Aktivisti Ilir Xhemalaj thotë se protesta kundër qeverisë do të vazhdojë, ndërsa diaspora do të jetë e pranishme deri në datën 17 shtator.
I ftuar në News24, ai tha se duhet të gjenden forma të reja përshkallëzimi, duke përfshirë bllokimin e rrugëve apo edhe rrethimin e kryeministrisë.
“Sot përsëri kemi diasporën, ata kanë menduar skenarët e tyre, por qëllimi është i njëjti, të rrimë para kryeministrisë, të bllokojmë rrugët, të rrethojmë kryeministrinë. Pra duhet të gjejmë forma të reja përshkallëzimi përkundrejt kësaj qeverie”, tha Xhemalaj.
Sipas tij, institucionet e drejtësisë duhet të reagojnë dhe të vendosin para përgjegjësisë zyrtarë e korruptuar, pasi provat janë sheshit.
“Ditët e fundit kemi dëgjuar për korrupsionin që ndodh në qeveri. Ajo që ne nuk kuptojmë është pse nuk po veprohet, sepse provat janë sheshit. SPAK duhet ti çojë para përgjegjësisë këta persona që kryejnë këto korrupsione”, tha ai, duke shtuar më tej se “KAYO është një lemeri farë, është një vjedhje e hapur e taksave të shqiptarëve”.