Prishtinë, 22 maj 2026
Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra e zëvendësministra,
Të nderuar punonjës të kabinetit qeveritar dhe të mediave,
Të dashur qytetarë,
Qeveria jonë, nga ditët e para pas zgjedhjeve të dhjetorit, ka qenë e qartë dhe e vendosur në prioritetet e saj. Një nga pesë vendimet e para të qeverisë së re ishte edhe miratimi i Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0 në vlerë prej 200 milionë eurosh, e kjo me qëllim të mbështetjes së familjeve për të përballuar më lehtë barrën e rënduar të çmimeve të larta, që na vijnë si pasojë e krizave dhe tronditjeve globale.
Pakoja për Përballje me Inflacionin 2.0 parashihte mbështetjen e pensionistëve, fëmijëve, studentëve dhe punëtorëve në sektorin privat. Ky ishte një premtim i bërë qartë para qytetarëve dhe një zotim që ne e kemi marrë me përgjegjësi të plotë.
Prandaj, për ta jetësuar këtë zotim, në muajin e kaluar e proceduam në Kuvend të Republikës për miratim dhe rishikimin buxhetit, i cili do të siguronte fondet që do të mundësonin zbatimin e Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0.
Kur rishikimi i buxhetit, u paraqit në Kuvend për votim me procedurë të përshpejtuar, për çfarë nevojiteshin dy të tretat e deputetëve të pranishëm, blloku opozitar e bëri të vetmen gjë që din ta bëjë tash e sa kohë, pra bllokimin. Edhe pse në debat parlamentar pak ditë më parë blloku opozitar kishin kërkuar që qeveria t’u dilte në mbështetje qytetarëve, kur erdhi momenti për të votuar, vendosën të pengonin pakon, e cila do të ndihmonte secilën familje. Përderisa kostoja e jetesës po vazhdon të rritet si pasojë e krizave globale, blloku opozitar tash krenohen me faktin që pamundësuan qeverinë ta miratonte një pako mbështetëse, duke mos pasur konsideratën më të vogël për vështirësitë me të cilat qytetarët përballen çdo ditë.
Mirëpo, të gjendur përballë kësaj situate, qeveria jonë nuk mund të qëndrojë duarkryq. Unë kam kërkuar nga Ministri i Financave që të shfrytëzojë çdo mundësi buxhetore për të dizajnuar një pako për Përballje me Inflacionin, ashtu siç jemi zotuar.
Qytetarët e Republikës duhet ta dinë dhe gjithmonë duhet të llogarisin, se qeveria jonë dhe e tyre nuk do t’i lërë kurrë vetëm, pavarësisht pengesave apo bllokadave që të tjerët mund t’i vendosin në rrugën tonë të përbashkët.
Prandaj, sot kam kënaqësinë t’ju njoftoj për Pakon për Përballje me Inflacionin 2.0, të cilën e kemi dizajnuar dhe do ta miratojmë sot, me masat si vijon:
· Mbështetje e njëherëshme prej 100 eurosh për pensionistët,
· Mbështetje e njëherëshme prej 100 eurosh për fëmijët,
· Mbështetje e njëherëshme prej 100 eurosh për punonjësit e sektorit jo-publik,
· Mbështetje e njëherëshme prej 100 eurosh për studentët aktivë.
Meqenëse për pensionistët dhe fëmijët nuk do të ketë nevojë për aplikim, sepse i kemi listat e përfituesve tashmë, do të synojmë që pagesat e njëhershme për familjet përfituese t’i bëjmë në fillim të javës që vjen, pra para festës së Bajramit, ashtu që secila familje të ndjehet e barabartë në atë ditë feste, duke e ditur se dora e mirë e shtetit kujdeset edhe për ta. Kurse, për të punësuarit e sektorit jo-publik dhe për studentët, nga ministri i financave jam njoftuar që nevojitet procedure aplikimi, e cila do të hapet në javën e ardhshme dhe besoj që për këtë ministri do të mund të prezantojë detajet tjera në vijim.
