Ajo tashmë është kthyer në ngjashmërinë më të shëmtuar të politikës shqiptare: bëhen zgjedhje pa kundërshtarë realë, vendosen disa dordolecë për fasadë dhe rizgjidhen të njëjtët pa pasur opozitë të vërtetë.
Një praktikë e importuar nga Tirana dhe Prishtina, ku demokracia përdoret si dekor, ndërsa vendimet janë marrë shumë kohë përpara se të hapet kutia e votimit.
Kjo nuk është më Vatra e Nolit dhe Konicës. Kjo nuk është më federata që mbrojti Shqipërinë në ditët më të errëta të saj. Kjo është një strukturë që po ngjan çdo ditë e më shumë me sistemin që shqiptarët lanë pas kur morën rrugën e emigrimit.
Sot në Vatër shohim të njëjtat metoda:
degë të përjashtuara, zëra të mbytur,
dyer të kyçura, gjyqe të hapura ndaj vetë Vatranëve, sulme publike dhe linçime morale.
Dhe më e rënda, heshtje. Tre kandidatë përballë liderit, por asnjëri nuk ngriti zërin për padrejtësitë.
Asnjëri nuk foli për degët e përjashtuara.
Asnjëri nuk foli për mbylljen e dyerve.
Asnjëri nuk foli për manipulimin e mandateve.
Asnjëri nuk foli për mënyrën si u prodhua shumica.
Kjo tregon qartë se nuk ishin aty për ndryshim.
Ishin aty për të vulosur vazhdimësinë e të njëjtit sistem.
Kur një degë me rreth 252 anëtarë prodhon 20 mandate, atëherë pyetja nuk është më kush fitoi.
Pyetja është; si u prodhua kjo fitore?
Kur shfaqen çeqe personale me $10,000 mijëra dollarë për “anëtarësi” dhe askush nuk jep transparencë mbi llogaritë, atëherë demokracia pushon së qeni proces.
Ajo bëhet investim për pushtet.
Shqiptarët në Amerikë duhet ta kuptojnë mirë: ajo frymë e kalbur që shkatërroi Shqipërinë për 35 vite, sot po tenton të shkatërrojë edhe institucionet e diasporës.
Dhe kjo është tragjedia. Sepse ne menduam se kishim ikur prej saj. Por duket se ajo na ka ndjekur pas. Ka kaluar oqeanin. Ka hyrë në zemër të Vatrës. Dhe kur sëmuret Vatra, sëmuret një pjesë e ndërgjegjes kombëtare shqiptare.
Ky nuk ishte kuvend, ishte një skenar, një teatër, një farsë e organizuar për të ruajtur pushtetin.
Por historia ka një ligj, asnjë manipulim nuk zgjat përgjithmonë. E vërteta vonon. Por nuk humbet.
Federata Pan Shqiptare Vatra po RRENOHET nga e keqja.