Kryeministri Edi Rama e justifikon “Paketën e Maleve” si zgjidhjen e një plage tridhjetëvjeçare. Ligji, i miratuar nga Kuvendi në janar 2026, u lejon të ashtuquajturve “posedues jopronarë” të aplikojnë për leje ndërtimi e zhvillimi, me premtimin që titulli i plotë i pronësisë të vijë pasi investimi të përfundojë.
Ky është vetë problemi strukturor i paketës. Në vend që shteti të mbyllë më parë çështjen ligjore — të përcaktojë me saktësi kush zotëron çfarë, përmes një procesi kadastral të plotë e transparent — dhe pastaj t’u japë banorëve titullin dhe lirinë të vendosin vetë si ta zhvillojnë pronën, qeveria ka zgjedhur ta bëjë të kundërtën.
Fillimisht hapet “harta e investimeve”, pastaj vjen (ndoshta) titulli i pronësisë.
Ekspertët e konsultuar nga BIRN/Reporter.al e kanë theksuar këtë problem: çdo hartë zonash prioritare e bërë pa zgjidhur më parë nyjën e pronësisë rrezikon të krijojë përplasje të reja ligjore, jo t’i zgjidhë ato. Ky nuk është një detaj teknik por thelbi i akuzës se paketa u jep përparësi kohore atyre që kanë kapital dhe lidhje administrative, para atyre që kanë vetëm letrat e gjyshërve.
Diktatori Hoxha e shtetëzoi tokën dhe u mori bagtitë shqiptarëve në emër të kooperativës dhe përparimit. Me një cinizëm të hollë Tirana sot po përpiqet t’u shesë shqiptarëve “Paketën e Maleve” nën idenë e ringjalljes ekonomike të alpeve dhe krahinave të thella përmes një formule magjike – tokë për 1 euro dhe lehtësi taksash për një grusht të zgjedhurish.
Por çfarë fshihet pas kësaj fasade? Prapa parullave për turizëm elitar dhe “zhvillim të qëndrueshëm” fshihet një nga operacionet më të sofistikuara të tjetësimit të pronës, një zhveshje e ngadaltë por e sigurt e malësorëve nga rrënjët e tyre historike dhe tokës së trashëguar ndër breza.
Ironia më e madhe dhe njëkohësisht fyerja më e rëndë që u bëhet banorëve të veriut dhe zonave malore është fakti se shteti refuzon t’u japë atyre çka u takon me të drejtë Zoti dhe gjaku: dokumentet e pastra të pronësisë.
Përmes kësaj pakete, malësorit nuk i jepet prona e tij, por mundësia të jetë një “posedues jo-pronar” që mund të lutet në dyert e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (KKTU) në Tiranë për një copë letër.
Ku janë rrugët dhe infrastruktura?
Përpara se të flitet për hotele malore dhe resorte luksoze, çdo njeri me dy pare mend ngre pyetjen elementare: Ku janë rrugët?
Nëse qëllimi i deklaruar është “ta kthesh malin në zonë tërheqëse për zhvillim”, infrastruktura duhet të vijë para ose paralelisht me letrat e pronësisë dhe jo si premtim i së ardhmes.
Vetë Ministria e Infrastrukturës pranon në Strategjinë e Transportit 2030 se, pavarësisht rreth 10 miliardë eurove të shpenzuara në sektor nga 2014 deri 2025, rrjeti rrugor vazhdon të ketë mangësi dhe probleme sigurie.
Të kërkosh zhvillim ekonomik në malësi pa ndërtuar më parë infrastrukturën rrugore është fiks si ajo shprehja popullore: “Vë karrocën para kalit”.
Projekti konkret për zonën malore — “Porta e Alpeve” në Shkodër, 100 milionë euro (kredi nga BEI plus buxhet shteti) për rrugë, kanalizime dhe zhvillim urban — është real dhe i financuar. Por hulumtimet e qarta nga
Reporter.al vënë në dukje diçka që meriton vëmendjen e shqiptarëve. Paratë u depozituan pikërisht në prag të zgjedhjeve vendore në Shkodër. Kjo nuk do të thotë që projekti ishte mashtrim, por e vendos në kontekstin e duhur: infrastruktura zhvillohet kur ka kalendar zgjedhor, jo domosdoshmërisht kur ka nevojë.
Bazuar vetëm në faktet e verifikueshme deri më sot: “Paketa e Maleve” fillon nga zhvillimi i skemës dhe jo nga siguria juridike, pasi ka raste të verifikuara abuzimi administrativ në klasifikimin e tokave, dhe se investimi rrugor konkret në zonat malore mbetet i kufizuar gjeografikisht dhe i lidhur në kohë me kalendarin zgjedhor. Nëse qëllimi i vërtetë është zhvillimi i qëndrueshëm i maleve — dhe jo thjesht një dritare e re klienteliste — testi nuk është deklarata në Theth, është nëse titujt e pronësisë dhe rrugët mbërrijnë përpara investitorëve, apo pas tyre.
Malësorët duhet të vendosin vetë për fatin dhe tokën e tyre.