Aktivisti Gentian Alimadhi, një nga organizatorët e protestave të diasporës shqiptare në Itali, tha sot në një lidhje direkte për “News24”, se protestat kanë vrarë frikën e qytetarëve ndaj arrogancës së pushtetit politik 35-vjeçar.
Ai ka deklaruar se kjo protestë është luftë për rezistencë dhe ekzistencë.
Alimadhi tha se qytetarët po shfryjnë mllefin dhe zemërimin e tyre, pasi kishin vite që ishin të ndrydhur dhe në apati.
“Pjesëmarrja e diasporës në Itali është shumë e madhe, kjo është luftë për ekzistencë dhe rezistencë. Parrulla që “Shqipëria nuk shitet” është shumë domethënëse, po e bashkëndan edhe bota. Kjo është luftë për ekzistencë, mungonte kjo shkëndijë, shqiptarët ishin të ndrydhur dhe në apati, kjo vrau frikën. Po i tregojmë ndërgjegjes sonë se nuk kemi frikë”, tha ai mes të tjerash.
Sipas Alimadhit, kjo është një shfryrje ndaj regjimit dhe arrogancës, pasi sjellja e pushtetit ishte edhe shkëndija që ndezi revoltën.
“Ne na ndanë nga gjysma jonë, njerëzit me mikrofon po shfryhen, është reagim ndaj këtij regjimi dhe ndaj talljes dhe arrogancës anadollake. Kjo është drama më e madhe që bëri njerëzit të shprehin zemëratën e tyre. Jam marrë me organizime eventesh, por më të bukur se kjo nuk kam parë”, u shpreh ai.