Protesta popullore nuk do të ndalet as gjatë muajit gusht, pavarësisht temperaturave të larta, kurse në shtator do të zbatohet një strategji e re me kërkesa të njëjta, ku numrat do të rriten së tepërmi dhe kryeministri Edi Rama nuk do ketë pushime të qeta.
Kështu u shpreh aktivisti Erjon Murataj sot në studion e televizionit News24, duke komentuar aktualitetin politik, protestën qytetare, reformën territoriale dhe çështje të tjera që prekin Shqipërinë.
“Kemi parë zbutje të gjuhës së Ramës si pasojë e protestave. Kuvendi një nga instrumentet e nismës së protestës popullore. Protesta qytetare e ka vrarë frikën. Është një detyrim që ia kemi brezave dhe qytetarëve tanë. Protesta është detyrë e çdo qytetari që kërkon një Shqipëri ndryshe”, tha ai mes të tjerash.
Duke komentuar strategjinë e protestës gjatë muajit gusht dhe shtator, Murataj nënvizoi se bërthama e revoltës ka mbetur në shesh pavarësisht vapës, kurse në shtator do të ketë lëvizje më të mëdha.
“Unë mendoj se organizimi tani ka nisur edhe për muajin shtator, i grupuar apo jo, por secili po punon për diçka më të madhe në shtator. Organizimi i protestës do ndryshojë, por kërkesa do mbetet e njëjtë. Nuk do të thotë se nuk do vijojë edhe në gusht, por kufizohet edhe për shkak të temperaturave të larta, por dallohet qartë se ka vendosmëri të qartë dhe numrat do jenë në rritje. Protesta ka faktuar se e ruan bërthamën e saj dhe thirrja mbetet e njëjtë”, vijoi ai.
Murataj paralajmëroi se kryeministri nuk do të ketë pushime të qeta verore, teksa denoncoi edhe planin e kreut të mazhorancës për të kapur reformën territoriale, bashkitë dhe deri te Prokurori i Përgjithshëm.
“E kam thënë dhe e them se Rama nuk është i qetë dhe nuk do ketë pushime të qeta. Ende nuk është bërë lajm, por Rama po fut duart edhe te Prokurori i Përgjithshëm dhe kjo rezonon me frikën e madhe që ai ka për shtatorin. Reforma Territoriale i përgjigjet nevojës ë Ramës për të administruar politikisht territorin dhe jo për shtetbërje. Kryebashkiakët që nuk dalin në protestat për reformën territoriale janë servila të kryeministrit Rama dhe lëpirës të tij. Financat do përqendrohen në qytetet e mëdha dhe ky është problem, kryebashkiaku i Elbasanit nuk mund të kujdeset për nevojat e banorëve të Shalës. Po kështu edhe në Belsh dhe zona të tjera. Jo vetëm Bashkitë nuk duhet të shkrihen, por duhet të rikthehen edhe Komunat”, tha Murataj.
Në fund Murataj falënderoi edhe televizionin “News24” si të vetmen “dritare shprese” për protestën dhe qytetarët shqiptarë, që pasqyron me realitet atë që po ndodh, por edhe hallet e qytetarëve.