TIRANË- Organizata “Reporterët pa Kufij” i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama në lidhje me lirinë e shtypit në Shqipëri, pasi ky i fundit citoi një raport nga një startup i Inteligjencës Artificiale që tregonte se zëri i opozitës dominonte hapësirën mediatike.
Me anë të një postimi në “X”, Organizata thekson se Kryeministri duhet ta investojë energjinë e tij në adresimin e problemeve të lirisë së medias në Shqipëri dhe jo të merret me sulmet ndaj raporteve të organizatës. Po ashtu “Reporterët pa Kufij” shpreh edhe gatishmërinë për dialog.
“Kryeministër Edi Rama, në vend që të përpiqeni kot të provoni se indeksi i Reporters Without Borders (#RSFIndex) është i gabuar, ne propozojmë që energjia të investohet në adresimin e problemeve kronike të lirisë së medias në Shqipëri. Së bashku me partnerët e saj lokalë, RSF është e gatshme për një dialog mbi propozimet e saj”, shkruan Reporterët Pa Kufij në rrjetin X.

Çfarë ka ndodhur më parë?
Shqipëria ka humbur tre vende në renditjen globale për lirinë e medias, sipas raportit të publikuar nga Reporterët pa Kufij. Pas publikimit të raportit nga ‘Reporterët pa Kufij’, ka reaguar kryeministri Edi Rama, i cili ka publikuar një tjetër raport ndërkombëtar që sipas tij, jep një vlerësim pozitiv për institucionet shqiptare në këtë fushë.
Rama i është referuar raportit të SIGMA-OECD, duke nënvizuar se Agjencia për Media dhe Informim (MIA) ka marrë një vlerësim të lartë për rolin e saj në shërbim të mediave dhe publikut. Sipas kreut të qeverisë, pavarësisht kritikave dhe sulmeve të vazhdueshme ndaj këtij institucioni, raporti ndërkombëtar tregon një realitet ndryshe, të bazuar në analiza profesionale dhe fakte konkrete./Dosja.al