Me qëllim që publiku shqiptar të ketë një përfytyrim të saktë për rëndësinë e Presidentit të Republikës së Kosovës, VOAL po sjell Kapitullin V të Kushtetutës së Republikës së Kosovës që përcakton statusin, detyrat dhe kompetencat e Presidentit të Republikës së Kosovës:
Kapitulli V Presidenti i Republikës së Kosovës
Neni 83 [Statusi i Presidentit]
Presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikë së Kosovës.
Neni 84 [Kompetencat e Presidentit]
Presidenti i Republikës së Kosovës:
(1) përfaqëson Republikën e Kosovës brenda dhe jashtë;
(2) garanton funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me këtë
Kushtetutë;
(3) shpall zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës dhe thërret mbledhjen e parë te tij;
(4) nxjerr dekrete në pajtim me këtë Kushtetutë;
(5) shpall ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës;
(6) ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara, nëse konsideron se janë
të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një a më shumë
komuniteteve të saj. Të drejtën e rikthimit të një ligji mund ta shfrytëzojë vetëm një
herë;
(7) nënshkruan marrëveshjet ndërkombëtare në pajtim me këtë Kushtetutë;
(8) propozon amendamente për këtë Kushtetutë;
(9) mund të referojë çështje kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese;
(10) udhëheq politikën e jashtme të vendit;
(11) pranon letrat kredenciale të shefave të misioneve diplomatike të akredituar në
Republikën e Kosovës;
(12) është Komandant Suprem i Forcave të Sigurisë të Kosovës;
(13) udhëheq Këshillin Konsultativ për Komunitete;
(14) cakton mandatarin për formimin e Qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të
koalicionit, që përbën shumicën e Kuvendit;
(15) emëron dhe shkarkon Kryetarin e Gjykatës Supreme të Kosovës me propozimin e
Këshillit Gjyqësor të Kosovës;
(16) emëron dhe shkarkon gjyqtarët e Republikës së Kosovës me propozimin e Këshillit
Gjyqësor të Kosovës;
(17) emëron dhe shkarkon Kryeprokurorin e Shtetit të Republikës së Kosovës, me
propozimin e Këshillit Prokuroial të Kosovës;
(18) emëron dhe shkarkon prokurorët e Republikës së Kosovës, me propozimin të
Këshillit Prokurorial të Kosovës;
(19) emëron gjyqtarët për Gjykatën Kushtetuese, me propozimin e Kuvendit;
(20) emëron Komandantin e Forcave të Sigurisë të Kosovës, pas rekomandimit të
Kryeministrit;
(21) së bashku me Kryeministrin, emëron Drejtorin, Zëvendësdrejtorin dhe Inspektorin e
Përgjithshëm të Agjencisë së Kosovës për Intelegjencë;
(22) vendos për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, në konsultim me Kryeministrin;
(23) mund të kërkojë mbledhje të Këshillit të Sigurisë të Kosovës dhe i kryeson ato në
kohën e Gjendjes së Jashtëzakonshme;
(24) vendos për formimin e misioneve diplomatike e konsullare të Republikës së Kosovës,
në bazë të konsultimit me Kryeministrin;
(25) emëron dhe shkarkon shefat e misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës, me
propozimin e Qeverisë;
(26) emëron Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve;
(27) emëron Guvernatorin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës i cili shërben
edhe si Drejtor Menaxhues dhe emëron anëtarët e tjerë të Bordit të Bankës;
(28) jep medalje, mirënjohje dhe çmime, në pajtim me ligjin;
(29) shpall falje individuale, në pajtim me ligjin;
(30) sё paku një herë në vit i drejtohet Kuvendit të Kosovës përkitazi me
fushëveprimtarinë e tij/saj.
Neni 85 [Kualifikimi për Zgjedhjen e Presidentit]
President i Republikës së Kosovës mund të zgjedhet çdo shtetas i Republikës së Kosovës, i cili e
ka mbushur moshën tridhjetë e pesë (35) vjeçare.
Neni 86 [Zgjedhja e Presidentit]
1. Presidenti i Republikës së Kosovës zgjedhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë.
2. Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30)
ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.
