Në lartësitë e Nikaj-Mërturit, aty ku Alpet prekin qiellin, ngritja e Statujës së Krishtit Shpëtimtar mbart një peshë të jashtëzakonshme. Ky monument nuk është thjesht një dëshmi e besimit të palëkundur, por një kufi shpirtëror i vendosur mbi luginë. Ai u kujton të gjithëve se kjo tokë, ky lumë dhe këto male janë dhuratë hyjnore – të cilat nuk mund të shiten për përfitime të pista. Krishti me krahë të hapur mbi luginë qëndron si roja e një trashëgimie të shenjtë dhe si thirrje e gjallë për bashkim mes vëllezërve, qofshin katolikë apo myslimanë, për të mbrojtur atë që është e tyre.
Nga Enver Hoxha te “Paketa e Maleve”: një tragjedi që përsëritet
Përplasja e sotme e malësorëve me shtetin nuk është e re. Është vazhdimësia e një lufte shekullore kundër pushtuesve dhe sistemeve që tentojnë t’ua tjetërsojnë truallin.
Reforma Agrare e diktatorit komunist Enver Hoxha në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar përdori dhunën dhe propagandën e “reformës” për të zhveshur malësorët nga pronat e tyre legjitime. Tokën e të parëve ua morën në emër të kolektivizimit dhe “pronës shtetërore”.
Sot, nën petkun e zhvillimit modern dhe turizmit, “Paketa e Maleve” e Edi Ramës funksionon me të njëjtën logjikë grabitqare. Përmes ligjeve klienteliste për investimet strategjike dhe zyrave të korruptuara të kadastrës, shteti po përpiqet t’u marrë malësorëve tokën që nuk ua mori as turku, as serbi – për t’ia dhënë një grushti njerëzish.
Por Malësia ka një ligj të pashkruar në teftere por të skalitur në shkrepa dhe Besën që qëndron mbi çdo kod civil apo ligj të përkohshëm: toka e larë me gjak nuk dorëzohet kurrë me vula korruptive. Malësorët e veriut nuk e kanë njohur kurrë nënshtrimin dhe nuk do të pranojnë që fati i malësive të tyre të përcaktohet nga vendime të marra në zyrat e Tiranës.
Besa e Maleve: vëllazëria pa ndarje
Në Geghysen, Qafën e Kolçit e Curraj, kufijtë fetarë nuk kanë ekzistuar kurrë përpara Besës dhe kombit. Kjo krahinë është rritur me frymën e bashkimit dhe me shembullin e figurave të mëdha historike që dhanë jetën për këto male. Nga Binak Alia, kuvendari i urtë që shmangu gjakderdhjet dhe bashkoi malësorët në një besëlidhje të vetme, deri te Prel Tuli i Nikajve – udhëheqësi trim që i mbrojti malet me armë në dorë. Të dy na mësojnë të njëjtën gjë: vendimet për këtë truall u takojnë vetëm atyre që jetojnë këtu.
Gjysmën e zemrës e lashë në Tropojë
Arsyeja pse shkruaj sot me kaq dhimbje, krenari dhe vendosmëri për këtë qëndresë – ndonëse jetoj larg, në Amerikë – vjen nga rrënjët e mia të thella familjare dhe nga një amanet i shenjtë i trashëguar brez pas brezi. Gjysmën e zemrës sime e kam të lidhur përjetësisht me ato male.
Im atë, Skënder Haxhiaj, pasi u diplomua në Normale, doli arsimtar në moshën e brishtë 18-19 vjeç. Pas shërbimit në shumë zona të Malësisë, ai mori rrugën drejt Currajve e Tetajve, ku shërbeu si misionar i dijes për disa vite në ato anë të thella dhe madhështore të Tropojës.
Malësorët bujarë e morën tim atë në kullat e tyre, e strehuan në shtëpitë e veta dhe e trajtuan si djalin e tyre. Ai u dha atyre shkronjat e gjuhës shqipe, ndërsa ata i dhanë besën, miqësinë e pakushtëzuar dhe të përjetshme.
Kur im atë ndërroi jetë në Tiranë në shkurt të vitit 2022, ndodhi diçka që më preku thellë shpirtin. Në derën tonë erdhën për ngushëllime dhjetëra burra të moçëm, të panjohur për ne. Ishin nga Currajt, Nikajt, Geghyseni, Paci, Berisha dhe shumë krahina të tjera të Tropojës. Ishin nxënësit e tij të dikurshëm. Njerëz që ende mbanin mend dritën e dijes që babai im u kishte dhënë në ato vite të hershme të rinisë së tij. Erdhën për të nderuar mësuesin e tyre dhe na treguan qindra histori që do të mbeten përgjithmonë në memorien time.
Kjo vizitë ishte dëshmia e gjallë se çfarë është në të vërtetë Malësia: një vend ku nderi nuk vdes, ku mirënjohja trashëgohet brez pas brezi dhe ku drita e arsimtarit respektohet njësoj si gjaku i derdhur për liri.
Beteja për Nikaj-Mërturin sot është edhe beteja e nxënësve të babait tim, është beteja ime.. Është beteja e pasardhësve të atyre që e strehuan atë kur ishte vetëm një djalosh 18-vjeçar me ditarin e arsimtarit nën sqetull. Ne nuk mundemi dhe nuk do të lejojmë që ato male, ai lumë dhe ajo histori e jashtëzakonshme të shkatërrohen nga një shtet i korruptuar.
Qeveria në Tiranë duhet ta dijë mirë se po përballet me pasardhësit e Prel Tulit dhe një popull që mbron historinë, besimin dhe ekzistencën e vet në tokën e tij të shenjtë.
Skënder Haxhiaj
Qëndresa e Nikaj-Mërturit