Emergjenca e shkaktuar nga hiri vullkanik i Etnës vijon të rëndojë ndjeshëm trafikun ajror në Siçili, duke sjellë anulime, devijime dhe vonesa të shumta për mijëra udhëtarë.
Sipas SAC, kompanisë që menaxhon aeroportet e Katanias dhe Comisos, operacionet në Aeroportin Ndërkombëtar Vincenzo Bellini janë pezulluar deri në orën 18:00. Kjo shënon ditën e katërt radhazi të kaosit të shkaktuar nga hiri i Etnës, në një periudhë kur ishulli është në kulmin e sezonit turistik.
Sipas të dhënave të raportuara nga Corriere della Sera, situata ka prekur planet e më shumë se 100 mijë udhëtarëve. Në Aeroportin e Katanias janë anuluar të paktën 388 fluturime nisjeje, rreth 55% e totalit të planifikuar, ndërsa 212 fluturime të tjera nuk kanë mundur të ulen.
Një pjesë e fluturimeve është devijuar drejt aeroporteve të tjera të Siçilisë. Për shumë turistë, kjo ka nënkuptuar udhëtime më të gjata dhe nevojën për të vijuar rrugën drejt destinacionit me makinë, taksi ose autobus.
Problemi, megjithatë, nuk lidhet vetëm me vonesat dhe anulimet. Hiri vullkanik përbën një rrezik serioz për sigurinë e aviacionit. Grimcat e imëta mund të ulin dukshmërinë dhe të dëmtojnë sipërfaqet e avionëve, motorët dhe sisteme të ndryshme teknike në bord, duke e bërë të pasigurt operimin e fluturimeve në zonat e prekura.
Ndërsa aktiviteti i Etnës vazhdon, situata mbetet e paqartë për mijëra udhëtarë që presin të dinë nëse fluturimet e tyre do të realizohen apo do të anulohen. gsh