Vendimi i Pentagonit për të pezulluar transferimin e një brigade të blinduar amerikane në Poloni ka shkaktuar shqetësim dhe tension politik në Varshavë.
Sipas mediave ndërkombëtare, autoritetet polake nuk kishin marrë asnjë paralajmërim nga Uashingtoni për këtë vendim, i cili vjen në një moment kur Polonia synonte të forconte më tej rolin e saj si një nga aleatët kryesorë të SHBA-ve në Europë dhe në krahun lindor të NATO-s.
Brigada amerikane ishte planifikuar të vendosej në Poloni në kuadër të rotacionit të forcave ushtarake amerikane, ndërsa një pjesë e njësisë ndodhej tashmë në vend për të përgatitur ardhjen e rreth 4 mijë ushtarëve.
Polonia strehon aktualisht rreth 10 mijë trupa amerikane dhe ka investuar prej vitesh në partneritetin strategjik me SHBA-të.
Pas zhvillimit, kryeministri polak Donald Tusk deklaroi se Polonia mbetet një nga aleatët më besnikë të Uashingtonit.
“Amerikanët kanë në Poloni vetëm miq dhe një nga aleatët më besnikë. Nuk do të gjejnë askund një aleat më të mirë”, tha ai.
Ndërkohë, opozita konservatore ka akuzuar qeverinë se ka dobësuar marrëdhëniet me SHBA-të, ndërsa analistët paralajmërojnë se një reduktim i pranisë amerikane mund të ndikojë në sigurinë e Polonisë përballë kërcënimeve nga Rusia. Panorama