Verë, 2026
Katër shkrime fundjave
1.
Shpresë e besë
Në Plaza de Mayo të Buenos Aires, kjo zemër e Argjentinës, nënat ende protestojnë.
Nga viti 1977 mblidhen, (ashtu si nënat shpirtplasura kosovare) çdo fundjavë për të kërkuar shpjegime mbi fatin e fëmijëve të zhdukur në vitet e diktaturës ushtarake.
E, pra, tash dyzet e tetë vjet, pa u lodhur e bezdisur kurrë.
Është, ndaj, një nga protestat më jetëgjata n’rrjedhnajë kohe në botë.
E dini ç’domethënë të jesh kundërshtar regjimi në Teheran?
Të jetosh me qefin në gji!
Dhe kështu rrojnë tash katër vjet gratë e Iranit, të bashkuara në Lëvizjen atdhetare “Grua, Jetë, Liri”.
Nuk janë të dendura protestat e tyre (e si të jenë?), por të pandalshme asnjëherë përballë represionit brutal të mullahëve mesjetarë!
Ah, Lech Walesa legjendar! I pyetur për bashkëpunim me Sovjetët, prijësi i Lëvizjes Solidarnost, pat thënë: është i shkëlqyer. Ne atyre u japin vaj, e ata na marrin ne sheqer!
Çfarë përgjigje gjeniale në ironinë e saj!
Për të vrarë këtë realitet robi, Lëvizja e tij nisi në formë greve (14 gusht 1980), betejën politike alternative në kantierin Detar të Gdanskit. Dhe do të demonstronte dhjetë vjet të tërë, deri kur mbi dramën e komunizmit, viti 1989, të binte perdja e historisë.
Po sheshi i Pavarësisë, Maidan, në Kijev?
Ishte i pushtuar err e terr për 93 ditë përfytje me radhë (fundnëntor, 2013 e në fundshkurt, 2014): tenda, barrikada dhe roja të organizuara për mbrojtje nga eskadrilat regjimore…
Kurse pak më ndryshe, krejt autokton, ishte, viti 2019, rebelimi popullor në Hong Kong kur kinezët e lirisë dolën kundër ligjit për ekstradim në Kinën kontinentale të robërisë…
Revolta do të shndërrohej, ndërkohë, në lëvizje masive për mbrojtjen e autonomisë dhe lirisë së vendit të tyre.
Do të zgjaste rreth shtatë muaj dhe çdo ditë kishte forma të ndryshme kryengritjeje: protesta, tubime, greva apo veprime të tjera rebeltare.
Kjo kronikë e shkurtër panoramike, ndalon tani në Tiranë.
Protesta vijon tash 55 ditë. E qartë, e zjarrtë dhe idealiste.
Por një paralele me të tjerat është ende larg.
Në fakt, shumë tiranë kanë rënë për një kohë të shkurtër. Nga rrënimi, intensiteti dhe mënyra e përballjes, që pas goditjes së parë.
Por, ja që të tjerë janë më të lidhur, për jetë a vdekje, me fronin e tyre.
Dhe janë, disi, më të zorshëm.
Edvin Rama është njëri prej tyre.
Mirëpo, sërish, çdo krahasim me diktatorët e naltshkruar, duket i pagjasë.
Është korruptokrat, i pabesë, tradhtar i truallit amtar, falës deti e malesh, dëbues i rinisë dhe zëvendësues i saj me aziatë, si një popull i ri e i urtë, i Dhéut të Ilirisë.
Njëmend, frymëzuar nga Niçe (për priftin Renan), do të pyesja: për ç’i duhet Premierit pelerina e demokratit kur në të përbrendshmet e tij do të mbetej pinjoll i formuar i Ekzekutorit të rinisë, një edukatë dhe atmosferë familjare?
Pra, bëmat e autokratit shqiptar janë tmerrsisht më të liga se të tyre, por fuqia e i tij është më e paktë.
E kush është ky, vërtet, krahasuar me titanët që rivalizonin perënditë?
As sa hija e tyre mesditore…
Është një kufomë politike që, duke miratuar ligjet që u bënë shkak i protestës, ashpërson pozicionin e vet. Gjithnjë me idenë e ndihmës që pret nga Izraeli i Netanjahut dhe oligarkët mafiozë. Por ky, pelivan i pacipë, ndërron shpesh padronët e vet. Ç’u bë me Erdoganin e Turkisë kur flinte net të tëra veshur me shallvare në vilat e tij?
M’anë tjetër shpreson që kanosja me përplasje, gjak e mort do të sprapsë dhe bën me faj rininë paqësore…
Por, jo!
Është veprim i një të mbyturi që, së paku, kalkulon ai, të provojë kartën e mbramë…
E ka lexuar, vallë, urtinë se nuk mposhtet dot ai që nuk dorëzohet?
Populli, si natyra, nuk nxiton, e, megjithatë, arrin gjithçka. Fundja, thotë Konfuçie, mund të vrisni gjeneralin, por jo ambicjen e njeriut të thjeshtë për të drejtën e tij.
Që këtej, rezistenca e rinisë është në shteg të mbarë. Le të kujtojnë vetëm nënat argjentinase për qëndresë dhe nënat e veta shqiptare për shpresë e besë!
