Më 25 korrik 2026, anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan, Joe Wilson (Republikan nga Karolina e Jugut), bashkëkryetar i Komisionit të Helsinkit, kërkoi zhvendosjen e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së të vitit 2027 nga Beogradi në Çarlston (Charleston), Karolina e Jugut. Nisma e tij ka gjetur mbështetje dypartiake me 41 ligjvënës.
Përmes një postimi në rrjetin X, ligjvënësi Wilson shkruan: “Pse Serbia po lavdëron axhendën vrasëse të regjimit iranian kundër SHBA-së dhe po dënon vrasjen e udhëheqësit suprem terrorist Khamenei? OSCE-PA duhet të mbahet në Amerikë, jo në një vend që po mburret hapur për afërsinë e tij me Teheranin”.
Mbështetësit argumentuan se një organizatë e themeluar për të parandaluar konfliktin nuk duhet t’i japë legjitimitet institucional një qeverie, zyrtarët e së cilës kanë mbështetur spastrime etnike dhe terroristët iranianë.
Ky hap pasoi deklaratat e Ministres së Administratës Publike të Serbisë, Snežana Paunoviq, e cila deklaroi në televizion se po të kishte pasur pushtetin në dorë në vitin 1998, ajo “do ta kishte pastruar etnikisht Kosovën”.
Disa ditë më vonë, ajo sqaroi se kishte pasur parasysh nxitjen e shqiptarëve etnikë që nuk identifikoheshin me Serbinë që të largoheshin për në “atdheun e tyre”.
Kosova e shpalli atë persona non grata; Bashkimi Evropian i dënoi komentet si nxitëse.
Këto ngjarje janë pjesë e një modeli më të gjerë të ashpërsimit të gjuhës. Më 25 korrik 2026, në një ceremoni diplomimi të oficerëve të rinj të Forcave të Armatosura të Serbisë, Presidenti Vuçiq përsëriti pozicionin kushtetues të Serbisë: “Kosova është pjesë e atdheut tonë, pjesë e Serbisë, sipas Kushtetutës ashtu edhe sipas drejtësisë së Zotit,” dhe duhet të mbrohet.
Në këtë sfond, diplomacia e Presidentit Donald Trump, ka mbetur shumëdomethënëse. Presidenti Trump ka pohuar vazhdimisht se politika e tij e jashtme parandaloi rindezjen e një konflikti ushtarak në shkallë të gjerë mes Beogradit dhe Prishtinës.
Në planin e brendshëm, Vuçiq përballet me presion të vazhdueshëm. Protestat e udhëhequra nga studentët, të cilat shpërthyen pas shembjes së strehës prej betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në nëntor 2024, ku humbën jetën mbi 15 persona në një projekt të lidhur me Kinën, kanë vazhduar edhe gjatë viteve 2025 dhe 2026.
Demonstruesit përmendin korrupsionin sistemik, llogaridhënien e dobët, kufizimet në media dhe shqetësimet zgjedhore. Qeveria e hedh poshtë këtë narrativë, duke iu referuar procedurave ligjore kundër përgjegjësve për katastrofën dhe i paraqet elementët e opozitës si destabilizues.
Zgjerimi ushtarak i Serbisë është konkret. Vuçiq ka njoftuar plane për rritjen e konsiderueshme të kapacitetit të përgjithshëm, zgjerimin e forcave speciale dhe rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak afatshkurtër (i hequr në vitin 2011), me synim zbatimin në fund të vitit 2026 ose në fillim të vitit 2027.
Avionët serbë MiG-29 janë pajisur me raketa kineze CM-400AKG me rreze të gjatë veprimi. Serbia ka porositur 12 avionë luftarak francezë Rafale dhe posedon sisteme mbrojtëse ajrore ruse krahas pajisjeve izraelite.
Beogradi e justifikon programin si parandalues të nevojshëm në një mjedis rajonal që po përkeqësohet. Fqinjët dhe vëzhguesit perëndimorë e shohin atë si nxitës të një dinamike garash armatimi.
Partneritetet e jashtme përforcojnë orientimin shumëdrejtimësh të Serbisë. Qendra Humanitare Ruso-Serbe në Nish, e themeluar në vitin 2012 pranë aeroportit, zyrtarisht është një strukturë për ndihmë në rast fatkeqësish.
Organet perëndimore të zbulimit dhe analistët kanë shprehur prej kohësh shqetësimin se qendra mund të kryejë funksione monitoruese me përdorim të dyfishtë. Beogradi dhe Moska e hedhin poshtë këtë cilësim.
Kina, përmes financimit të nismës “Një Brez Një Rrugë” (Belt and Road), është bërë një lojtar dominues në infrastrukturën dhe industrinë e rëndë serbe, ku hekurudha Beograd–Budapest, Ura Pupin, kompleksi i bakrit në Bor dhe fabrika e gomave Linglong janë ndër projektet më të dukshme.
Kritikët vënë në dukje mungesën e transparencës, kushtet e borxhit dhe varësinë strategjike, ndërsa zyrtarët serbë theksojnë modernizimin dhe punësimin.
Incidenti i armatosur më i rëndë i kohëve të fundit ishte sulmi në Banjskë në shtator 2023, ku persona të armatosur serbë, të cilësuar nga zyrtarët e Kosovës dhe ata perëndimorë si paramilitary me lidhje me figura të afërta me Beogradin, zunë në pritë policinë e Kosovës, duke vrarë një zyrtar policor. Tre sulmues mbetën të vrarë. Serbia mohoi drejtimin zyrtar të këtij sulmi.
KFOR-i vazhdon të monitorojë vijën kufitare (kufirin administrativ). Ndërhyrjet e armatosura mbeten të kufizuara nga prania e forcave të NATO-s dhe kostot e larta të një përshkallëzimi të hapur.
Analiatët thonë se Serbia vazhdon të përdorë një gjuhë nxitëse ndaj Kosovës ndërsa fuqizon ushtrinë duke mbajtur partneritetet me Rusinë dhe Kinën, ndërkohë që synon anëtarësimin në BE.
Nga ana tjerër, Kosova i jep përparësi njohjes, garancive të sigurisë dhe integrimit euroatlantik në një linjë të qëndrueshme me Perëndimin.
