them, o mbesë.
-E ke parë ti, nana zogun terzi?
-Zogu terzi jeton shumë e shumë larg. Është zog qëndistar.
-Qëndiskan edhe zogjtë ? Si qëndisin ata?
-Me gjilpërë e pe si ty, moj mbesë.
-O nana, po më çudit.
-Zogu terzi këput gjethet e pemëve dhe…
-Këput gjethet?…Po pse i këput ?. Nuk i vjen keq për gjethet. Edhe ato marrin frymë.
-Nga ia dëgjon frymën gjetheve ti, moj mbesë.?
-Dje mbasdite dola tek parku. Lexova tek trungu i dy -tri pemëve tabela të shkruara ” Mbani qetësi! Këtu cicërojnë zogjtë.!”
-Po ti më the moj mbesë se marrin frymë gjethet?
-Noke nënoke, gjethet kur fëshfërijnë a nuk marrin frymë?
-Gjithçka merr frymë në natyrë. Lart e poshtë.
-Edhe gjyshi merr frymë atje poshtë?
-Gjyshi ka ndërruar jetë. U bënë ca mote. Atje poshtë merr pak frymë edhe gjyshi.
-Ooo, s’qenka keq, gjyshi edhe i padukshëm edhe merrka frymë.
-Gjyshi yt ka jetuar me zogun terzi. Shumë e shumë larg nga këtu.
-Po, a nuk jetonit bashkë ju, o noke?
-Bashkë jetuam pesëdhjetë vite. Gjyshi yt u kthye këtu ku ne jetojmë sot. Unë sapo mbarova gjimnazin e Tiranës. U martuam shpejt. Lindëm tri vajza. Njëra është mamaja jote. Nga ajo linde ti.
-Po terziu, zogu terzi flinte me ju? Me ty dhe gjyshin? Po mami ime ku flinte ?
-O mbesë, moj e mira mbesë. Gjyshi yt nuk e solli zogun këtu. Mua m’i rrëfeu të gjitha këto për zogun kur erdhi nga larg. Nga andej solli ca erëza që ta kënaqnin hundën.Gjyshi yt jetoi shumë larg kaptuar.
-Si kaptuar?
-Tutje e tutje maleve e deteve. Në tjetër botë jetoi.
-Pse ka shumë botë bota, moj noke?
-Bota është një, bota e Zotit. Vendet janë shumë, vendet e njeriut.
-Po pse jetoi kaq larg gjyshi? Nuk e merrte malli për ty, moj nënoke?
-Ne njiheshin, por akoma …
-O nana, sa larg…
-E mori fati dhe e çoi tej. Gjer në Azi. Herë misionar, herë tregtar.
-Noke nënoke, kush e çoi aq larg gjyshin?
-Fati dhe Zoti ahere. Edhe poshtë e çoi Zoti dhe fati.
-O nënokja ime, sa mirë që flemë në një dhomë bashkë.
-Atje ku jetoi gjyshi yt, vetëm atje rritet zogu terzi. Ky zog këput tre katër gjethe të njoma dhe…
-Mua s’më vjen mirë që i këput gjethet. Edhe gjethet kanë lotë e qajnë.
-Nuk kanë lotë gjethet moj bijë. Janë pikat e shiut që bien nga gjethet, moj mbesë.
-Jo, noke nënoke, jo. Po kur s’bie shi? Gjethet prapë qajnë.
-Janë rrezet e ty të duken si lotë.
Ja, i këputi, ç’bën me gjethet ky terziu?
-Me sqep çpon vrrimthka rreth e rreth gjetheve. Pastaj merr fije bari, fije nga merimangat e s’mbaj mend, ç’më thoshte tjetër Aliu im.
-Ja i mori, po pastaj, o nana ç’bën?
-I kalon fijet në vrimthkat e gjetheve. I qep gjethet.
-Ua, u qepkan gjethet pa gjilpërë e fill.?
-Sqepi i zogut është gjilpërë e shkuar gjilpërës, mbesa ime. Gjethet qepen bashkë.
-Po gjethet bashkë ishin tek pema. Zogu pse i këputi? Tani i bën bashkë. U pendua?
-Bën folenë e tij me gjethet. Si pëllëmbë i afron ato. Si pëllëmbë që nuk mbyllen. Shtron aty bar të njomë dhe fshihet.
-Ah, sa mirë, o nana, flenë edhe gjethet me zogun. Ah, sa mirë!
-Mbesë moj, zog je dhe ti. Qëndis.
-O nana, nënokja ime, por edhe ne vend i ngrohtë jemi.
-Jo aq sa për zogun.
-T’i themi zogut të vij njëherë këndej nga ne.
-Çdo zog fluturon e fle kudo. Po erdhi këtu atëhere nuk është zog, por mërgintar.
-Si gjyshi nana kur iku tutje.
-Zogun terzi s’e zë gjumi këtu. Nuk fluturon dot gjer këtu.
-Ta sjellim me kafaz, o nana. Pastaj e nxjerrim nga kafazi. Të rrijë me mua në dhomën time. Dhe me Ogin, papagallin tim.
-Do fluturoj pak. Si i çalë, moj mbesë.
-E mbaj unë ngrohtë, e mbështjell me shallin tim. Flemë bashkë.
-Mbyllur i mbahet fryma. Do përplaset sa andej – këndej nëpër mure e dritare.
-Dal bashkë me zogun në kopsht.
-Do ketë ftohtë edhe në diell.
-Nana, unë e mbarova qëndismën.
-Dritë shpirti, të kam moj mbesollkë!
-O nënoke, po sikur ta fluturoj nga dritarja këtë qëndismë?
-Do t’i dalin krahët, moj mbesë. Do ngjitet lart e më lart.
-Ah, sikur ta kap me sqep ndonjë zog !
-Zogjtë qëndisin vet, moj mbesë. Por e duan edhe çdo qëndismë tjetër.
-Sikur jemi në përrallë, o gjyshe.
-Ne hyjmë e dalim nga përrallat çdo ditë, ëngjëlli im. Natën edhe përrallat flenë si ne.
-Po tani është mëngjes, o nana. Akoma flenë përrallat ?
-Përrallat kanë dal herët në rrugë.
-Ecin dhe ato?
-Njerëzit ecin me përrallat e tyre përkrah. Me ato të vërtetat, që asnjëherë nuk janë përralla, por duken si trille.
-O nana, o nana ime. Unë po dal tani. Më lejo, të lutem të fishkëllej…