Dhe, pra, të bëjnë tutje. Kështu apo në formë tjetër, është zgjedhje e lirë.
Nuk besoj, nuk mund të vij fundi i Tyre para fundit të Tij!
Është Orë e vetme historie dhe kështu nuk do të duhej të mbaronte.
Dhe s’do të mbarojë kurrsesi…
2.
Molisja
Përballë ernash të mëdha është vënë Lëdëkë-ja: për rikthjellimin ose rrëzimin e vet.
Dhe, ashtu, e molisur, herë përulet, herë shantazhon, e herë hidhërohet e mbyllet në guacën e deshpërimit.
Kur del mirë në zgjedhje koalicionon gabimisht. E kur del keq, si një paradoks, kërkon të pamundurën: një pretendim madhështie të shuar.
Madje, disi në mënyrë parapolitike, i’a vë syrin posteve të larta.
Dhe, ndaj, kërkon të pamundurën: presidencën ose selinë e kancelarit!
E kështu, nga parti e quajtur “institucionaliste” ka përfunduar, tashmë, në një grupim periferik, por i mjaftë për të mbajtur Kosovën në gjendje amorfe të një vakumi institucional.
Dhe është brezi i vjetër, i konsumuar, i saj që është përmallur shumë për kullotën e vjetër. E për këtë gjah mban peng Republikën.
Ajo, prandaj, duhet të tërhiqet menjanë për një kohë reflektimi: ose të rithemelohet, ose të kalojë në histori!
Kalimi në histori, ndërkaq, është kalim në legjendë.
Dhe legjendat janë të përjetshme.
3.
Drejtpeshimi
Amerika e Trumpit ka filluar të bindet se Irani do të jetë një ditë fuqi bërthamore.
Ndaj dhe, i pajisur nga armë e arsyes dhe pragmatizmit, do të vuloste me Arabinë e Saudëve Traktatin bërthamor.
Destinimi i tij?
Diversifikimi i burimeve energjetike!
Por kalimi nga një program në tjetrin, pra në bombë bërthamore, thonë t’mos jetë i vështirë.
Ndërkaq, pikërisht ky drejtpeshim, destinimi i dyfishtë i uraniumit jetik për paqe dhe luftë, do të ishte kundërpesha më efektive ndaj Iranit!
Aherë, në këtë zonë të ndieshme bote, vetëm Turkia do t’mbetej pa këtë armë armagedonëse.
Por, m’anë tjetër, e rrethuar prej saj: nga Islamabadi, e, pa vonuar, nga Teherani e Rijadi!
Dhe si do të mbrohej ajo? Nga keqardhja e tyre?
Vështirë t’u besohet fqinjësisë së mirë të rivalëve apo dhe qëndrimit duarkryq të Turkisë!
Një fuqi e tillë nuk mund të rrudhet në lutjen për mëshirë…
4.
Drojë kujdestare
Kremlini – kjo ngrehë satanike, strehë tiranësh, mbeturinë dinosaurësh e banesë qenjesh të Apokalipsës…
Kështu e pikturonte selinë e hazjajinëve rusë, frëngu Marquis de Custime (lexuar në librin „Kremlini“ të brites Catherine Merridale).
Por, përse tani kjo ngrehë tiranësh është tronditur?
Ai na urren. Na urren në mënyrë konsekuente.
E ç’ndjenjë tjetër duhej të kishte Mychajlo Drapatyj?
Të gëzohej t’ju takonte për një çaj rus në linjën e frontit?
Kështu shkruan i trishtë blogeri ushtarak rus Kirill Fjodorov, ndërsa flet për shefin e ri të shtatmadhorisë së forcave ushtarake të Ukrainës.
Na urren dhe do t’na vrasë, vijon monodramën e tij Fjodorov.
Droja e blogerit të mërzitur s’është veçse pjesë e apatisë ruse gjithandej: stagnim në fushëluftë, rënje ekonomie, dezertime të ushtarëve a ikje e rinisë, pasiguri në thellësitë territoriale, Moskë qytetare e heshtur dhe pa jetë të gëzuar e vrulltare…
E lodhur në zona lufte, Rusia, si në fije kashte mbajtur, raketon rezervat ukrainase për prevencion Aids-i që siguronte afro treqind mijë vetë.
Sa e ligë, thashë. Jashtë çdo sjelljeje kalorsiake të luftës. Madje, bie ndesh dhe me konventat ndërkombëtare.
Por, i rënë e thyer, Kremlini bën atë që i ka mbetur të bëjë.
Para fundit që nuk mund të jetë triumfal!
E pastaj beh, e pavjetruar, ideja e dekolonizimit të Rusisë. E vetmja e tillë mbetur në Europë e tutje botës.
Një fat do të shfaqej aherë tek portë e Ballkanit. Kur publicisti A. Zotov s’mund të brohorasë më: Kosova është Rusi!
Por vegëza ku ai funksionalizonte është, poaq, dhe moskryerja e plotë e shtetësisë së Kosovës që aleatët e mbajnë akoma në sprovë të padenjë imorale.
Sa e hieroglifshme ndonjëherë dhe kjo gjuhë Europe!
r.