TIRANË- Policia e Tiranës ka nisur hetimet për bllokimin e autostradës Tiranë-Durrës dhe rrugës për në aeroportin e Rinasit nga protestuesit një ditë më parë. Mësohet se policia ka marrë në pyetje disa prej organizatorëve të protestës, mes tyre edhe Gent Prognin, i cili në disa pamje del duke drejtuar marshimin.
Siç raportohet, Progni pritet të merret në hetim në gjendje të lirë për disa vepra penale, prishje e qetësisë publike, bllokim rrugësh dhe tubim i paligjshëm. Sipas burimeve pranë policisë, ka qenë Progni që ka njoftuar në fund të tubimit të gjithë protestuesit për marshim të gjatë dhe se duhej të bëheshin gati.
Edhe sipas videove, policia ka administruar pamjet filmike të të gjithë orientimit që dyshohet se Progni u ka bërë protestuesve për të vijuar marshimin deri në rrugën e Rinasit.