Konfirmimi nga Senati amerikan i Gjeneralit në pension Eric Wendt si ambasador në Shqipëri nuk është një emërim i zakontë. Zoti Wendt ka shërbyer më shumë se tre dekada në ushtrinë amerikane, ka komanduar të gjitha Forcat e Operacioneve Speciale të NATO-s në Evropë (përfshirë njësitë shqiptare) dhe më vonë shërbeu për dy vjet si koordinator i sigurisë për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez në Ambasadën amerikane në Jeruzalem. Ai ka një përvojë 30 vjeçare në fushën e sigurisë dhe inteligjencës, dhe nuk përbën thjeshtë një kalim klasik në Shërbimin e Jashtëm.
Ai mbërrin në Tiranë në një moment kur raportet nga Kongresi, vlerësimet e organeve të zbatimit të ligjit dhe vite të tëra raportesh mbi financat e paligjshme të lidhura me shtetin e kanë mprehur tashmë mënyrën se si Uashingtoni e sheh Shqipërinë.
Gjatë dëshmisë së tij për konfirmimin, zoti Wendt mbajti një qëndrim diplomatik konvencional duke theksuar bashkëpunimin me NATO-n, sigurinë kibernetike, diplomacinë ekonomike dhe luftën e vazhdueshme kundër krimit. Megjithatë, zgjedhja e një gjenerali me tre yje dhe me përvojë në operacione speciale sinjalizon se marrëdhëniet me Shqipërinë do të menaxhohen ndryshe nga pararendësit e tij.
Historia familjare e Kryeministrit Edi Rama është pjesë e përballjes së papërfunduar të Shqipërisë me të kaluarën e saj komuniste. Babai i tij, Kristaq Rama, bënte pjesë në Presidiumin e Kuvendit Popullor. Firma e tij figuron ndër ato që urdhëruan ekzekutimin në vitin 1988 të poetit disident Havzi Nela. Të afërmit e mbijetuar të Nelës i kanë kërkuar disa herë Edi Ramës që të njohë rolin e babait të tij. Ai nuk e ka bërë këtë.
Asnjë nga këto nuk e bën Ramën përgjegjës për veprimet e babait të tij. Megjithatë, kjo nënvizon se Partia Socialiste në qeveri, të cilën ai e drejton që nga viti 2005, nuk është shkëputur plotësisht nga kultura institucionale e regjimit të vjetër.
Kritikët pretendojnë se ky kontekst ndihmon për të shpjeguar gatishmërinë e qeverisë për ta shfrytëzuar konfrontimin si një mjet politik.
Në nëntor 2013, dy muaj pas nisjes së mandatit të parë të Ramës, Shtetet e Bashkuara i kërkuan Shqipërisë që të shkatërronte arsenalin e armëve kimike të Sirisë. Në Tiranë shpërthyen protesta,, hera e parë në historinë e Shqipërisë që demonstrohej para ambasadës amerikane. Rama e hodhi poshtë kërkesën, duke thënë se Shqipëria nuk e kishte kapacitetin e nevojshëm.
Refuzimi publik nga një aleat i NATO-s i një kërkese të drejtpërdrejtë amerikane, kaq herët në jetën e një qeverie të re, citohet ende nga analistët rajonalë si momenti kur mori formë strategjia politike e Ramës. Lejimin e rritjes së zemërimit publik, nënshtrimin përballë tij dhe pozicionimin e tij si menaxher të pazëvendësueshëm të rezultatit.
E njëjta kritikë, se qeveria ndonjëherë nxit konflikte që më vonë pretendon se i zgjidh, tani po aplikohet për dy mosmarrëveshje aktive, thonë kritikët.
E para është kërkesa e Serbisë për të hapur një konsullatë në Shkodër, ende në negociata e sipër. Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati (që ka shërbyer nën Ramën) ka paralajmëruar publikisht se ky hap do të ishte një gabim strategjik. Kjo do të krijonte një ekuivalencë diplomatike të rreme, argumenton ai, midis një popullsie serbe të papërfillshme në Shqipërinë e Veriut dhe pakicës shqiptare të njohur ndërkombëtarisht në Luginën e Preshevës në Serbi, një krahasim pa asnjë bazë demografike. Burimet lokale thonë se në Shkodër jetojnë rreth 50 serbë. E gjithë kjo ndërsa në Beograd ende vazhdojnë zërat për spastrim etnik të Kosovës.
Shkodra bart një peshë të veçantë si një qendër historike e katoliçizmit dhe qëndresës antikomuniste. Kritikët e shohin propozimin si të kalkuluar për të provokuar më shumë sesa nevojitet nga ana administrative. Nëse qeveria përfundimisht do ta miratojë atë, kjo do të zbulojë se sa peshë mban simbolizmi politik i brendshëm përballë pragmatizmit diplomatik.
E dyta është “Paketa e Maleve”, një program i zhvillimit rural i paraqitur si mbështetje për turizmin alpin. Raportimet investigative tregojnë se në praktikë kjo i ka mundësuar qeverisë qendrore rikualifikimin e pronave shekullore malore si tokë strategjike shtetërore, shpesh në zona ku regjistrat formalë të pronave historikisht kanë qenë të dobët dhe ku Kanuni ende ka forcë shoqërore.
Përplasjet e këtij lloji për pronat nuk janë diçka abstrakte dhe historikisht kanë nxitur vrasje dhe gjakmarrjen. Kritikët pretendojnë se qeveria po e nxit këtë rrezik duke u dhënë përparësi zhvilluesve me lidhje politike përkundrejt pronarëve të tokave ndër breza.
