Kontrastet e fuqishme nuk prodhohen gjithmonë dhe thjeshtë nga numrat.
Qëllimi dhe përmbajtja janë më të rëndësishmit për ta ruajtur jo vetëm natyrën, por edhe dinjitetin njerëzor dhe respektimin e gjallesës kur mendon se dikujt shkon ndërmend të ndërhyjë dhe ta përvetësojë si territor dhe si pronë. Si i tillë, i propozuar nga 12 deputetë të Rilindjes Socialiste; Kuvendin e Shqipërisë LIGJ Nr. 21/2024 PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 81/2017 “PËR ZONAT E MBROJTURA”, rezulton sot të ketë qenë produkti më i papërshtatshëm. Tronditës për fatet e pushtetit 13-14 vjeçar, i prodhuar nga duart e veta pikërisht nga mospërfillja e mendimit ndryshe dhe e vendosjes me fuqinë e kartonit me 74 vota.
Sikur një pyetje të bëhet se:- Sa dëgjohen ata mijëra qytetarë prej 40 ditësh po protestojnë pandërprerë me pankarta dhe thirrjet “Anulo ligjin nr. 21/2024″, dhe “Dorëheqje!”?
Përgjigjen e kemi marrë nga kontrastet e forta të Ramës, Ballës e të tjerëve që janë anonim ose pjesë e “luftës hibride në rrjetet sociale”.
Do të mundohemi ta tregojmë me dy tri rreshta.
Taulant Balla një ditë më parë se të gjendej në Strasburg për një foto të rastit kishte hedhur një status i cili ishte bërë menjëherë lajm nga ATSH-ja, ku cilësohej me doza të larta ‘ironie’:-“Balla: Ju thashë që po latë Salin, Shehajn e Lapajn do të përfundoni si dasmë lagjeje”.
Kujt i shërben ky mesazh mes kësaj vape?!
Apo të dëgjosh e lexosh kryeministrin Rama që 1 ditë para se të bënte përgatitjet për Samitin e NATO-s në Turqi, i shteri energjitë për t’i ndriçuar “shqiptarët e paditur” se duke paguar 4 milion euro i hoqi njollën e turpit shqiptarëve për mos anulimin e një koncerti të shumëpritur që ATSH-ja e titullonte:-“Rama: Shpifësi më i keq se vrasësi, koncerti i Kanye West financohet nga sponsorët dhe shitja e biletave”.
Pikërisht kontrastin e numrave dhe lëndës që prodhojnë lajmet e propagandës për ta ulur famën e protestës, e sjell skica Sezoni i Protestave me autorin LD-Ny26. Në thelb janë shumë ngjyra flamujsh në trajtën e ombrellave që kryeministri i shet për aleanca, në një kohë kur nga projektet e Zonave të Mbrojtura, nuk heq dorë lehtë nga përfitimi korruptiv. Por edhe protesta me sa duket nuk ka të ndaluar. Me pak apo dhe me shumë numra, qytetarët e kanë kuptuar strategjinë e cilësuar nga Ligji 21/2024 mbi Zonat e Mbrojtura ku për turizmin e ekselencës ose hotelet me pesë yje, mjeteve e rënda, punimeve infrastrukturore që do të kënaqin përvetësimin e pronave publike si pasuri kombëtare u paraprijnë ligjet klienteliste të përcaktuara si “Zona natyrore të pa shqetësuara” dhe “Zona natyrore pak të shqetësuara”.
Për të mos e pranuar këtë fyerje të inteligjencës, qytetarët janë në shesh. Ata aq sa i duan Zonat të Mbrojtura pronë kombëtare të paprekshme po aq po kërkojnë përmes protestave edhe veprimin e ligjit për përgjegjësit e masakrës mbi pasuritë dhe natyrën shqiptare.
9 Korrik, 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)