Një fytyrë e ëmbël, sy të thellë, kaçurrelat e shpurpurisura mbi ballë… Si të gjithë fëmijët e tjerë, edhe ai ëndërronte një botë të bukur, plot dritë,
buzëqeshje e mirësi… Një fëmijë çapkën që kaq shumë mbresa la kudo…
Por kur u rrit dhe u bë djalosh, kuptoi se jeta nuk ishte vetëm dritë. Pa se ekzistonin e drejta dhe e padrejta, mirësia dhe e keqja, shpresa dhe dhimbja. Dhe kur ndjeu se padrejtësia po binte mbi gjakun e tij, kur dhuna e masakrat, sulmet e përbindshme, po derdheshin mbi shqiptarë të tjerë… nuk zgjodhi të heshtte. Zgjodhi të luftonte.
Shkoi në luftë dhe atje ra dëshmor.
Fëmija ishte Skerdilajd Llagami.
Në fund të vitit 1998 rrugëtoi drejt Kukësit e më tej Kosovës, në rradhët e UÇK-së, pas çlirimit drejt Luginës, e më pas, në vitin 2001, drejt Maqedonisë. Kudo luftoi, sepse donte lirinë për popullin e tij! Atje u vra, në një situatë që ende kërkon përgjigje.
Djali nga Tirana ia dha shpirtin lirisë. LAVDI për Komandant “Shpendin” dhe të gjithë dëshmorët e lirisë!