3. Secili shtetas i Republikës së Kosovës mund të nominohet si kandidatë për President të
Republikës së Kosovës, nëse ajo/ai siguron nënshkrimet e të paktën tridhjetë (30) deputetëve
të Kuvendit të Kosovës. Deputetët e Kuvendit mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidatë
për President të Republikës së Kosovës.
4. Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
5. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para,
organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të
votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve,
zgjedhet President i Republikës së Kosovës.
6. Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës,
shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e
pesë (45) ditësh.
Neni 87 [Mandati dhe Betimi]
1. Presidenti i Republikës së Kosovës fillon mandatin pasi të ketë dhënë betimin para Kuvendit
të Kosovës. Teksti i betimit rregullohet me ligjin.
2. Mandati i Presidentit është pesë (5) vjet.
3. Pas përfundimit të mandatit të parë, Presidenti mund të rizgjedhet vetëm edhe një herë.
Neni 88 [Papajtueshmëria]
1. Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion tjetër publik.
2. Pas zgjedhjes, Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion në parti politike.
Neni 89 [Imuniteti]
Presidenti i Republikës së Kosovës gëzon imunitet nga ndjekja penale, paditë civile ose
shkarkimi për veprimet dhe vendimet brenda fushëveprimit të përgjegjësive të Presidentit të
Republikës së Kosovës.
Neni 90 [Mungesa e Përkohshme e Presidentit]
1. Në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës përkohësisht nuk është i aftë për të përmbushur
përgjegjësitë e tij/saj, ajo/ai mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij/saj, Kryetarit
të Kuvendit, i cili do të jetë ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës. Urdhri
i Presidentit për kalimin e përgjegjësive duhet të përmbajë veçanërisht arsyet dhe
kohëzgjatjen e kalimit të përgjegjësive, nëse ka njohuri për to. Presidenti i Republikës së
Kosovës do të rifillojë ushtrimin e përgjegjësive kur të jetë në gjendje t’i ushtrojë
përgjegjësitë, dhe kështu Kryetarit të Kuvendit i pushon posti i ushtruesit të detyrës së
Presidentit.
2. Në rast se nuk ka ndodhur kalimi vullnetar i përgjegjësive, Kuvendi i Republikës së Kosovës,
pas konsultimit me konsiliumin mjekësor, me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë
deputetëve vendos nëse Presidenti i Republikës së Kosovës është përkohësisht i paaftë për të
ushtruar përgjegjësitë e veta. Kryetari i Kuvendit të Kosovës do të shërbejë si ushtrues i
detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës derisa ajo/ai të bëhet i aftë që të rifillojë
ushtrimin e përgjegjësive të Presidentit.
3. Posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, nuk mund të ushtrohet
për një periudhë më të gjatë se gjashtë (6) muaj.
Neni 91 [Shkarkimi i Presidentit]
1. Presidenti i Republikës së Kosovës mund të shkarkohet nga Kuvendi nëse ai/ajo është dënuar
për kryerjen e krimit të rëndë ose nëse ajo/ai nuk është i/e aftë për të ushtruar përgjegjësitë e
këtij posti për shkak të sëmundjes së rëndë ose nëse Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se
ajo/ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës.
2. Procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Kosovës mund të iniciohet nga një e
treta (1/3) e deputetëve të Kuvendit, të cilët nënshkruajnë një peticion, i cili shpjegon arsyet
për shkarkim. Në rast se peticioni supozon sëmundjen e rëndë, Kuvendi do të kërkojë
mendimin e konsiliumit mjekësor për gjendjen shëndetësore të Presidentit. Në rast se
peticioni supozon ndonjë shkelje të rëndë të Kushtetutës, peticioni duhet t’i dorëzohet
menjëherë Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosë për këtë çështje brenda shtatë (7) ditësh nga
marrja e peticionit.
3. Nëse Presidenti i Republikës së Kosovës është dënuar për ndonjë krim të rëndë ose kur nëse
Kuvendi, në pajtim me këtë nen, konstaton që Presidenti nuk është i aftë të ushtrojë
përgjegjësitë e tij/saj për shkak të sëmundjes së rëndë ose nëse Gjykata Kushtetuese
konstaton se ajo/ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës, Kuvendi mund të shkarkojë
Presidentin me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të tij.