Dielli nuk u pa mëngjesin e së shtunës në zonën e gjerë të Moskës, pas një sulmi të ri ukrainas me mjete ajrore pa pilot, i cili shkaktoi zjarre të mëdha dhe re të dendura tymi të zi, të dukshme nga kilometra larg.
Videot e publikuara në rrjetet sociale tregojnë një qiell pothuajse tërësisht të mbuluar nga tymi, ndërsa përdoruesit shkruanin se “dielli nuk shihet fare”. Pamjet u bënë virale, duke treguar përmasat e zjarreve të shkaktuara pas shpërthimeve.
Sipas raportimeve, objektiv i dronëve ukrainas ishte qendra e dytë më e madhe logjistike e Wildberries, gjigantit më të madh të tregtisë online në Rusi, e vendosur në rajonin e Moskës. Kompleksi u përfshi nga flakët, ndërsa videot treguan të gjithë ndërtesën duke u djegur dhe kolona të mëdha tymi të zi që ngriheshin mbi zonë.
Nga sulmi raportohet se 7 punonjës humbën jetën dhe 24 të tjerë u plagosën.
Paralelisht, u raportuan edhe goditje ndaj instalimeve të naftës, me pamje që tregonin tym të dendur duke mbuluar qiellin. Mediat ruse dhe përdorues të rrjeteve sociale publikuan video nga zjarret e mëdha, ndërsa autoritetet lokale ende nuk kanë bërë të ditur përmasat e plota të dëmeve.
Zelensky merr përgjegjësinë për operacionet
Disa orë më vonë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky iu referua sulmeve përmes një postimi, duke deklaruar se forcat ukrainase kishin goditur me sukses objektiva strategjikë në thellësi të territorit rus.
Sipas tij, “operacionet me rreze të gjatë veprimi patën sukses në tre zona të ndryshme”, duke theksuar se u goditën dy qendra të mëdha logjistike në rajonet e Moskës dhe Tambovit, në distanca mbi 500 dhe rreth 700 kilometra nga vija e frontit.
Zelensky tha se këto objekte përdoreshin nga Rusia për furnizimin me komponentë që janë nën sanksione ndërkombëtare dhe që shërbenin për prodhimin e dronëve dhe pajisjeve të navigimit.
Ai gjithashtu deklaroi se ishte goditur një objekt nafte, si dhe objektiva të tjera në Detin Azov, Detin e Zi dhe në Krimenë e pushtuar.
Në fund të deklaratës së tij, presidenti ukrainas përgëzoi Njësitë e Sistemeve pa Pilot, Forcat Speciale, ushtrinë ukrainase, Shërbimin e Sigurisë (SBU) dhe shërbimet e inteligjencës ushtarake, duke i cilësuar sulmet si “operacione të sakta dhe të koordinuara mirë”.
Sulmet përbëjnë një tjetër episod në fushatën në rritje të Ukrainës kundër infrastrukturës energjetike, industriale dhe logjistike brenda Rusisë, ndërsa Kievi synon të godasë zinxhirët e furnizimit që mbështesin ushtrinë ruse, larg vijës së frontit. gsh