Analiza historike e vendimeve të udheqjes së Operacioneve Speciale Britanike (SOE) në Shqipëri dhe Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore tregon se si interesat ushtarake afatshkurtra dhe dinamikat e brendshme të zbulimit britanik ndikuan mbi fatin politik të rajonit.
Gjatë viteve 1940–1944, politika britanike ndaj rezistencës në Shqipëri u udhëhoq nga udhëzimi i Winston Churchill-it për SOE: “Vini flakën Evropës”.
Objektivi kryesor i Kabinetit të Luftës në Londër nuk ishte ndërtimi i sistemit politik të pasluftës, por goditja e menjëhershme e linjave të furnizimit të Boshtit me kosto sa më të lartë për Gjermaninë dhe Italinë. Në terren, kjo strategji krijoi një përplasje të thellë midis dy forcave kryesore.
Ushtria Nacional-Çlirimtare (UNÇ/LNÇ) e udhëhequr nga Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, (nën tutelën jugosllave) tregoi gatishmërinë për të sulmuar forcat e Boshtit, pavarësisht hakmarrjeve të rënda gjermane mbi popullsinë civile.
Nacionalistët (Balli Kombëtar, Legaliteti dhe bajraktarët e veriut), grupe kryesisht pro-perëndimore, ndoqën një strategji për ruajtjen e popullsisë nga hakmarrja gjermane. (Lufta e Zherkës nuk u transmetua asnjëherë në Londër) Synimi i tyre ishte mbështetja e një zbarkimi të mundshëm amerikan në Adriatik.
Meqenëse komanda britanike në Kajro dhe më vonë në Bari (ku thuhet se u manipuluan të dhënat) matën mbështetjen kryesisht me numrin e sulmeve dhe sabotimeve, pjesa më e madhe e armatimit, pajisjeve dhe floririt britanik u dërgua drejt partizanëve komunistë.
Hulumtimet e bazuara në arkiva (veçanërisht ato nga Roderick Bailey) tregojnë se kjo zgjedhje u diktua nga vlerësimi ushtarak i momentit dhe përparësitë e strategjisë aleate, jo thjesht nga ndikime ideologjike.
Kujtimet dhe raportet e oficerëve ndërlidhës britanikë (BLO) – si David Smiley (Albanian Assignment), Peter Kemp (No Colours or Crest) dhe Julian Amery (Sons of the Eagle) – tregojnë se komunistët e përdorën ndihmën ushtarake britanike për të zhvilluar një luftë civile paralele kundër rivalëve të tyre.
Lëvizja Kryeziu dhe Ali Brahimi në Tropojë e Gjakovë është shembulli klasik. Në Malësinë e Gjakovës, vëllezërit Kryeziu dhe Ali Brahimi organizuan një rezistencë pro-perëndimore, antinaziste dhe antikomuniste. Ata shpëtuan pilotë aleatë të rrëzuar dhe luftuan kundër trupave gjermane. Megjithatë, me zhvendosjen e politikës britanike drejt partizanëve, ndihma për Kryezinjtë mbeti e kufizuar, duke i lënë ata të ekspozuar ndaj sulmeve të brigadave të Mehmet Shehut dhe ushtrisë jugosllave.
Përtej pragmatizmit ushtarak, vendimet e SOE u diskutuan edhe në kontekstin e elementëve të majtë brenda aparateve britanike. James Klugmann, anëtar i Partisë Komuniste të Britanisë së Madhe dhe i lidhur me rrjetin e spiunazhit sovjetik në Cambridge, shërbeu si zyrtar inteligjence në seksionin e SOE për Ballkanin (kryesisht për Jugosllavinë) në Kajro.
Ai ndikoi tek raportet që favorizuan Titon. Vendimet kyçe u morën në nivele më të larta, bazuar në vlerësimin e situatës ushtarake.
Pas luftës, Kim Philby (kreu i spiunazhit sovjetik në MI6) dha informacione që dëmtuan Operacionin Valuable (1949–1953/56), operacionin anglo-amerikan për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri. Roli i tij është i dokumentuar, por studimet e reja theksojnë se dështimi i operacionit pati edhe shkaqe të tjera. Ndër to edhe probleme të ekzekutimit të misionit dhe depërtimi i agjetëve Hoxhës.
Gjatë periudhës 1941–1944, Kosova iu bashkua Shqipërisë nën sundimin e Boshtit, duke krijuar një kompleksitet të madh gjeopolitik. Shumica e shqiptarëve të Kosovës e shihnin bashkimin si mbrojtje nga ri-pushtimi serb dhe ngurronin të luftonin kundër gjermanëve, pasi kjo mund të lehtësonte rikthimin e sundimit jugosllav, çka edhe ndodhi pas luftës.
Britania e Madhe nuk i njohu ndryshimet e kufijve të kryera nga fuqitë e Boshtit. Kur Londra vendosi të mbështeste përfundimisht Josip Broz Titon në Jugosllavi, misionet e SOE-së morën udhëzim të mos bënin asnjë premtim për vetëvendosjen e Kosovës.
Nacionalistët që kërkonin një Kosovë demokratike dhe pro-perëndimore mbetën pa mbështetje ndërkombëtare përballë ri-pushtimit nga forcat e Titos dhe brigadat e LNÇ-së.
Strategjia pragmatike e Britanisë e arriti synimin ushtarak afatshkurtër, dëmtimin e trupave gjermane në Ballkan por me një kosto politike të rëndë, çka çoi në konsolidimin e një regjimi diktatorial 45-vjeçar në Shqipëri dhe lënien e Kosovës nën sundimin jugosllav.
Ky rezultat ishte produkt i realpolitikës së luftës në përgjithësi, ku përparësia ishte fitorja mbi Boshtin, jo forma e qeverisjes pasluftës.
Burimet kryesore
Bailey, R. (2004). The Special Operations Executive (SOE) and British policy towards wartime resistance in Albania and Kosovo, 1940–44. PhD Thesis, University of Edinburgh.
Bailey, R. (2008). The Wildest Province: SOE in the Land of the Eagle. Jonathan Cape.
Smiley, D. (1984). Albanian Assignment.
Kemp, P. (1958). No Colours or Crest.
Amery, J. (1948). Sons of the Eagle.
Operacioni Valuable (Long et al.).