Kulla e vëllezërve Ali, Zenel dhe Halil Brahimi në Zherkë të Bytyçit në Tropojë ishte shtabi i lëvizjes nacionaliste të Malësisë së Gjakovës. Vëllezërit Gani, Said dhe Hasan Kryeziu udhëhoqën një lëvizje të fuqishme, të pavarur e të armatosur antinaziste përmes një mbështetje të fuqishme popullore në aleancë me misionin britanik dhe amerikan.
Kjo lëvizje nacionaliste ishte rreshtuar hapur krahas aleatëve anglo-amerikanë. Pranë shtabit të Gani Kryeziut qëndronte misioni ushtarak britanik (SOE) i udhëhequr nga koloneli anglez Billy McLean dhe majori Anthony Simcox.
Ata synonin një Shqipëri etnike, demokratike dhe të lirë nga ndikimi komunisto-sllav, duke pasur si këshilltar politik intelektualin e njohur Llazar (Zai) Fundo.
Fuqizimi dhe popullariteti i kësaj lëvizje nacionaliste përbënte kërcënim për komunistët jugosllavë dhe shqiptarë si dhe për pushtuesit nazistë duke marrë parasysh edhe mbështetjen anglo-amerikane dhe furnizimin e tyre me armë dhe pajisje që vinin nga ajri.
Peter Cemp me (SOE) operacionet klandestine britanike do të shkruante më pas lidhur me zhgënjimin e tij për mosveprimin e Frontit Nacional Çlirimtar të komunistëve të Hoxhës dhe Mugoshës kundër nazizmit. Ai përmend një fakt kur Mehmet Shehu me 800 partizanë refuzoi të godiste 20 ushtarë gjermanë, duke e bërë të qartë se komunistët shqiptarë po përpiqeshin të ruanin forcat për një lufte të ardhshme me nacionalistët.
Kemp e konsideronte Shehun kriminel dhe LANÇ-in si një grumbull vrasësish që merakoseshin më shumë për sulmimin ndaj grupeve rivale partizane sesa për të luftuar gjermanët. (No Colours or Crest …libër i botuar në vitin 1958)
Lëvizja Kryeziu dhe Ali Brahimi nuk e pranuan propozimin e Hoxhës dhe Mugoshës për shkrirjen e forcave nacionaliste me ato partizane, nën komandën komuniste. Kjo binte ndesh me parimet e tyre për një Shqipëri etnike çka do të eliminonte nacionalistët dhe përpjekjet e tyre për Kosovën.
Lëvizja nacionaliste Kryeziu veproi në mënyrë të pavarur duke organizuar aksione kundër gjermanëve në shumë pjesë të Malësisë së Gjakovës.
Pas takimit me komunistët në Markaj në qershor 1944 do të ndodhte pika kulmore e takimit të korrikut në Valbonë ku komunistët i kërkuan lëvizjes nacionaliste që të sulmonte Plavën dhe rrjedhimisht vrasjen e nacionalistëve shqiptarë atje. Lëvizja Kryeziu dhe Ali Brahimi refuzuan kategorikisht. Një ditë më vonë komunistët ekzekutuan pabesisht klerikun Padër Lekë Luli, përfaqësues i Legalitetit në bisedime, pasi kishte kundërshtuar qendrimin pro sllav të komunistëve shqiptarë.
Në bashkëpunim me majorin britanik Anthony Simcox (SOE) nacionalistet hartuan një plan të detajuar për fillimin e kryengritjes në Kosovë. Të udhëhequr nga ky objektiv i rëndësishëm, në gusht-shtator 1944 forcat Kryeziu arritën nivelin më të lartë të organizimit dhe të veprimit luftarak, duke e nxjerrë edhe më në pah talentin dhe aftësitë drejtuese ushtarake të komandantit Gani Kryeziu, nivelin e lartë politik dhe organizativ të Saidit, mendjen e ndritur dhe objektivitetin e Fundos, si dhe trimërinë dhe aftësitë e Hasan Kryeziut, Ali Brahim Zherkës, Selim Malë Dulës, Mehmet Ali Bajraktarit etj., që komanduan këto forca në fushë-betejat kundër nazi-fashistëve — sipas studiuesit të njohur Dodë Progni.