Jemi të vetëdijshëm se, në mungesë të buxhetit të rishikuar, i cili u bllokua nga blloku opozitar, kjo pako, të dashur qytetarë, nuk i adreson të gjitha problemet dhe nevojat, por sadopak lehtëson barrën për secilën familje në vendin tonë. Sepse, për dallim nga blloku opozitar, qeveria jonë është qeveri që kujdeset që dora e shtetit të prekë secilin. Jemi qeveria e vetme, e cila ka dëshmuar se mendon për hallet e secilës familje në Republikën e Kosovës.
Sot, gjithashtu kam kënaqësinë të ndaj edhe një lajm tejet të mirë për të gjitha gratë lehona.
Në qeveritë para nesh, nuk ishte bërë asgjë për gratë. Për 20 vite qeverisje të partive të tjera, askujt nuk i kujtohet as edhe një masë e vetme që ishte bërë për të mbështetur gratë.
Kurse, ne për vetëm një mandat:
– kemi subvencionuar punësimin e grave,
– kemi mbështetur me subvencione e grante vajzat dhe gratë që merren me biznes,
– kemi lansuar masën Qeveria për Familjet, ku shumica e të punësuarve janë gra,
– kemi mbështetur me bursa të gjitha vajzat dhe gratë që kanë studiuar STEM, shkencë, teknologji, inxhinieri e matematikë,
– kemi nisur apo ndërtuar 74 çerdhe të reja për ta lehtësuar barrën e përkujdesit të fëmijëve, barrë, e cila bie mbipropocionalisht mbi gratë,
– kemi shtuar programin e vizitave në shtëpi për gratë shtatzëna,
– kemi nisur e pastaj i kemi rritur shtesat për fëmijë e shtesat për lehona, para të cilat transferohen në llogarinë bankare të nënës,
– si dhe shumë e shumë masa e veprime të tjera në mbështetje të grave.
E superlajmi, që dua të ndaj sot me ju është se nga ky muaj do të rrisim shtesat për lehona.
Përderisa me qeverisjet e kaluara, shtesat për lehona ishin 0 euro, thua se ky shtet nuk kishte nëna lehona, për herë të parë me qeverisjen tonë i nisëm ato duke paguar nga 170 euro për 6 muaj me radhë për lehonat e papuna, dhe 3 muaj për ato të punësuarat, mbi pagesën që tashmë e marrin sipas ligjit të punës.
E thamë se shtesat për lehona do t’i bëjmë aq sa do të jetë paga minimale.
Shtesat i nisëm aq sa ishte paga minimale, 170 euro në muaj, pra aq sa e gjetëm pagën minimale, kurse në maj të vitit të kaluar, nga 170 euro në muaj, shtesat i rritëm në 325.9 euro në muaj, aq sa i binte paga minimale neto, pra kjo para një viti.
E sivjet pagën minimale e rritëm përsëri, nga 1 janari është 425 euro në muaj, kurse nga 1 korriku ajo bëhet 500 euro në muaj.
E njësoj, sikurse vitin e kaluar, edhe në këtë maj, ne po i rrisim shtesat për lehona, ashtu sikurse kemi premtuar, nga 325.9 euro në muaj, në 500 euro në muaj, sa paga minimale. Me fjalë tjera, nuk po e presim korrikun, por rritjen po e bëjmë qysh tani.
Nga ky muaj e tutje, secila nënë lehonë do të përfitojë mbështetjen mujore prej 500 euro në muaj.
Kjo, për një lehonë, e cila nuk është e punësuar, përkthehet në 3,000 euro mbështetje përgjatë 6 muajve, pa llogaritur edhe shtesat mujore për foshnjën, beben.
Kurse, për ato të punësuarat, kjo përkthehet në mbështetje prej 1,500 euro, përtej pagesave, të cilat u takojnë atyre sipas ligjit të punës, 70% e pagës nga punëdhënësi për 6 muajt e parë dhe 50% të pagës mesatare nga shteti për 3 muajt e tjerë.
E për ta dëshmuar se nuk ndalemi fare kur vjen puna te mbështetja e grave, shumë shpejt do ta lansojmë edhe programin Superpuna për Gratë, përmes të cilit të gjitha gratë do t’i mbështesim, duke ua paguar për 6 muaj tjerë pagën minimale, nëse ato rikthehen në tregun e punës.
Ju faleminderit!
/Zyra e Kryeministrit