Silvinjo u shfaq në konferencën për shtyp në të cilën u prezantua pasardhësi i tij në Kombëtaren kuqezi. Ai u shfaq tepër i emocionuar dhe falenderoi të gjithë për mbështetjen në këtë rrugëtim që pati në Shqipëri.
“Njerëzit që punojnë në këtë federatë i njoh mirë. Me shumë prej tyre kemi ndarë momente të rëndësishme: një drekë, një darkë, një bisedë të bukur. Dua të falënderoj edhe gjithë stafin teknik që kemi pasur dhe të gjithë lojtarët që me ne kanë bërë një rrugëtim shumë pozitiv prej tre vitesh e gjysmë. Jemi rritur të gjithë bashkë.
Në fund, tifozët e apasionuar të Kombëtares, mbështetja që kemi marrë nga të gjithë ju ka qenë për ne një shenjë shumë pozitive për gjithçka që kemi bërë. Na keni dhënë shumë energji për të punuar çdo ditë dhe për t’u përpjekur gjithmonë të japim më të mirën.
Pastaj nuk ka shumë për të thënë. Mbaj mend vetëm se që ditën e parë kur erdha këtu kisha thënë një gjë, shpirt, zemër dhe djersë nuk duhet të mungojnë kurrë, sidomos në një skuadër futbolli dhe akoma më shumë në kombëtare.
E kemi bërë këtë të gjithë bashkë dhe, siç kam thënë gjithmonë, ju falënderoj të gjithëve edhe që keni qëndruar këtu për të më dëgjuar gjatë këtyre tre viteve të fundit. I uroj shumë fat sigurisht trajnerit Rolando për ciklin dhe rrugëtimin e ardhshëm, dhe i uroj gjithë të mirat kësaj federate, trajnerit dhe presidentit tonë. Faleminderit shumë”, përfundoi fjalën e tij braziliani.
PANORAMASPORT.AL