Raul Castro, tashmë 94 vjeç, kur ndodhi rrëzimi i 2 avionëve në vitin 1996 mes Kubës dhe Floridës ishte kreu i forcave të armatosura të Kubës dhe ngjarja u dënua ndërkombëtarisht. Castro u largua nga posti i presidentit në vitin 2018.
Shtetet e Bashkuara kanë ngritur akuza ndaj ish-udhëheqësit kuban Raúl Castro për komplot për vrasjen e shtetasve amerikanë dhe krime të tjera, lidhur me rrëzimin e dy avionëve në vitin 1996 mes Kubës dhe Floridës.
Çështja, e bërë publike të mërkurën, akuzon Castron dhe pesë persona të tjerë për rrëzimin e avionëve që i përkisnin grupit kubano-amerikan “Brothers to the Rescue”, ku humbën jetën katër persona, mes tyre tre amerikanë.
Castro, tashmë 94 vjeç, në atë kohë ishte kreu i forcave të armatosura të Kubës dhe ngjarja u dënua ndërkombëtarisht.
Ndërsa SHBA po rrit presionin ndaj regjimit komunist në Kubë, presidenti aktual kuban Miguel Díaz-Canel i cilësoi akuzat si “një manovër politike, pa asnjë bazë ligjore”.
Duke folur në Freedom Tower në Miami, Prokurori i Përgjithshëm në detyrë, Todd Blanche, njoftoi se ndaj Castros do të ngrihen edhe akuza për shkatërrim avionësh dhe katër akuza individuale për vrasje, për vdekjet e Armando Alejandre Jr, Carlos Alberto Costa, Mario Manuel de la Peña dhe Pablo Morales.
“Shtetet e Bashkuara dhe presidenti Trump nuk i harrojnë dhe nuk do t’i harrojnë qytetarët e tyre”, deklaroi Blanche.
Akuzat do të shqyrtohen në një gjykatë amerikane, ndërsa disa prej tyre parashikojnë mundësinë e burgimit të përjetshëm. Akuzat për vrasje mbartin dënim maksimal me vdekje ose burgim të përjetshëm.
Akuzat e reja të Departamentit Amerikan të Drejtësisë synojnë një nga figurat kryesore të udhëheqjes komuniste kubane, në një kohë kur Kuba po përballet me presion të fortë nga SHBA për reforma të rëndësishme politike dhe ekonomike në sistemin njëpartiak të vendit.
“Mendoj se strategjia është që presioni të rritet gradualisht deri në pikën kur qeveria kubane do të detyrohet të dorëzohet në tryezën e negociatave”, tha Wiliam LeoGrand.
SHBA ka vendosur sanksione ndaj Kubës dhe ka imponuar një bllokadë mbi furnizimin me naftë për vendin, gjë që ka sjellë ndërprerje të energjisë elektrike dhe mungesa ushqimore.
Më herët gjatë së mërkurës, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, publikoi një mesazh drejtuar popullit kuban, në përvjetorin e pavarësisë së vendit.
“Presidenti Trump po ofron një rrugë të re mes SHBA-së dhe një Kube të re”, deklaroi Rubio.
Rubio u tha qytetarëve kubanë se konglomerati ushtarak kuban i njohur si GAESA është përgjegjësi kryesor për ndërprerjet e energjisë dhe mungesat ushqimore që vendi vazhdon të përjetojë.
GAESA zotëron ose operon shumicën e sektorëve më fitimprurës të ekonomisë kubane, nga portet dhe pikat e karburantit deri te hotelet luksoze me pesë yje.
Në reagim ndaj mesazhit të Rubios, presidenti kuban Miguel Díaz-Canel akuzoi SHBA-në për gënjeshtra dhe për vendosjen e një “ndëshkimi kolektiv” ndaj popullit kuban.
Në moshën 95 vjeçare, Raúl Castro, vëllai i liderit të ndjerë kuban Fidel Castro, mbetet një figurë me ndikim dhe në Kubë njihet si “udhëheqësi i mbijetuar i Revolucionit Kuban”.
