Burime të ndryshme mediatike konfirmojnë se biznesmenët e afërt me pushtetin e Vladimir Putinit po përpiqen me çdo kusht të mbrojnë pasuritë e tyre. Kjo lëvizje vjen në një kohë kur ekonomia ruse po përballet me një presion të jashtëzakonshëm si pasojë e sanksioneve ndërkombëtare, shpenzimeve të larta ushtarake për luftën dhe dobësimit drastik të disa sektorëve kyç.

Frika nga vala e re e shtetëzimeve dhe ndërhyrjeve të Kremlinit
Oligarkët, të cilët për dekada me radhë kanë qenë përfituesit më të mëdhenj të sistemit ekonomik rus, dyshohet se tanimë i tremben një vale të re ndërhyrjesh nga vetë shteti. Frika e tyre kryesore lidhet me konfiskimet e mundshme, marrjen nën kontroll të kompanive private apo transferimin e detyruar të aseteve drejt strukturave që kontrollohen direkt nga zyrtarët e lartë shtetërorë.

“Kur edhe njerëzit më të afërt me pushtetin fillojnë të shqetësohen dhe të largojnë paratë, kjo është një shenjë e problemeve shumë të thella brenda sistemit,” vlerësojnë kritikët e Kremlinit, referuar një shkrimi të prestigjiozes Bloomberg.

 

Moska zyrtare mohon krizën
Nga ana tjetër, autoritetet ruse kanë reaguar duke mohuar vazhdimisht që ekonomia e vendit të ndodhet në krizë. Sipas zyrtarëve në Moskë, Rusia ka arritur të përshtatet plotësisht me sanksionet e ashpra perëndimore.

Megjithatë, spastrimi dhe zhvendosja e kapitaleve nga biznesmenët më të pasur mbetet një tregues kokëfortë i klimës së pasigurisë, teksa ekonomia ruse po mbahet në këmbë thuajse tërësisht nga shpenzimet shtetërore dhe sektori i mbrojtjes. bw