Aktivistja serbe për të drejtat e njeriut Natasha Kandiq në emër të tri organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Serbi, HLC, HLCK dhe RECOM, pas vendimit të Dhomave të Specializuara për ish-krerët e UÇK-së, shkroi se ‘qendrat e ndalimit ekzistuan’, edhe pse elita në Kosovë e ka ngulitur narrativën e UÇK-së si lufte për liri kundër forcave serbe.
“Elitat politike të Kosovës kanë ngulitur narrativën e luftës heroike të UÇK-së për liri kundër forcave serbe si pothuajse i vetmi interpretim i pranueshëm i luftës. Kjo narrativë nuk mund t’i ndryshojë faktet e përcaktuara në aktgjykim: vendet e ndalimit ekzistonin, njerëzit keqtrajtoheshin aty dhe shumë prej tyre u vranë ose u zhdukën” – thuhet në reagimin e organizatave.
Në reagim theksohet se etiketimi i dikujt si “bashkëpunëtor” nuk mund të zëvendësojë provat, procesin e rregullt ligjor dhe përcaktimin e përgjegjësisë individuale, dhe as nuk mund të justifikojë rrëmbimin, torturën, zhdukjen ose vrasjen.
Në të njëjtën kohë, në reagim theksohet se pakënaqësia në Kosovë lidhur me mungesën pothuajse të plotë të ndjekjeve penale ndaj oficerëve të lartë të Ushtrisë së Jugosllavisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë para gjykatave serbe është e justifikuar.
Sipas të dhënave të mbledhura nga Qendra Humanitare për të Drejtën dhe Qendra Humanitare për të Drejtën në Kosovë, forcat serbe vranë 6,872 civilë shqiptarë në Kosovë ndërmjet 20 marsit dhe 14 qershorit 1999.
“Njëzet e shtatë vjet më vonë, asnjë komandant i lartë i Forcave Jugosllave ose MPB të Serbisë nuk është ndjekur penalisht në Serbi për operacionet gjatë të cilave u vranë mijëra civilë, pavarësisht mijëra fakteve të vërtetuara në aktgjykimet e Tribunalit të Hagës lidhur me veprimet e njësive të Ushtrisë së Jugosllavisë dhe MPB-së dhe lidhjet e tyre me strukturat komanduese të drejtuara nga gjeneralë të cilët përfundimisht u dënuan”.
Në reagim më tej theksohet se një mosveprim i tillë institucional tregon se Serbia vazhdon të mbajë anën e personave të dënuar dhe të mbrojë oficerët e Ushtrisë jugosllave dhe të MPB-së së Serbisë të lidhur me strukturat përgjegjëse për krimet më të rënda ndaj shqiptarëve të Kosovës, në vend që të qëndrojë në anën e viktimave dhe të ndjekë përgjegjësinë penale individuale.
“Por viktimat e krimeve për të cilat, sipas aktgjykimit të gjykimit, mbajnë përgjegjësi ish-krerët e UÇK-së nuk ishin vetëm serbë dhe romë, e as vetëm kundërshtarë politikë të UÇK-së. Ato përfshinin shqiptarë të Kosovës, anëtarë të LDK-së, persona pa përkatësi politike, si dhe anëtarë dhe përkrahës të UÇK-së. Për ta duhet të flitet me emrat e tyre dhe përmes dokumenteve e provave – jo përmes etiketave të vendosura mbi ta për të justifikuar ndëshkimin e tyre”. Kallxo.com