Ai është tërhequr nga rolet aktive në qeveri dhe në parti, por gjatë presidencës së tij në vitet 2008-2018, së bashku me ish-presidentin amerikan Barack Obama, mbikëqyrën një periudhë të shkurtër afrimi mes Uashingtonit dhe Havanës.
Todd Blanche deklaroi se nuk do të “krahasonte çështje” mes rastit të Castros dhe atij të Nicolás Maduro.
Presidenti amerikan Donald Trump u pyet për aspektin politik të aktakuzës së publikuar të mërkurën.
“Shumë prej atyre njerëzve janë të lidhur me mua në kuptimin që kam pasur një marrëdhënie shumë të mirë me kubano-amerikanët”, tha Trump. “Nga pikëpamja humanitare, ne jemi këtu për të ndihmuar.”
Ndërsa Castro nuk pritet të ekstradohet apo të paraqitet në proces, të gjitha opsionet duket se mbeten të hapura, sipas avokates Lindsey Lazopoulos Friedman.
“Nëse ai do të paraqitej në këtë çështje, do t’i garantoheshin të njëjtat të drejta ligjore si çdo të pandehuri tjetër”, tha Friedman, duke shtuar se kjo do të përfshinte edhe një gjyq me juri.
“Askush nuk pret që çështja të ndjekë këtë rrugë tipike… por aktakuza është bindëse dhe mbështetet nga prova të rëndësishme”, deklaroi ajo për BBC-në.
Qendra në Miami ku autoritetet amerikane shpallën aktakuzën ndaj Raúl Castro ishte e mbushur me kubano-amerikanë, kryesisht përfaqësues të organizatave të emigrantëve kubanë që prej dekadash udhëheqin opozitën ndaj qeverisë kubane nga Shtetet e Bashkuara.
Të rrethuar nga fotografitë e katër viktimave të rrëzimit të avionëve në vitin 1996, shumë pjesëmarrës në aktivitetin e zhvilluar në Miami e përshkruan lajmin si një moment të shumëpritur.
“Ishte koha, pas 67 vitesh të atij regjimi vrasës”, tha Isela Fiterre. “Raúl Castro nuk vrau vetëm katër individë. Gjatë shumë viteve, ai ka vrarë njerëz të panumërt”, u shpreh ajo.
Fiterre tha se drejtësia nuk vjen kurrë vonë dhe se është mirënjohëse ndaj administratës Trump për këtë hap.
Një tjetër pjesëmarrëse, Mercedes Puid-Soto, shprehu të njëjtin qëndrim.
“Ndihem shumë e lumtur. Drejtësia u vu në vend”, tha ajo. “Është shumë e rëndësishme që familjet të mbyllin atë kapitull, por edhe ne kubanët.”
Megjithatë, mbi njoftimin e Todd Blanche vazhdonte të qëndronte pyetja nëse administrata e Donald Trump do ta përdorë këtë aktakuzë në të njëjtën mënyrë siç përdori atë ndaj Nicolás Maduro, si justifikim për një operacion ushtarak nën petkun e zbatimit të ligjit.
“Kjo ka pak gjasa të ndodhë pa përballje”, tha Roxanna Vigil. “Dhe çdo lëvizje që do të përfshinte bashkëpunim me regjimin kuban do të ishte shumë e vështirë të pranohej nga diaspora kubane në SHBA.”
Përfaqësues amerikanë dhe kubanë, përfshirë nipin e Raúl Castros, Raúl Guillermo Rodriguez Castro, kanë zhvilluar “bisedime” muajt e fundit, por akuzat amerikane ndaj ish-presidentit kuban nuk pritet t’i lehtësojnë këto kontakte.
Përkundrazi, pala kubane dha sinjale të forcimit të mëtejshëm të qëndrimit “pa dorëzim dhe pa lëshime” ndaj presionit amerikan, ndërsa mediat shtetërore kubane i cilësuan akuzat si “akuza të rreme” ./BBC/