Autoritetet e Kosovës të enjten në mëngjes morën nën kontroll objektet dhe pronat hekurudhore në Zveçan dhe në Leposaviq, komuna të banuara me shumicë serbe në veri.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Policia ka ofruar asistencë gjatë marrjes së objekteve të stacioneve hekurudhore, ku janë hequr tabelat “Hekurudhat e Serbisë”, dhe janë vendosur të reja me mbishkrimin “Infrastruktura Hekurudhore e Kosovës”, së bashku me flamurin e Kosovës.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u tha gazetarëve se ligjet duhet të zbatohen në të gjithë territorin e Kosovës dhe se “Hekurudhat e Serbisë” janë një nga institucionet e fundit “paralele dhe ilegale” që kanë funksionuar.
Ndërkaq, ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, deklaroi se “nga sot janë kthyer nën menaxhim të plotë të Ndërmarrjes Publike INFRAKOS të gjitha objektet dhe pronat publike hekurudhore” në veriun e Kosovës.
Ai tha se infrastruktura hekurudhore në veri deri më tani ka qenë “e uzurpuar nga strukturat ilegale paralele serbe”.
Basha deklaroi, gjithashtu, se hekurudha në veri është një pjesë strategjike e Korridorit X, i cili lidh Kosovën me rrjetet rajonale dhe ndërkombëtare të transportit.
“Ky veprim lehtëson përshpejtimin e rehabilitimit, modernizimit dhe funksionalizimit të infrastrukturës hekurudhore në veri të vendit, në përputhje me prioritetet zhvillimore dhe standardet shtetërore të Kosovës”, tha ai.
Kosova gjatë dy viteve të fundit ka mbyllur pothuajse të gjitha institucionet e Serbisë, që pas luftës kanë funksionuar në zonat me shumicë serbe. Ndërsa autoritetet kosovare thonë se po vendosin rend dhe ligj, pjesëtarët e komunitetit serb këto veprime i shohin si “diskriminim” ose formë “represioni”.
Edhe bashkësia ndërkombëtare ka kritikuar mbylljen e institucioneve serbe nga autoritetet kosovare, duke theksuar se komuniteteve joshumicë fillimisht duhet t’u sigurohen shërbimet që i kanë marrë përmes sistemit serb.
Ministri Sveçla deklaroi se Kosova nuk do të tolerojë funksionimin e institucioneve serbe dhe se të gjitha do të mbyllen.
“Kjo [hekurudha] është pjesë e rrjetit tonë dhe, siç e ka theksuar ministri i Infrastrukturës, do të jetë pjesë e projekteve për rindërtimin e rrjetit hekurudhor”, tha ai.
Serbia refuzon t’i mbyllë institucionet e saj në Kosovë, por shumicën prej tyre i ka zhvendosur në qytetet e saj kufitare.
Po ashtu, Kosova ngulmon në integrimin e institucioneve arsimore dhe shëndetësore që në zonat ku jeton komuniteti serb funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, gjë që po has në kundërshtimin e popullatës lokale, përfaqësuesve politikë dhe shoqërisë civile.
Bashkimi Evropian ka vlerësuar se çështja e integrimit të këtyre dy sektorëve duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