Në radiogramin dërguar Liri Gegës, datë 8.08,1944 Enver Hoxha udhëzonte eliminimin e Zai Fundos pasi kishte rënë dakord me Dushanin, Raden dhe ishte njoftuar edhe Fadil Hoxha.
Më 10 shtator Enver Hoxha urdhëron shkatërrimin dhe vrasjen e “reaksionit” të brendshëm (Kryeziu- Ali Brahimi) pasi rrezikonte bashkimin me “reaksionin” e Kosovës dhe nën mbështetjen e britanikëve mund të formonin një qeveri.
Më 19 shtator 1944, Enver Hoxha dërgon në Bytyç Shefqet Peçin me brigadën e tij, i cili, pasi u ngjit në majën Dobrejt ku ishte shtabi i Kryezinjve, arrestoi Said Kryeziun, Zai Fundon dhe majorin anglez Anthony Simcox.
Pas ndërhyrjes së anglezëve Anthony dhe Saidi u lejuan të largohen drejt Italisë. Llazar (Zai) Fundon e torturuan për vdekje.
Kjo goditje pas shpine nga komunistët u shoqërua nga një ndërhyrje brutale e nazistëve në Bytyç duke vrarë, masakruar dhe djegur Zherkën. Gjermanët vranë dy nipat e Ali Brahimit,dajat e mi, Xhemalin dhe Zeqirin dhe dogjën kullën shekullore mes 300 shtëpive të tjera. Vranë burra, gra dhe fëmijë. I njëjti skenar ndodhi më pas edhe në Gjakovë ndaj nacionalistëve.
Sulmi nga komunistët shqiptarë dhe jugosllavë dhe nga ana tjetër gjermanët çoi në shpërbërjen e lëvizjes Kryeziu. Ganiu e udhëzoi Ali Brahimin që të shmangte vëllavrasjen duke mos u hakmarrur. Me ndërmjetësimin e britanikëve Ali Brahimi mori komandën e Batalionit të dytë të Brigadës së 25 duke udhëhequr betejat kundër gjermanëve deri në Sanxhak dhe refuzuar luftën në Drenicë kundër Shaban Polluzhës.
Pas çlirimit të Shqipërisë, në vitin 1949 Ali Brahimi detyrohet të arratiset për t’i shpëtuar dorës gjakatare të komunistëve shqiptarë. Në vitin 1951 kthehet në rrugë klandestine për të marrë familjen në Zherkë dhe në kufi vritet nga komunistët vajza e vëllait të tij, Bute Zenelja 18 vjeçare. Gruaja e Alisë dhe djali Mehmeti mbetën pas. Ai u vëndos në Bruksel ku ndërroi jetë në vitin 1980 dhe u varros në Gjakovë, siç e kishte lënë amanet.
Djali Mehmeti u rrit në internime, u martua në internim dhe fëmijët e tij lindën në internim. Mehmet Alia u vendos në Bruksel pas rënies së komunizmit dhe ndërroi jetë në vitin 2020.
Gjyshi im, Halil Brahimi të cilit gjermanët i vranë dy djemtë Xhemalin dhe Zeqirin la pas gruan Fatën e cila u vendos në Nju Jork me djalin Imerin dhe Bardhen. Vajza tjetër, Sofe (nëna ime) mbeti në ferrin komunist shqiptar dhe u takua për herë të parë me vëllain dhe motrën pas 50 vitesh ndarje në vitin 1991.
Djali i Zenel Brahimit, Musa u vendos gjithashtu në Nju Jork. Shumë të tjerë mbetën pas dhe ndërruan jetë në ferrin komunist shqiptar. Nga ky fis janë mbi 500 trashëgimtarë që jetojnë vetëm në Shtetet e Bashkuara pa numëruar ata që janë në Evropë.
Pasojat e bashkëpunimit mes nazistëve dhe komunistëve shqiptarë e jugosllavë janë prezente edhe sot në trojet shqiptare.