Në Sallën e Shtypit të Dhomës së Deputetëve në Romë u zhvillua prezantimi i librit The Balkan Route – Albania in Contemporary Migration, me autor Prof. Shkelzen Hasanaj, profesor sociologjie në UNINT dhe studiues i emigracionit bashkëkohor.
Aktiviteti përfaqësoi një moment me rëndësi të veçantë akademike, institucionale dhe simbolike për komunitetin shqiptar në Itali dhe më gjerë. Për herë të parë, një studiues shqiptar prezantoi në Parlamentin Italian një punim akademik kushtuar transformimeve evropiane të migracionit, rolit të Shqipërisë në Ballkan dhe mënyrës se si kufijtë e Evropës po riformësojnë vetë projektin politik dhe moral të Bashkimit Evropian.
Konferenca mblodhi personalitete të botës akademike, politike dhe diplomatike italiane e ndërkombëtare. Aktiviteti u hap nga Alessandro De Nisco, Drejtor i Departamentit të Shkencave Humane dhe Sociale Ndërkombëtare në UNINT, ndërsa debati u moderua nga deputetja italiane Irene Manzi.
Në konferencë ndërhynë Sanja Vlahović, profesoreshë e asociuar në UNINT dhe ish-Ambasadore e Malit të Zi, Giuseppe Pisicchio, ish-deputet italian dhe profesor universitar, si dhe Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Itali, S.E. Anila Bitri Lani.
Gjatë fjalës së saj, Ambasadorja shqiptare vlerësoi rëndësinë e pranisë së akademikëve shqiptarë në universitetet dhe institucionet evropiane, duke theksuar se Shqipëria sot nuk përfaqësohet vetëm nga historia e emigracionit, por edhe nga profesorë, studiues dhe profesionistë që kontribuojnë në debatin kulturor, akademik dhe politik evropian.
“Sot jemi krenarë për profesorë dhe të rinj shqiptarë si Prof. Shkelzen Hasanaj”, u shpreh Ambasadorja, duke nënvizuar rëndësinë e figurave akademike shqiptare që po afirmohen ndërkombëtarisht dhe që kontribuojnë në ndërtimin e një imazhi të ri të Shqipërisë në Evropë.
Në ndërhyrjet e tyre, folësit e konferencës e trajtuan migracionin si një fenomen kompleks dhe shumëdimensional, që nuk mund të reduktohet vetëm në statistika apo emergjencë sigurie. U diskutua gjerësisht mbi lidhjen midis migracionit, të drejtave të njeriut, politikave të kufijve, sigurisë, transformimeve gjeopolitike dhe rolit të Ballkanit në arkitekturën e re evropiane të menaxhimit të flukseve migratore.

Një pjesë e rëndësishme e debatit iu kushtua transformimit historik të Shqipërisë. Për shumë vite, Shqipëria është perceptuar si një vend nga ku njerëzit largoheshin masivisht drejt Evropës. Sot, sipas analizës së paraqitur në libër, Shqipëria është bërë një hapësirë kyçe e politikave migratore evropiane dhe një territor ku testohen forma të reja të qeverisjes së migracionit.
Në fjalën e tij, Prof. Shkelzen Hasanaj theksoi se Shqipëria nuk duhet parë vetëm përmes historisë së emigrimit, por edhe si një vend që prodhon dije, kërkim shkencor dhe mendim kritik në nivel ndërkombëtar.
“Për shumë vite Shqipëria është paraqitur si një vend nga ku njerëzit largoheshin. Sot ajo është bërë një hapësirë ku trajektoret migratore të Evropës riformësohen”, deklaroi Prof. Shkelzen Hasanaj.
Prof. Shkelzen Hasanaj argumentoi se Shqipëria nuk është më thjesht një vend tranziti, por një hapësirë politike dhe sociale ku Bashkimi Evropian eksperimenton modele të reja të menaxhimit të migracionit. Ai e përkufizoi këtë pozicion me konceptin e “ambiguitetit funksional”, duke shpjeguar se Shqipëria është njëkohësisht partner i Evropës në kontrollin e kufijve dhe një shtet sovran me përvojën e vet historike të emigrimit dhe mikpritjes.
Në diskutim u trajtuan edhe marrëveshjet e eksternalizimit të migracionit, roli i Ballkanit Perëndimor në strategjitë evropiane të kontrollit kufitar dhe tensioni midis sigurisë dhe mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut. Disa prej folësve ngritën shqetësime mbi rrezikun që vendet e Ballkanit të shndërrohen në hapësira të “outsourcing”-ut migrator të Bashkimit Evropian, ndërsa të tjerë theksuan rëndësinë e solidaritetit dhe përgjegjësisë së përbashkët evropiane.
Ish-deputeti dhe profesori universitar Giuseppe Pisicchio solli një reflektim mbi identitetin adriatik dhe mesdhetar të Italisë dhe Ballkanit, duke theksuar lidhjet historike, kulturore dhe njerëzore midis brigjeve të Adriatikut. Ai kujtoi solidaritetin e treguar nga populli italian ndaj emigrantëve shqiptarë në vitet ’90 dhe vlerësoi integrimin e komunitetit shqiptar në shoqërinë italiane.
Në vijim të debatit u trajtua edhe dimensioni njerëzor i migracionit. Prof. Shkelzen Hasanaj solli shembuj konkretë nga kërkimet e tij etnografike në terren, duke përshkruar realitetin e migrantëve që kalojnë përmes Shqipërisë dhe Malit të Zi drejt Evropës Qendrore. Ai theksoi se ajo që quhet “tranzit” shpesh përkthehet në pritje të gjata, pasiguri, “mikro-permanenca” dhe forma të reja cenueshmërie sociale.
“Pyetja thelbësore nuk është vetëm sa migrantë kalojnë apo nga kalojnë, por çfarë lloj Evrope po ndërtojmë përmes politikave të kufijve dhe eksternalizimit”, u shpreh Prof. Shkelzen Hasanaj gjatë përfundimit të konferencës.
Sipas tij, mënyra se si trajtohen migrantët në kufijtë e Evropës ndihmon për të kuptuar të ardhmen politike, morale dhe demokratike të vetë kontinentit.
Prezantimi i këtij libri në Parlamentin Italian përfaqëson një moment të rëndësishëm për diasporën shqiptare dhe për imazhin e Shqipërisë në Evropë, duke dëshmuar një Shqipëri që sot prezantohet jo vetëm përmes historisë së migrimit, por edhe përmes suksesit akademik, kulturës, kërkimit shkencor dhe kontributit intelektual të qytetarëve të saj. gsh
