Rolando Maran është trajneri i ri Kombëtares së Shqipërisë. Italiani do të pasojë brazilianin Sylvinho, i cili mbylli periudhën e tij në krye të kuqezinjve pas përfundimit të eliminatoreve të Botërorit.
Vendimi është marrë nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili ka zgjedhur një emër me përvojë të gjatë në futbollin italian dhe me një karrierë të pasur në Serie A dhe Serie B.
Një trajner me eksperiencë të gjatë në Itali
Maran ka nisur karrierën si trajner pas tërheqjes nga futbolli në vitin 1997, duke punuar fillimisht te Chievo Verona dhe më pas në akademinë e Brescia-s, ku u zhvillua si trajner i moshave.
Në vitin 2002 ai mori drejtimin e parë si trajner i ekipit të parë te Cittadella-s, duke hapur rrugën e tij në futbollin profesionist italian.
Në Serie B, Maran ka drejtuar disa skuadra si Brescia, Bari, Triestina, Vicenza dhe Varese, ku spikati duke e çuar ekipin deri në play-off për ngjitjen në Serinë A.

Foto: Presantimi i Maran sot nga FSHF
Suksesi në Serie A dhe eksperienca me klube të mëdha
Në elitën e futbollit italian, Maran ka lënë gjurmë të rëndësishme me Catania, ku arriti një sezon rekord me 56 pikë dhe vendin e 8-të në Serie A, një nga rezultatet më të mira në historinë e klubit.
Më pas ai drejtoi sërish Chievo-n dhe më vonë Cagliari-n, ku pati një nisje shumë të mirë të sezonit, duke luftuar për zonat europiane.
Në vitin 2020 ai mori drejtimin e Genoa-s, ndërsa në vitet e fundit ka drejtuar edhe Pisa-m dhe Brescia-n në Serinë B.
Me këtë emërim, Shqipëria synon të sjellë stabilitet dhe përvojë në stolin e kombëtares, duke i besuar një trajneri që njeh mirë futbollin taktik italian dhe punën me skuadra të kufizuara në cilësi, por me organizim të fortë.
Maran pritet të nisë menjëherë punën me kuqezinjtë, me objektivin për të ndërtuar një ekip konkurrues në ndeshjet e ardhshme kualifikuese dhe në ciklin e ri të Kombëtares.