Dymbëdhjetë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas përplasjes mes policisë dhe protestuesve, të hënën mbrëma në Prishtinë. Drejtori i Emergjencës, Naser Syla ka të ditur se prej të lënduarve një është zyrtar policor ndërsa 11 të tjerë janë protestues. Syla ka bërë të ditur gjithashtu se gjendja e tyre është stabël dhe pas trajtimit janë lëshuar në shtëpi. Nga të lënduarit, tre janë trajtuar prej plagëve prerëse.
“Deri tani në Qendrën Emergjente, ndihmë mjekësore kanë kërkuar 12 persona, prej tyre një polic. Të gjithë kanë marë trajtimin e duhur dhe gjendja e tyre është stabile. Pas trajtimit të ofruar të gjithë janë lëshuar në shtëpi. Tetë prej të lënduarve janë trajtuar dhe nga ekipa e Klinikës së Oftalmologjisë për shkak të veprimit të lotsjellësit, kurse tre të tjerë plagë prerëse”, ka thënë në një përgjigje për KOHËN, Syla.
Në orët e mbrëmjes të së hënës, është përshkallëzuar situata në Prishtinë pas protestës para Kuvendit të Kosovës në të cilën protestuesit kanë kërkuar që Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të kalojë edhe në lexim të dytë.
Në rrugën “Agim Ramadani” në kryeqytet, Njësia Speciale ka dalë me autoblindë dhe me “top” me ujë me synim shpërndarjen e protestuesve. Situatë e tensionuar ka mbretëruar edhe në hapësirat përreth Kuvendit të Kosovës, ku sërish është hedhur gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve.
Paraprakisht në rrugën “Agim Ramadani” janë djegur edhe kontejnerë dhe është hedhur gaz lotsjellës, derisa protestuesit kanë hedhur mjete piroteknike në drejtim të zyrtarëve policorë dhe institucionit të Kuvendit të Kosovës.
Çlirim Haziri, një nga organizatorët e protestës ka thënë se ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i sulmoi para grave e fëmijëve dhe iku.
“Ai Xhelali që sot rri ulur në kolltukun që u ngrit mbi gjakun e dëshmorëve, sot na ra, na gjuajti para fëmijëve tanë, para grave tona, para nënave tona e iku me bisht nën shalë. Ashtu siç është si qyqar. Po vazhdojnë të na gjuajnë, e ne do të vazhdojmë të rezistojmë, s’do të ndalemi”, ka thënë Haziri para protestuesve.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka thënë se përkundër kërkesave e thirrjeve të vazhdueshme që u ka bërë protestuesve që të respektohet ligji e të protestohet në mënyrë të qetë, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin gaz lotsjellës për të mundësuar daljen e deputetëve nga Kuvendi i Kosovës dhe për ta vënë situatën nën kontroll. Policia ka thënë se janë shkaktuar dëme materiale, por nuk raportohet për ndonjë lëndim serioz të personave.
“Edhe përkundër kërkesave e thirrjeve të vazhdueshme nga Policia, për respektim të ligjit, për protestim në mënyrë të qetë, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin mjetet e ligjshme policore, gazin lotsjellës, për të mundësuar daljen e personaliteteve nga Kuvendi dhe për të vënë situatën nën kontroll. Si pasojë e hedhjes së gjësendeve të ndryshme, mjeteve piroteknike, fishekzjarrëve, ndezjes së disa kontejnerëve të mbeturinave e zjarreve në rrugë nga protestuesit, janë shkaktuar dëme materiale, por fatmirësisht deri më tani nuk raportohet për ndonjë lëndim serioz të personave. Policia e Kosovës, e rithekson se e njeh të drejtën e qytetarëve për protestim dhe shprehje të pakënaqësive në mënyrë të qetë dhe demokratike dhe vazhdon të apelojë te të gjithë pjesëmarrësit të protestojnë të qetë, të mos e dëmtojnë pronën publike dhe të respektojnë ligjet. Përderisa protesta vazhdon, zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, siguria e qytetarëve dhe objekteve shtetërore si dhe mbarëvajtja e protestës vazhdojnë të jenë prioritet i Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës, raporton Koha.net.
Policia e Kosovës ka publikuar edhe një komunikatë me të dhënat e fundit nga protesta që përshkallëzoi në Prishtinë. Siç thuhet në njoftim, gjashtë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime dhe kanë pranuar tretman mjekësorë si dhe 11 protestues kanë kërkuar ndihmë mjekësore po ashtu.
Siç thuhet tutje në njoftim, Policia e Kosovës ka intervenuar me gaz lotsjellës, përfshirë topin e ujit për të shpërndarë protestuesit me qëllim që të parandalohet eskalimi i mëtejmë i situatës.
Gjatë ditës, protestuesit kanë ndërmarrë veprime të dhunshme edhe ndaj disa deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, përkatësisht Farush Rexhepit e Sami Kurteshit. Po ashtu është penguar zyrtari i Qeverisë, Besnik Bislimi, ndërsa dhunë fizike është përdorur ndaj gazetarit Jeton Sopa.
Partia Demokratike e Kosovës nuk ka reaguar ndaj sjelljes së protestuesve ndaj deputetëve dhe sulmit ndaj Kuvendit, por ka dënuar siç kanë thënë dhunën e policisë ndaj protestuesve. PDK-ja ka kërkuar nga organet shtetërore “ndaljen e çdo veprimi joproporcional që po cenon rëndë të drejtën e qytetarëve për protestë”. BW