(Kujtojmë. se sot, më 24 tetor 1963,
Akademia Suedeze shpalli
dhënien e Çmimit Nobel për Letërsi për poetin grek Jorgo SEFERIS)
.
Gjumi të mbështolli si një pemë,
me gjethe të gjelbra,
frymoje si një pemë,
në dritën e qetë,
në burimin e tejdukshëm
vështrova fytyrën tënde,
qepalla të mbyllura
dhe qerpikët vizatonin mbi ujë.
Gishtat e mi, në barin e butë,
gjetën gishtat e tu.
Ta mbajta pulsin për një çast
dhe diku tjetër ndjeva
dhimbjen e zemrës sate.
Poshtë rrepeve,
pranë ujit, mes dafinave,
gjumi
të zhvendoste dhe të copëtonte
rreth e, pranë meje,
pa mundur
të të prekja të gjithën,
të bashkuar me heshtjen tënde,
duke parë hijen tënde
të zmadhohej e të zvogëlohej,
të humbiste mes hijeve të tjera,
brenda botës tjetër
që të linte të lirë e të mbante.
Jetën që na dhanë për ta jetuar,
e jetuam.
Ki mëshirë për ata që presin
me kaq durim,
të humbur mes dafinave të zeza,
nën rrepet e rëndë,
dhe për ata që flasin të vetmuar
në hone e puse,
dhe mbyten
brenda rrathëve të zërit të tyre.
Ki mëshirë për shokun që ndau
me ne privimin dhe djersën,
dhe u zhyt brenda diellit
si një korb, përtej mermerëve,
pa shpresë për të gëzuar shpërblimin tonë.
Na jep, jashtë gjumit,
qetësinë.