Studentët e Fakultetit të Ekonomisë, Mjekësisë, Shkencave të Natyrës dhe Universitetit Politeknik kanë braktisur mësimin dhe i janë bashkuar protestës para Ministrisë së Arsimit në Tiranë.
Të rinjtë kanë marshuar në këmbë në rrugët e kryeqytetit, duke iu bashkuar studentëve të fakulteteve të tjera në një protestë që pritet të jetë masive.
Auditorët janë boshatisur, ndërsa studentët kanë zgjedhur të dalin në rrugë për të kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre. Tubimi po merr përmasa më të mëdha, me studentë nga disa institucione të arsimit të lartë që po bashkohen në një kauzë të përbashkët, për kushte më të mira universitare, përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e cilësisë së arsimit, por edhe ndryshime politike ku kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Protesta e sotme vjen pas tensioneve të një dite më parë, kur para Ministrisë së Arsimit dhe në rrugët e Tiranës u shënuan përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Pritet që gjatë ditës së sotme numri i studentëve në protestë të rritet, ndërsa vëmendja është përqendruar te zhvillimet para Ministrisë së Arsimit dhe reagimi i autoriteteve ndaj kërkesave të tyre. gsh