Korrupsioni i nivelit të lartë dhe drejtësia
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku u cilësua si e pandehur në një rast të manipulimit të tenderëve dhe projekte të tjera rrugore. Ajo u pezullua nga detyra dhe iu ndalua dalja nga vendi.
Kur Gjykata Kushtetuese e riktheu atë përkohësisht në detyrë, SPAK-u kërkoi autorizimin parlamentar për arrestimin e saj. Shumica socialiste nën Ramën deri më tani ka refuzuar t’i heqë imunitetin. Ajo mbetet nën hetime, përfshirë dyshimet për pastrim parash të lidhura me pasuri të paluajtshme në bregdet.
Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj u largua nga Shqipëria për të mos u përballur me ndjekjen penale mbi skandalin e prokurimit të inceneratorëve dhe po kërkon azil në Zvicër.
Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka u dënua dhe u burgos nën akuza për ryshfet nga e njëjta skemë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u arrestua në shkurt 2025. Kryetari i parë në detyrë i një bashkie shqiptare që arrestohet gjatë mandatit nën akuza përfshirë korrupsionin pasiv dhe pastrimin e parave. Ai ka kaluar më shumë se një vit në paraburgim.
Ka edhe ministra të tjerë të qeverive të Kryeministrit Rama që janë dënuar apo po hetohen, pa shkuar tek nivelet më të ulëta.
Në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, ish-drejtoresha Mirlinda Karçanaj u vendos nën arrest shtëpie mes një hetimi për manipulim prokurimesh që ka përfshirë gjithashtu ndërmjetësues.
Çështja e narko-shtetit
Raportet nga Uashingtoni dhe vlerësimet e organeve të zbatimit të ligjit në Evropë prej vitesh e kanë identifikuar Shqipërinë si një nyje të rëndësishme të tranzitit dhe pastrimit të parave të kokainës, ku ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme bregdetare janë përmendur vazhdimisht si mjete pastrimi.
Materialet nga platformat e komunikimit, përfshirë SKY ECC dhe EncroChat, sipas OCCRP-së dhe mediave të tjera, kanë implikuar zyrtarë policie dhe inteligjence në mbrojtjen e rrjeteve të trafikut. Këto janë pretendime serioze dhe të bazuara mirë në burime—por ato mbeten aludime dhe vlerësime, jo dënime me vendim gjykate.
Protestat në vitin 2025, që kërkonin arrestimin e Ballukut dhe dorëheqjen e qeverisë për korrupsion, morën pak ose aspak vëmendje ndërkombëtare. Po ashtu as ligji për investitorët strategjikë i miratuar me shumicë dërrmuese nga mazhoranca e Ramës, e as miratimi i ndërtimit të Aeroportit të Vlorës në një zonë të mbrojtur pranë Zvërnecit pa llogaritur resortet bregdetare..
Përkundrazi, kur projektet që përfshinin zona në Zvërnec dhe Sazan u lidhën me emrin e Jared Kushner-it, i cili ka mohuar të ketë plane për Zvërnecin, grupet mjedisore dolën në protesta dhe tërhoqën mbulim më të gjerë mediatik perëndimor.
SPAK-u ka treguar se mund të ngrejë akuza ndaj zyrtarëve të lartë, përfshirë një zëvendëskryeministre në detyrë dhe një kryetar bashkie në detyrë, në një sistem ku kjo deri vonë ishte e paimagjinueshme.
Megjithatë, Kryeministri Rama e ka mbrojtur Ballukun nga arrestimi duke refuzuar heqjen e imunitetit të saj parlamentar. Ai e ka kritikuar SPAK-un dhe ka deklaruar se agjencia nuk mund t’i kërkojë dorëzimin e telefonit të tij për hetim.
Por a mundet që SPAK-u ta çojë deri në fund detyrën e tij kur përballet me një shumicë parlamentare të gatshme të mbrojë aleatët? Pikërisht kjo është arsyeja se pse po protestojnë shqiptarët, për një korrupsion madhor që e ka varfëruar vendin dhe ka nxitur emigrimin e trurit dhe të rinjve, duke kërkuar dorëheqjen e panegociueshme të Ramës dhe qeverisë së tij.
Shqipëria po kërkon anëtarësimin në BE brenda vitit 2030. Si qeveria, ashtu edhe vëzhguesit e jashtëm citojnë rregullisht aktivitetin e SPAK-ut si provë se reformat në drejtësi të kërkuara nga Brukseli po funksionojnë, një argument për mbështetje të vazhdueshme institucionale në vend të trajtimit të Shqipërisë si një çështje e dështuar.
Bilanci i SPAK-ut gjatë dy viteve të fundit është real dhe i paprecedentë. Po ashtu është edhe gatishmëria e treguar e qeverisë për të mbrojtur njerëzit e vet kur një ndjekje penale arrin në zemër të pushtetit.
Argumenti më i fortë për angazhimin perëndimor nuk është se institucionet e Shqipërisë kanë dështuar, por se ato janë vërtet të kontestuara tani, pikërisht momenti në të cilin vëmendja e vazhdueshme perëndimore për ndryshime, në vend të partneritetit pa kritikë, ka më shumë gjasa të ketë rëndësi.
Prej më shumë se dy muajsh, protestuesit shqiptarë kanë kërkuar dorëheqjen e qeverisë së Ramës, formimin e një kabineti teknokrat deri në zgjedhjet e ardhshme për të hapur rrugën që SPAK-u të arrestojë Ballukun dhe të hetojë kryeministrin për përfshirje të mundshme në korrupsion.